Vera e kandidatëve të nxehtë

Në sytë e ndërtimtarëve, tregtarëve, investitorëve në patundshmëri dhe mafinë ordinere, lufta për Prishtinën do të jetë betejë për sukses apo dështim.
Ditët e korrikut po dergjen pa e vërejtur shumë zhegun e madh e të shumëpritur. Ishalla hiç nuk vjen kësaj vere, sepse vjeshtën edhe ashtu presim ta kemi te nxehtë. Gushti do të jetë muaj i vdekur, por tek ne rritjet e temperaturës shënohen në shtator, me sezonin e grevave.
Biznesmenët dhe distributorët e gjësendeve të konsumit të gjerë ka kohë që ankohen se nuk ka kesh në ekonomi. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një rënie të të ardhurave nga remitencat - dërgesat monetare të kosovarëve emigrantë që ndihmojnë kushërinjtë e tyre në Kosovë. Mungesa eventuale e të ardhurave shtesë që i ndihmojnë kosovarët në përballim të gjendjes, përndryshe mizore ekonomike, do të hetohet pas muajve të verës dhe këtë vit stresi do të derdhet mu në muajt para zgjedhjeve komunale, në fund të nëntorit.
Në verën e lagur të 2009’it, peizazhi politik është mjaft i qartë. Në nivel kombëtar, gjërat pak a shumë janë stabilizuar. Gjysma e popullatës është e zhgënjyer tërësisht dhe nuk do të votojë fare. Në gjysmën tjetër që edhe voton herë pas here, PDK’ja ka shumicën stabile të votuesve të vetë, LDK’ja është në rënie të lehtë, apo ndoshta më mirë të themi - suspendim të rënies totale, AAK’ja ka ngritje të lehtë, Pacolli është aty ku ka qenë, të tjerët vështirë se kapërcejnë pragun në nivel kombëtar.
Por, relacionet mes partive në nivel kombëtar fshehin ca mikrofenomene paraelektorale në nivel lokal.
Sipas IKD’së, dhe rrëfimeve anekdotale që i dëgjojmë nga mysafirët dhe aktivistët e Prizrenit, kryetari i atjeshëm i Komunës nuk ka arritur ta konsolidojë fitoren e zgjedhjeve të kaluara dhe me gjasë do t’i humbasë zgjedhjet e sivjetme, pos nëse apatia qytetare në Prizren arrin nivelin e mosparticipimit absolut në zgjedhje. Është ironike që Eqrem Kryeziu është njeriu më atraktiv për votuesit e Prizrenit.
Suhareka e afërt, bastion i hershëm dhe disa kanë besuar - i përjetshëm - i LDK’së, herën e kaluar për pak aprovoi thirrjen elektorale të PDK’së: “Bashohu edhe ti me ne”. Enver Hoxhaj për një fije i humbi zgjedhjet dhe u bë ministër i Qeverisë, ndër më të mirët bile. Mirëpo, LDK nuk luftoi shumë për t’i konsoliduar radhët.
Ndoshta kalimet e disa anëtarëve të lartë të LDK’së në AAK nuk kanë qenë aq tragjike, por kjo nuk vlen për Suharekën. Blerim Kuçi, kandidati i AAK’së për kryetarllëk të saj, ka gjasa të shkaktojë një lëvizje të vockël tektonike. Suhareka ka fshatra që kanë pasur shumë luftëtarë në FARK dhe një pjesë e popullatës do ta shikon me simpati linjën konfrontuese që ka marrë udhëheqësia e AAK’së ndaj PDK’së.
Në Gjakovë, për të satën herë po përgatitet një iniciativë qytetare që synon ta prishë balancën midis LDK’së dhe AAK’së. Mendimet janë të ndara në dysh: ca thonë që Pal Lekaj ka arritur të mbajë Gjakovën, disa tjerë thonë se Gjakova do t’i kthehet LDK’së. E njëjta vlen edhe për Pejën. Liderët e LDK’së e konsiderojnë Pejën si “të kthyer”, edhe pse bindje të tilla ata kanë pasur edhe për zgjedhje kombëtare, për ta korrur në fund humbjen më të thellë politike të LDK’së në historinë e saj.
Ç’është e vërteta, e vetmja komunë ku LDK’ja i ka gjasat më të mëdha të mbajë pushtetin është margaritari i zgjedhjeve - Prishtina. Kryetari i ardhshëm i komunës më të pasur kosovare do të ekzekutojë plane dhe ligje sipas Ligjit të ri për Prishtinën, i cili përkundër zvarritjeve, pas zgjedhjeve do të aprovohet doemos. Ligji i jep autonomi të gjerë kryeqytetit dhe është platformë për ta bërë Komunën të jetë më afër qytetarëve në projekte dhe shërbime. Kjo e fundit natyrisht vlen vetëm në teori.
