E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vepra e Arshi Pipës, Berisha sqaron mediat e shkruara: Vargjet e botuara nuk janë ato që i sugjerova Edi Ramës

25-08-2011 / Gazeta 55

Një pjesë e mirë e të përditshmeve shqiptare aluduan sot me strofa të ndryshme nga poezia e famshme e disidentit Arshi Pipa “Albanian Stalinism”, duke i lidhur ato me deklaratën e djeshme të kryeministrit Berisha se i sugjeronte kreut të PS-së, Rama, të lexonte pikërisht dy vargjet e fundit të poezisë së Pipës. Por, siç edhe u pa sot në faqet e disa mediave të shkruara, vargjet që citoheshin si përzgjedhja e kryeministrit për lidershipin e selisë rozë, ishin të pasakta. Reagimi vjen nga kryeministri Berisha, i cili me anë të një letre drejtuar mediave të shkruara, i sqaron ata se “dy vargjet që unë përzgjodha dhe i sugjerova zotit Rama për t’i lexuar si përgjigjen time ndaj letrës së tij, nuk janë ato që ju keni botuar në mediat tuaja”.
Kreu i qeverisë shprehet gjithashtu se gjatë mbledhjes së qeverisë, kur edhe kishte cituar veprën e Arshi Pipës, i kishte kërkuar përfaqësuesve të medias të mos iu referoheshin vargjeve të librit në fjalë. Ndaj, nga ky rast, siç thotë kryeministri, përsa kohë kjo kërkesë s’është marrë parasysh nga mediat, këto të fundit duhet të botojnë sqarimin

Letra e Kryeministrit Berisha drejtuar disa gazetave shqiptare
 

Kryeministri Berisha u dërgoi sot, një letër sqaruese drejtuesve të disa të përditshmeve shqiptare, lidhur me publikimin sot, të disa artikujve që i referohen fjalës së Kryeministrit në mbledhjen e qeverisë. 

 “Drejtuesve të: Gazeta Shqiptare, Standard, Metropol, Mapo dhe Shqip!

Të nderuar zotërinj,

Në gazetat tuaja sot janë cituar vargje nga vepra e Arshi Pipës, të cilat, sipas jush, janë pikërisht vargjet që unë i sugjerova t’i lexonte dje zotit Rama dhe t’i pranonte ato si përgjigjen time ndaj letrës së tij të hapur të radhës.

Me këtë letër dua t’ju garantoj se vargjet që ju citoni në gazetat tuaja nuk janë absolutisht asnjeri nga dy vargjet që unë përzgjodha dhe i sugjerova zotit Rama për t’i lexuar si përgjigjen time ndaj letrës së tij. I bindur se gazetarët në veprën e Pipës “Stalinizmi Shqiptar” do të përzgjidhnin sipas shijeve të tyre vargje të tjera nga ato që unë kisha ndërmend, dje iu luta atyre që ata të mos i lexonin dhe të mos ju referoheshin fare vargjeve të librit në fjalë. Meqenëse këtë kërkesë nuk e keni marrë parasysh, unë njerëzisht ju lutem juve, të botoni në gazetat tuaja këtë sqarim timin.

Me respekt Sali Berisha”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›