E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veprat e rralla në opera për 100-vjetorin e Pavarësisë

11/04/2012   “Pena e muziktarëve rilindas” prezanton për të parën herë për publikun pjesë muzikore nga Palok Kurti, Fan Noli, Mikel Koliqi, Martin Gjoka, Lec Kurti etj. Në skenë edhe “Arbëresha”, opera e parë historike shqiptare

Vepra të rralla, dorëshkrime të panjohura që kanë fjetur thuajse për një shekull risillen për publikun në vitin jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë. Koncerti “Pena e muziktarëve rilindas”, është ngjitur për publikun në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, interpretuar nga orkestra dhe solistët e këtij institucioni nën dirigjimin e drejtorit të këtij teatri, maestro Zhani Cikos. Arie të rralla, romanca dramatike dhe nota lirizmi janë sjellë përmes krijimtarisë së Palok Kurtit, Frano Ndojës, Fan Nolit, Lec Kurtit, Martin Gjokës, Thoma Nasit, Murat Shehut, Mikel Koliqit, Prenk Jakovës dhe Kristo Konos.

Një pjesë e mirë e repertorit u prezantua për të parën herë para publikut nën interpretimin e Irini Nikollës, Ylber Gjinit, Vikena Kamenicës, Sonila Baboçit, Shpresa Bekës, Eriona Gjyzelit, Irida Dragotit, Denis Skurës, Solen Allës. Në piano interpretuan Lindita Kotorri dhe Ardita Bufaj, ndërsa kormaestër ishte Dritan Lumshi. Koncerti sjell në vëmendje një krijimtari të panjohur për dekada me radhë, por të një rëndësie të veçantë, lidhur kjo edhe me momentin historik dhe për faktin se janë veprat e rilindësve. Për publikun erdhi muzika e kompozuar në periudhën e rilindjes, duke vërtetuar se në shekullin e XIX nuk janë shkruar vetëm poema patriotike. Në koncert vjen edhe dokumenti i parë i muzikës shqiptare, që i përket vitit 1881, “Bashkimi Shqipërisë”, “Himni i Organizatës ‘Vatra’” deri tek krijimet e viteve 1930-1940. Në repertor ka vepra të autorëve Palok Kurti (1860-1920), Fan Noli (1882-1965), Lec Kurti (1884-1948), Martin Gjoka (1890-1940), Thoma Nasi (1892-1964), Murat Shehu (1897-1978), Mikel Koliqi (1902-1997), Prenk Jakova dhe Kristo Kono, një pjesë e të cilave interpretohen për herë të parë. Kështu interpretohet nga sopranoja Shpresa Beka, opera e parë shqiptare “Arbëresha” e shkruar prej Lec Kurtit në vitin 1915. Nuk dihet në çfarë rrethanash është shkruar kjo vepër, madje nuk dihet nëse është vënë ndonjëherë në skenë, por historikisht “Arbëreshja” është opera e parë e shkruar nga një kompozitor shqiptar. Nga dorëshkrimet e mbetura mësohet se Lec Kurti kompozoi muzikë deri në vitet 1916 dhe më pas iu kushtua tërësisht diplomacisë dhe politikës. Nga kjo opera kanë mbetur vetëm 11 fashikuj nga akti i parë. Edhe sopranoja Irini Nikolla interpreton vepra me muzikë nga Lec Kurti e konkretisht “Romanca dramatike” me tekst të Staçhettit, pjesë që vjen me nota lirike. Ndërsa baritoni, Ylber Gjini, interpreton një libret origjinal të shkruar nga Gjergj Fishta. Këto vepra janë “rizbuluar” pas dy vitesh hulumtime në Arkivin e Shtetit (AQSH) nga mjeshtri Zhani Ciko, i cili ka arritur të gjejë partiturat e tyre. Gjetja e këtyre veprave të kompozuara nga autorë shqiptarë në shekullin e XIX-të është vërtet surprizuese për vlerën që mbartin, por, sipas Cikos, aty zbulohen edhe autorë krijues me mendim shumë të thellë. “Është një zbulim vlerash që të bën krenar, të ndihesh i detyruar ndaj një krijimtarie që është mohuar dhe që vërtetë ka autorë të vdekur, po jetojnë vlerat e veprave”, shprehet Ciko. Koncerti “Pena e muziktarëve rilindës” vjen si bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës dhe Teatrit të Operas, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

B.Goce

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›