Vendos sot
Behgjet Pacolli ka thënë se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila të hënën njoftoi se zgjedhja e tij në postin e Presidentit nuk është bërë në pajtim me aktin më të lartë juridik në vend.
Pacolli, në një intervistë televizive, ka thënë se ai do të veprojë pikërisht ashtu siç e kërkon Gjykata Kushtetuese, të cilën e ka quajtur të shenjtë.
“E kam pa njoftimin e Gjykatës Kushtetuese. Siç kam deklaruar përpara, do ta respektoj totalisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vendimin nuk e kam marrë. Pritet ta shohim nesër dhe unë do të bëj ashtu siç është e shkruar në vendim”, ka thënë Pacolli.
“Do ta implementoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Është mirë që kemi Gjykatë Kushtetuese, ajo e rregullon mbarëvajtjen dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës. Ajo është e shenjtë, ajo duhet të respektohet”, ka shtuar Pacolli.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka mbajtur larg opinionit Pacollin përderisa zyrtarë të afërt me të nuk kanë pranuar të shpalosin agjendën e shefit të tyre të martën.
Zyra e Presidentit gjatë ditës ka njoftuar se Pacolli kishte anuluar disa aktivitete ditore e as zyrtarë të këtij institucioni nuk kanë komunikuar me mediat.
Njëri prej bashkëpunëtorëve të Pacollit, Ibrahim Makolli, i cili është edhe ushtrues detyre i kryetarit të AKR’së, nuk ka mundur të flasë për hapat që do t’i ndërmarrë Pacolli pasi të marrë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ne duhet të presim se çfarë është vendimi i Gjykatës .Ne mund të paragjykojmë, por përderisa nuk ka vendim të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka rekomandime se çka i rekomandon Kuvendit Gjykata Kushtetuese është vështirë që të thuhet diçka”, ka thënë ai.
Makolli nuk ka mundur ta thotë nëse ish-shefi i tij partiak do të japë dorëheqje nga posti i Presidentit ose do të presë të shkarkohet nga Kuvendi.
“Përderisa nuk e kemi vendimin përpara, nuk mund të them asgjë”, ka thënë ai.
Sipas ushtruesit të detyrës së kryetarit të AKR’së, skenari më i mundshëm është që Pacolli të rikandidohet sërish për President.
“Nëse Gjykata vlerëson se duhet të kthehet në procedurë, në rivotim, ajo nënkupton që gjithçka duhet të kthehet nga procedura fillestare, pra rikandidimi i z. Pacolli, mbledhja e nënshkrimeve siç e përcakton Kushtetuta dhe veprime tjera”, ka thënë Makolli.
Ky opsion duket të jetë më i preferuar aktualisht për Pacollin.
“Ai është i vetmi kandidat i koalicionit për Kosovë të re për President të vendit”, ka thënë ai.
Makolli ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në asnjë mënyrë nuk mund ta bllokojë rikandidimin e Pacollit.
“Jo, absolutisht nuk e ka asnjë arsye sepse z. Pacolli nuk është fajtor në këtë çështje. Nuk ka asnjë hapësirë më të voglën Gjykata Kushtetuese që t’ia mohojë të drejtën z. Pacolli që të kandidojë për President”, ka thënë Makolli.
Për këtë opsion, sipas Makollit, janë dakord edhe partnerët e koalicionit.
“Unë besoj se ka gatishmëri brenda partnerëve të koalicionit”, ka thënë Makolli.
Të martën kanë qarkulluar spekulime të ndryshme rreth reagimit të Pacollit për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Dikush ka përfolur mundësinë që Pacolli të tërhiqet krejt nga politika e dikush tjetër për mundësinë që partia e tij të tërhiqet nga Qeveria.
Por, kjo është mohuar nga bashkëpunëtorë të afërt të Pacollit.
Rasti Pacolli është komentuar të martën edhe nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se Pacolli mund të shkarkohet nga Kuvendi.
“Unë nuk di se cili është qëndrimi i Presidentit, a do të japë dorëheqje apo do t’ia lë Parlamentit të Kosovës që të merret me këtë çështje. Unë nuk mund ta detyroj askënd që ta paraqesë dorëheqjen, por në bazë të Kushtetutës, nëse ai nuk e paraqet dorëheqjen, atëherë Kuvendi duhet të ndërmarrë hapa konkretë”, ka thënë Haliti.
Shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se Kosova nuk ka pasur President.
Gjini ka folur edhe për opsionet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Opsioni i Kuvendit është që të sillet një kandidat i ri apo i njëjti për zgjedhjen e tij, këto janë opsione kushtetuese. Opsioni i dytë është që të provohet të gjenden modalitete dhe zgjedhje tjera, qoftë për ndryshimin e formulave apo për çka do qoftë tjetër dhe, në këtë rast, kemi afat 6 muaj”.
“Do të thotë, edhe 6 muaj do të kemi ushtrues të detyrës së presidentit që do të jetë prapë zoti Krasniqi. Dhe, pas 6 muajsh, nëse nuk gjejmë zgjidhje dhe nuk e zgjedhim presidentin, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje të reja”, u shpreh Gjini.
E partia e Gjinit në një reagim tha se për situatën është fajtor Hashim Thaci.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar drejt shkeljes së aktit më të lartë juridik të vendit është zoti Hashim Thaçi, i cili përmes presioneve dhe insinuatave ndaj deputetëve krijoi klimë degraduese mbi Kuvendin dhe institucionet tjera të vendit”, thuhet në qëndrimet e AAK-së”, ka thënë Gjini.
Vendimi i gjykatës më të lartë në vend i ka lënë pa gojë edhe zyrtarët tjerë në vend.
Kryeministri Hashim Thaçi ka anuluar një aktivitet me kryetarë të komunave. Të njëjtën e ka bërë edhe ambasadori Christopher Dell, i cili nuk është paraqitur fare në një aktivitet në veri.
Atje ka shkuar zëvendësi i tij Michael Murphy, i cili nuk ka dashur të komentojë vendimin e Gjykatës, derisa ka përjashtuar rolin e ambasadës në vendimin e Gjykatës.
“Nuk e kemi parë vendimin ende dhe nuk dua të komentoj çështjet ligjore pa e parë vendimin. Një gjë tjetër që dua të them është se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet nga të gjitha palët”, ka thënë Murphy.