E Diel, 1 Nëntor 2026

Vera Pelaj: Pengu im i vetëm është që nuk munda të intervistoj Petro Markon

Rrëfehet gazetarja Vera Pelaj: Rrugëtimi im drejt gazetarisë.

Bisedoi: Raimonda MOISIU

179933_3794237848071_2080602280_nËshtë një nga gazetaret e njohura, më aktive e më të admirueshmet e shtypit kosovar dhe atij shqiptar në tërësi, në të dyja kahet e kufirit Shqipëri- Kosovë, në diasporë e trevat shqiptare. E re në moshë, energjike, e aftë, e zgjuar, e fortë, bujare, me talent e profesionalizëm, e dashuruar me profesionin, Vera Pelaj ka përmbushur ëndrrën e saj të fëmijërisë për të qenë gazetare. Tashmë pasi ajo e ka realizuar këtë ëndërr, me shumë sfida e shumëherë i ndjekur nga një vullnet premtues drejt profesionit, misioni i saj është të mbajë audiencën të informuar në ndryshimet social ekonomike, kulturore e artistike,ngjarjet historike e aktuale. Në vitin 2002 gazetarja Vera Pelaj filloi punë në Radio-Televizionin e Kosovës, përkatësisht në radion Blue Sky, tashmë Radio-Kosova 2, gazetare dhe drejtuese e emisionit për letërsinë Fokus letrar. Krahas këtij emisioni është edhe prezantuese e rregullt e lajmeve qendrore në programin e parë dhe të dytë të Radio-Kosovës. Ka intervistuar udhëheqës politikë, ka qenë në kërkim të historive të heronjve të zakonshëm që sollën Pavarësinë e Kosovës, e paepur dhe shumë e informuar me eksperiencat e saj ka intervistuar në emisionin Fokus letrar, për herë të parë Prof. Agim Vinca, e më pas korifejtë e letrave shqipe, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli dhe Fatos Arapi, poetin Xhevahir Spahiu, ish presidentin Alfred Moisiu, e shumë e shumë personalitete të tjera jo vetëm në lëmin e letërsisë, por edhe të profesioneve të tjera. Gazetarja Vera Pelaj, është e njohur nga publiku shqiptar përmes shkrimeve dhe intervistave të shumta, të cilat janë botuar në gazetat dhe revistat shqiptare. Libri Kaleidoskop i letërsisë shqiptare, është libri i saj i parë, përmbledhje me intervista me shkrimtarët më të njohur nga të gjitha trevat shqiptare.

