Vengu: Rritja e pagave të FA me objektiv mesataren e NATO-s deri në 2029

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu theksoi se objektivi kryesor i Ministrisë së Mbrojtjes është rritja e pagave të Forcave të Armatosura me objektiv mesataren e NATO-s, deri në vitin 2029-të.
Përmes një postimi në Facebook, ministri nënvizon se forcimi i kapaciteteve njerëzore nuk realizohet vetëm përmes trajnimeve, por edhe përmes pagave që sikurse ai thotë pasqyrojnë përgjegjësinë, profesionalizmin dhe sakrificën.
Vengu tha se “rritja do të jetë 60–70% për nivelet bazë, ndërsa për nivelet e larta të komandimit parashikohet një rritje prej 30–40%”.
“Objektivi është i qartë: arritja e mesatares së NATO-s deri në vitin 2029! Forcimi i kapaciteteve njerëzore nuk vjen vetëm përmes trajnimeve, por edhe përmes pagave që reflektojnë përgjegjësinë, profesionalizmin dhe sakrificën.
Në këtë kuadër, pagat do të vijojnë trajektoren e rritjes:
60–70% për nivelet bazë
30–40% për nivelet e larta të komandimit”, shkruan Vengu.
/rtsh.al/