HISTORI NGA GURI I BESËS
Ndue Dedaj
Për dikë që është marrë qysh herët me shkrime kushtuar njerëzve të mineraleve, duke dëgjuar mes tyre ndodhi nga më interesantet, rikthimi sa herë tek ata, kur janë në moshë të shtyrë, apo dhe kur nuk rrojnë më, ndodh me të njëjtin nderim. Në mos dhe me më shumë, pasi kujtesa nis e shuhet dhe atëherë mbetën vetëm arkivat, që dihet se nuk mund të jenë të mjaftë, kur është fjala për të sjellë historitë njerëzore. Ana tjetër është se tashmë personazhet e atyre kohëve nuk janë më në zulmën e vet, nuk shkëlqejnë nga kurrëfarë rrethanash të jashtme, politike etj., por nëse kanë mbetur dhe tash të ndritshëm, kjo është prej vetvetes, asaj që kanë bërë në shërbim të vendit.
Përsiatje rreth librit Njeriu i një kohe të Vasil Pashkos
Kam qenë fëmijë 12-vjeçar, kur e kam takuar për herë të parë, me 1969, Frrok Pjetër Gegën, njeriun e librit Njeriu i një kohe të Vasil Pashkos, kur ai kishte ardhur në zonën time në një përkujtim, më saktë kishte qenë thjesht një dhënie dore dhe një buzëqeshje e tij. Kishte një fytyrë të dashur dhe unë kështu e fiksova përgjithnjë, ndonëse nuk e takova më asnjëherë në ato kohë, kur ai ishte në detyra të rëndësishme shtetërore. Nuk e patëm takuar as si maturë e gjimnazit të Rrëshenit në vitin 1975, kur vizituam Kombinatin e Autotraktorëve në Tiranë, ku ai ishte Zëvendës Drejtor, pasi atë ditë nuk ishte aty. Kështu ndodh nganjëherë në jetë, me disa njerëz që mund të ishe pranë, qëllon që nuk shihesh nga afër, por si me thënë, veç nga fotografia. Do ta takoja Frrokun sërish, pas tridhjetë vjetësh, aty rreth vitit Dy Mijë, pak minuta, në këmbë, në një veprimtari mirditore në Tiranë, në Muzeun Historik Kombëtar, ku ai tashmë ishte në pension, i moshuar dhe jo fort mirë nga shëndeti. Po ajo fisnikëri, po ajo buzëqeshje e çiltër dhe si gjithnjë i matur e fjalëmirë. Thjesht dëgjova atë ditë prej tij fjalë përgëzuese për botimet e reja që po bëheshin për Mirditën. E megjithëse kishte ndodhur që nuk ishim takuar më qysh nga fëmijëria ime (nëse ai atëherë mund të quhej takim), më dukej se me atë njëri kishim qenë përherë afër, ndoshta ngaqë kisha dëgjuar vetëm mirë për të. Në të vërtetë, në popull, rrallë dëgjoje mirë për drejtuesit politikë të asaj kohe, e mbase të asnjë kohe. Dallim bënin disa drejtues të pushtetit, institucioneve shtetërore, ekonomisë, veçanarisht të industrisë së bakrit, ku Frrok Pjetër Gega ishte ndër të parët dhe më të suksesshmit, si kryemekanik, inxhinier e drejtor i Uzinës së Bakrit Rubik. Ai në vitet 60-70 të shekullit të kaluar ishte njëlloj i plotfuqishmi shtetëror për bakrin në minierat dhe uzinat e Veriut, por mbi të gjitha modeli i një njeriu të formuar, me këmbët në traditën unike të vendlindjes dhe krahët në kohën e ndryshimeve social-kulturore e ekonomike të pas Luftës. Ndaj dhe e mirëprita redaktimin e librit me kujtime dhe refleksione kushtuar atij. Por duket se dhe me bartësit e tjerë të këtij libri nuk mund të ndodhte ndryshe, veçse të njiheshim dhe me ta nga mosnjohja. Edhe autorin, Vasil Pashkon, e kisha dëgjuar qysh herët, por nuk e kisha takuar, ngaqë ai rron në Korçë. I diplomuar në Bashkimin Sovjetik si inxhinier metalurg në mesin e viteve 50, kontribues i palodhur në progresin e industrisë së bakrit në Mirditë, më pas profesor i Universitetit të Tiranës dhe shef i Katedrës së Metalurgjisë, në vitet 70, është po ashtu një personazh më vete. E ndiqte nga pas një fat i çuditshëm, martesa më një grua ruse, Valentinën, me të cilën qe martuar në Rubik para prishjes me BS, për çka diku në këtë libër shkruan: Në vitin 1977 unë u largova nga Tirana familjarisht, në të vërtetë më larguan, duke thënë se Udhëheqja kërkon garanci, a thua se nga gruaja ime do ti vinte ndonjë rrezik udhëheqjes së shtetit!? E zbatuam atë urdhër largimi familjar në heshtje, ku ashtu si ne, nga kryeqyteti u larguan edhe të tjerë. Kjo ishte drama sa e dukshme, aq