Veprimtaritë që konsiderohen të rrezikshme për mjedisin

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar listën e veprimtarive që konsiderohen të rrezikshme për mjedisin, duke përcaktuar aktivitetet ekonomike dhe profesionale që, për shkak të natyrës së rrezikut, përmasave, teknologjisë apo substancave të përdorura, mund të shkaktojnë dëme mjedisore.
Vendimi nr. 666, datë 2 shtator 2026, i botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton se si veprimtari të rrezikshme për mjedisin konsiderohen ato që mund të shkaktojnë dëme ndaj burimeve natyrore, ndotje të ujërave, tokës dhe ajrit, dëmtim të biodiversitetit dhe habitateve të mbrojtura, si dhe rrezik për shëndetin e njeriut.
Në listën e miratuar përfshihen të gjitha instalimet që pajisen me leje mjedisi të tipit A, me përjashtim të instalimeve ose pjesëve të tyre që përdoren për kërkim, zhvillim dhe testim të produkteve dhe proceseve të reja.
Në këtë kategori përfshihen gjithashtu veprimtaritë e menaxhimit të integruar të mbetjeve, përfshirë grumbullimin, transportin, rikuperimin dhe asgjësimin e mbetjeve dhe mbetjeve të rrezikshme.
Lista përfshin edhe funksionimin e landfilleve dhe impianteve të incenerimit ose bashkincenerimit të mbetjeve.
Si veprimtari të rrezikshme konsiderohen edhe instalimet dhe aktivitetet me shkarkime në ujërat sipërfaqësore ose nëntokësore, si dhe shkarkimi apo injektimi i ndotësve në këto trupa ujorë, kur për to kërkohet leje ose autorizim.
Në listë përfshihet edhe nxjerrja e ujit dhe krijimi i rezervuarëve të ujit që kërkojnë leje ose autorizim, sipas legjislacionit për burimet ujore.
Një kategori tjetër lidhet me veprimtaritë industriale, tregtare dhe bujqësore që përfshijnë prodhimin, përdorimin, ruajtjen, përpunimin, mbushjen, lëshimin në mjedis apo transportin brenda vendit të substancave dhe produkteve të klasifikuara si të rrezikshme. Këtu përfshihen edhe produktet për mbrojtjen e bimëve dhe produktet biocide.
Lista përfshin gjithashtu transportin rrugor, hekurudhor, detar, lumor dhe ajror të mallrave të rrezikshme ose ndotëse, si dhe funksionimin e instalimeve industriale që shkarkojnë substanca ndotëse në ajër dhe pajisen me leje mjedisi.
Në kategoritë e përcaktuara nga vendimi janë edhe veprimtaritë që lidhen me përdorimin, transportin, lëshimin e qëllimshëm në mjedis dhe vënien në treg të organizmave të modifikuar gjenetikisht, si dhe transportin ndërkufitar të mbetjeve, përfshirë eksportin, importin dhe tranzitin.
Gjithashtu, si veprimtari të rrezikshme për mjedisin klasifikohen aktivitetet që lidhen me menaxhimin e mbetjeve nga industritë nxjerrëse dhe ato që lidhen me kapjen dhe depozitimin gjeologjik të dioksidit të karbonit (CO2).
Vendimi synon edhe përafrimin e pjesshëm me Direktivën 2004/35/EC të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, për përgjegjësinë mjedisore në lidhje me parandalimin dhe riparimin e dëmit mjedisor.
Zbatimi i vendimit i është ngarkuar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Lista zbatohet pa cenuar detyrimet e tjera që rrjedhin nga legjislacioni sektorial në fuqi.
/gj.m/r.e/