Përshëndetje Vera jeni një penë gazetareske mjaft e njohur në Kosovë, në Tiranë e në krejt trojet shqiptare. A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetare? Çfarë ka ndikuar te ju më shumë apo diçka e papritur që ju zgjodhët të bëni gazetaren?
Thonë se kur lind fëmija, vetë natyra e orienton nga e ardhmja. I ka ato parandjenja dhe talentin brenda vetes për atë se me çka do të merret gjatë jetës së tij. Unë, kur isha vogëlushe, merrja gazetat dhe bëja ushtrime duke imagjinuar se jam para mikrofonit duke lexuar lajme. Me orë të tëra e bëja këtë dhe ëndërroja se një ditë do të bëhem folëse e famshme. Ishte ëndrra e fëmijërisë e që ndjeka rrugën për ta realizuar. Me shumë sfida e shumëherë e ndjekur nga një vullnet premtues drejt këtij profesioni. Kur mbarova gjimnazin, kisha dëshirë të flaktë të studioja gazetarinë në Tiranë (në Universitetin e Prishtinës atëherë nuk ekzistonin këto studime), por nuk kisha kushte ekonomike. Ishim shtatë fëmijë. Atëherë babai im punonte arsimtar i matematikës në kohën kur regjimi pushtues serb mbyllte shkollat shqipe dhe kur mësimdhënësit shqiptarë angazhoheshin vullnetarisht ta mbanin gjallë arsimin dhe, rrallë ndonjëherë, merrnin paga pune nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës. Ishte ajo kohë kur ne, si brez, ishim të pafat. Ishim nën pushtimin serb, na ishin mbyllur objektet shkollore e universitare dhe mësonim nëpër shtëpi private. Megjithatë, në atë kohë të pashpresë, vazhdova studimet për letërsinë, që e doja dhe që mendoja se është drejtimi më i përafërt me gazetarinë. Shpesh me shokët e shoqet studente thonim se gjithë këtë investim po e bëjmë, po i lëmë dhe keq edhe ekonomitë familjare, kurse kur ti mbarojmë studimet çka do të bëjmë??? Kur kaloja nga ndërtesa e Radio Prishtinës dhe shkoja në ligjërata në shtëpitë private, thoja me vete: athua ndonjëherë do të vij dita të punoj dhe unë aty?!!! Ndodhi lufta shumë shpejtë, u bë tranzicion i paimagjinueshëm dhe në vitin 2002 fillova punën në radion Blue Sky (tani Radio Kosova 2). Isha shumë e lumtur dhe i thoja vetes se jo gjithmonë ëndrrat nuk realizohen. Meqë nuk kisha përvojë në asnjë punë e as në gazetari, e mora punën shumë seriozisht dhe tanimë nuk e kam problem. Sigurisht që fillimi ishte i vështirë, rregullat e të bërit të lajmit, mësimi që të largohesha nga fjalori i bukur e i figurshëm, që isha mësuar me letërsinë, në mënyrë që lajmi të jetë lajm, objektiv dhe pa zbukurime.
A mund të na përshkruani shkurtimisht Prishtinën, si zemra e inteligjencës kosovare, por edhe ku ndërthuren ngjarje, aktivitete të ndryshme nga jeta socio-politike- ekonomike-kulturore, dhe juve iu duhet të jeni aty ku është lajmi, informacioni , për ta përcjellë atë me kohë dhe saktë?
Jo vetëm Prishtinës, por edhe qendrave të tjera të Kosovës mund tua japim një epitet të tillë, në të cilat organizohen një numër i madh i aktiviteteve kulturore, sociale e politike. Sigurisht që Prishtina, si kryeqendër, është më tepër e përfshirë me ngjarje që ndërthuren nga ato politike, e deri te ato kulturore e sociale. Aktivitetet janë nga më të ndryshmet, ndërsa unë merrem kryesisht me ndjekjen e ngjarjeve nga zhvillimet e shumta dhe të vyeshme letrare. Përpiqem sigurisht që të jem gjithmonë në kohë dhe objektive për ta përçuar lajmin tek dëgjuesi. Prishtina ka Bibliotekën Kombëtare në hapësirën e bukur të së cilës organizohen përurime librash dhe aktivitetesh letrare. Ka Teatrin Kombëtar, ku shfaqen drama të shpeshta, premiera baleti etj. Kur flasim për aktivietet politike dhe sociale, duhet patjetër ta kemi parasysh që jemi në kohë tranzicioni, kemi vetëm 5 vjet shtet dhe kemi dhe shumë e shumë për të bërë…
Ju keni një karrierë të gjatë në fushën e gazetarisë, që do të thotë se keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca juaj?
Sado që ju thoni se kam karrierë të gjatë, gjithmonë e konsideroj se jam në fillim të kësaj rruge, sepse secila ditë, secili çast, ka diçka të re dhe kjo bën të më mbajë gjithnjë në fillim të profesionit. Por, gjithnjë kam frikën nga vetëcensura e që është një shëmti profesionale. Kjo frikë më ndihmon mua dhe kolegët e mi të mos biem në kurthin censurave të anëve tjera, të cilat janë jo të pakëta. Përpiqem gjithnjë të jem sa më objektive në bërjen e lajmit dhe në leximin e tij. Mënyra si e transmeton lajmin ka shumë rëndësi ngase dhe ajo tregon se sa objektiv je. Dhe gjatë intervistave gjithashtu përpiqem të jem neutrale dhe objektive.
Çfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, kosovare, Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë perëndimore, bazuar në ato çka ju keni lexuar, dhënë lajme apo vënë re?
Më tepër mund të flasë për gazetarinë radiofonike meqë jam pjesë e saj. Në Kosovë, roli i gazetarit dhe i medias në përgjithësi është profesion që e përqafojnë dhe e ushtrojnë me dëshirën më të madhe për tu profesionalizuar, për tu informuar për gjithçka që ndodh, për të mirë dhe për të keq në realitetin shqiptar. Nga eksperienca e gazetarisë, që nga koha e ish Jugosllavisë, në Kosovë ende mendojnë dhe punojnë që informacioni të jetë në shërbim të qytetarit. Ky është edhe misioni i gazetarit pa e përjashtuar edhe edukimin e tyre. Sikur të tërhiqja një paralele, sa i përket karakterit të gazetarisë në Kosovë dhe në Shqipëri, do të thoja se në Shqipëri dominon gazetaria sensacionale, kurse në Kosovë jemi më të përmbajtur. Sensacioni dhe mosverifikimi i lajmit nga disa burime, e dëmton etikën gazetareske. Në Kosovë, siç thashë, jemi më të përmbajtur dhe kemi përgjegjësi ndoshta më të madhe, sepse edhe merren masa të drejta ndëshkimi ndaj gazetarit sa herë vërehet

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›