e padukshme e kohës, e intelektualit në regjimin komunist. Përmes saj ka lëvizur jeta e njerëzve, në tehun e shpatës së diktaturës; veçse dhe kur kishte ftohje nga shteti me ndonjërin, miqësia e tjetrit me të ishte e pandërruar. Sepse dinjiteti njerëzor ngrihet mbi sistemet politike. Autori i librit thotë se Rubiku, për shkak të banorëve nga i gjithë vendi, ishte qyteti i të gjithë shqiptarëve. Sado metaforike të ngjajë kjo, është e vertetë. Jo vetëm Rubiku, por dhe Memaliaj, Patosi, Bulqiza, Laçi, Fushë-Arrësi të tillë ishin, qytete me banorë nga i gjithë vendi. Është një veçori e qytetërimit shqiptar të vonë, që nuk do të kalojë pa u mbajtur shënim nga historia, pasi krijoi një solidaritet të ri ndër shqiptarë, të cilët do të dilnin masivisht nga trevat ku kishin lindur, për të punuar në të tjera rajone të Atdheut. Prandaj ka aq shumë kujtime të një lloji të veçantë, të korçarit për mirditorët, vlonjatit për tropojanët, pukjanit për gjirokastritët etj. Ndaj libri që lexuesi po merr në dorë është më shumë se jetëshkrim i një njeriu. Është në të vërtetë historia e një qyteti, sa i vjetër për nga qytetërimi benediktin e françeskan, aq i ri për nga pallatet e punëtorëve, galeritë dhe uzinat e bakrit. Është një shoqëri tjetër që po ndërtohej në botën e Lindjes pas Luftës së Dytë, një klasë punëtore që rronte si një familje në qytezat e saj të punës. Frrok Pjetër Gega ishte njëri nga idealistët e paepur që e ndërtoi me duart e tij këtë punëtorí të re, siç e kishte parë dhe kur kishte qenë për studime të larta, për inxhinieri mekanike, në Universitetin Bauman në Moskë, nga më të njohurit e llojit të tij në botë. Thurja e librit si histori e një komuniteti metalpunuesish, e ka nxjerrë natyrshëm në reliev dhe vetë figurën e tij, si një shqiptar i vyer, i dalë prej genit mirditas, që pushtetin që mori me meritë nuk e përdori për të sunduar mbi të tjerët, siç ka ndodhur jo rrallë ndër ne.
Guri i Besës në trevën e besës
Lugina e Rubikut i përcillte motmotet mes ekzotikës së jetës, pa ndonjë ritëm të veçantë. Tymonin shtëpitë e Bulgrit e Kryezezit, në të dy anët e Fanit, që shtyhej poshtë drejt detit, herë i qetë e i kaltër, herë i trazuar e i turbullt. Kishte aq pak ura të gurta mbi të. Mbi brigje në të rrallë vareshin ura të drunjta, që herë pas here i përlanin ujërat e dimrave. Por do të vinte dita që lugina të dilte nga legjenda e vet. Shekulli i njëzetë kishte hyrë ndryshe në jetën e saj. Do të trokiste çëkiçi i gjeologut, që do të shpiente hap pas hapi drejt minieraleve të fshehura në thellësi të tokës. Pas shumë shekujsh, shqiptarët po hynin nën-tokë, atje ku dikur kishin pas hyrë pirustët, apo minatorët e mesjetës të minierave të Bulgjrit e Fandit. E kaluara ishte aty, po thuajse pa gjurmë, vetëm ca toponime të lashta dhe ndonjë zgjyrë shkritoresh (furrash) bakri në bjeshkë. Gjeologu shkodran Zef Boriçi, i ati i Loros së famshëm të futbollit, duhej ti kishte lexuar letrat e vjetra të gjeologëve të huaj, Nopçës, Novakut etj., që kishte nisur kërkimet në Rubik dhe po shkohej drejt një sipërmarrje minerare nga italianët. Këta ngritën një qytezë në breg të Fanit, me pak ndërtesa, sollën pajisjet dhe mjeshtrit prej matanë Adriatikut. Drejtori, teknikët, kovaçët, elektricistët, fonditorët, në atë mes të viteve 30 të shekullit XX, ishin të gjithë italianë, vetëm punëtorët ishin vendës. Ajo barthamë punëtorie e galerive të Rubikut, në fillim prej më pak se njëqind vetësh, mund të konsiderohet si fidanishtja e parë e klasës punëtore në Shqipëri, bashkë me minatorët e bitumit të Selenicës e naftëtarët nismëtarë të Kuçovës. Ka hyrë në histori dhe Greva e Minatorëve të Rubikut, në gushtin e vitit 1938, kur rreth 400 punëtorë protestonin për të drejtat e tyre, kushtet e punës, paga më të larta, si në të gjithë botën e qytetëruar. Me një gurë bese në duar. Në trevën e mirënjohur të besës. Me bakrin Rubiku do të fitonte një d