E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja për çështje pronash plagosen dy punonjëse të pastrimit

Sarandë- Një konflikt pronësie mes dy familjeve që nuk mori dot përgjigje në rrugë ligjore dje është zgjidhur me grykën e armëve. Kur Artan Myrtaj ka qëlluar në drejtim të shtëpisë së fqinjëve të tij, të cilët po bënin një kat pa leje, nuk e kishte menduar se plumbat e kallashnikovit kanë depërtuar e kanë plagosur dy punonjëse të pastrimit që ndodheshin në atë kohë në rrugë. Edhe pse shtesa nuk ishte lejuar nga gjykata, dy pronarët e saj kishin vazhduar punimet, ndërsa fqinji i tyre nuk mund të lejonte që ngritja e objektit dhe me një kat tjetër t’i pengojë fushëpamjen.

Plagosja

Mëngjesin e ditës së djeshme rreth orës 08:40 në lagjen Nr.1 janë plagosur Engjëllushe Mata, 55 vjeçe dhe Lefteri Ahmeti, 55 vjeçe lindur dhe banuese në Sarandë, të dyja punonjëse të firmës së pastrimit “Korshteli” sh.p.k . Nga veprimet e para hetimore të specialistëve të Krimeve të Rënda në komisariatin Policisë Sarandë plagosja e këtyre shtetaseve ka ardhur si rezultat i të shtënave me armë zjarri tip automatik kallashnikov, të cilat kanë dalë nga papafingoja e objektit të shtetasit Artan Myrtaj, të shtënat që kanë qenë në drejtim të objektit të shtetasve Sinan Mata dhe Kosta Thanasi, për konflikte pronësie. Konflikti i pronësisë ka ardhur si rezultat i shtimit të një kati në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Sinan Mata dhe Kosta Thanasi në objektin e tyre, ndërtim i cili sipas pretendimeve te shtetasit Artan Myrtaj pengon fushëpamjen.

Përplasja

Në lidhje me shtimin e katit në këtë objekt, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë me vendim ka pezulluar punimet, vendim i cili është ekzekutuar edhe nga Përmbarimi Gjyqësor Sarandë me mbështetjen e forcave të policisë. Pas këtij pezullimi punimesh, shtetasit Kosta Thanasi dhe Sinan Mata kanë rifilluar punimet, të cilat janë pezulluar sërish para 3 ditëve me mbështetjen e Policisë së Shtetit, dhe ndaj këtyre personave Përmbaruesi Gjyqësor ka bërë kallëzim penal në Komisariatin e Policisë Sarandë. Pas pezullimit të dytë të punimeve, ditën e djeshme Kosta Thanasi dhe Sinan Mata kanë vijuar sërish punimet në objekt, çka mendohet të ketë shkaktuar ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm. Nga Seksioni i Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë Sarandë janë shoqëruar të dyja palët në Komisariat në lidhje me këtë ngjarje dhe po kryhen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor, zbardhjen e saj dhe identifikimin e autorit. Përsa u përket 2 (dy) punonjëseve të plagosura lehtë ato kanë marrë mjekim dhe janë larguar për në shtëpi pasi dëmtimet ishin të lehta.

E.Haruni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›