Në praktikë, Prishtina e fuqizuar do të ketë buxhet të fuqizuar dhe mundësi autonome të mbledhjes së të ardhurave tjera, me koncesione apo privatizim.
S’do mend se në sytë e ndërtimtarëve, tregtarëve, investitorëve në patundshmëri dhe mafinë ordinere, lufta për Prishtinën do të jetë betejë për sukses apo dështim.
Isa Mustafa nuk qëndron keq, sepse nuk ka kandidat të fortë nga oponentët. Kah fundi i mandatit filloi realizimin e ca projekteve që do t’i përdorë maksimalisht për fushatë, edhe pse është fare e qartë për qytetarët e Prishtinës se kualiteti i jetës në kryeqytet nuk është duke u përmirësuar. por duke u përkeqësuar.
Investimet që po bëhen shpesh janë të kualitetit të dyshimtë dhe ad hoc, pa ndonjë bazë. Plani Strategjik 2040, i bërë shpejt e shpejt, sot është i pazbatueshëm dhe jashtë asaj që ka ndodhë në terren.
“Planet e vogla”, ato të mëhallëve, që është dashur të krijojnë rregull në lagjet e kryeqytetit, janë të pazbatueshme, sepse janë bërë keq, ose ëndërrimtare deri në pazbatueshmëri.
Këto janë problemet në perspektiven e zogut, pasi nëse e marrim perspektivën e bretkosës, e shohim që me të vërtetë jemi në një moçal urbanistik. Isa Mustafa duhet ta dijë: jetesa në Prishtinë nuk është e mirë, e shëndetshme dhe e rehatshme, dhe në këto kategori ai nuk ka sjellë ndonjë ndryshim.
Megjithatë, Mustafa ka arritur së paku të ruhet nga balta që e ka kapluar një pjesë të LDK’së dhe duket dinjitetshëm në sytë e shumë qytetarëve. Pos ndonjë favori të aty-këtushëm për miqtë, të cilët i ka pajisur me leje për të ndërtuar ndërtesa qesharakisht të jashtëligjshme, në kontekstin e akuzave që bëhen në skenën politike kosovare, Mustafa duket si engjëll.
Në sondazhet e ndryshme, Ministri i Arsimit Enver Hoxhaj qëndron lartë. Mirëpo, dyshoj se ai do ta rrezikojë dhe ta ndërpresë punën e bërë në arsim, për të luftuar për karrigen e kryeqytetit. PDK’së po i mbyllet dritarja e mundësisë për ta prezantuar një kandidat kredibil. Fytyrat më të popullarizuara nuk do të kandidohen, të tjerët Isa “i sosë”, siç do të ishte shprehur Kodra e Trimave lëdëkëiste.
Dy kandidatë që mund të krijojnë opsion real për votuesit janë Behgjet Pacolli dhe Blerim Shala.
Pacolli ka armiq dhe skeptikë, por ka edhe përkrahës. Shumëkush do të besojë se Prishtina ka nevojë për një dorë të fortë, një pasanik të pashoq, që do ta realizonte ëndrrën e tij të vjetër për të udhëhequr e investuar në Kosovë. Por, nuk jam shumë i bindur se Pacolli e sheh veten si kryetar komune, rrethekuar me një milion e një probleme, prej gypave të kanalizimit deri tek çerdhet e fëmijëve. Përmendeni pozitën e Kryetarit të Shtetit, atëherë ndoshta do të zgjohet vëmendja e tij.
Blerim Shala mbetet në fund si një opsion që është ende enigmatik. Nuk e dimë nëse po e konsideron seriozisht kandidaturën apo bëhet fjalë për një spekulim të kotë. Ekspertët e sondazheve thonë ai se ka potencial elektoral në shumë shtresa, një parakusht për çfarëdo suksesi eventual. Ka të tillë që e shohin si personazh jo të zakonshëm në skenën politike. Gjatë vitit, Shala shkruan artikuj në tri gazeta të përditshme, shkruan raporte dhe projekte, fjalime dhe propozime, deri tek recensionet e rock albumeve dhe poezi. Nuk di nëse është kualitet i domosdoshëm për menaxhim të qytetit. Po ashtu, nuk di nëse do të arrijë t’i bindë qytetarët se lufta katërvjeçare me pushtetin qendror do të jetë e mirë për kryeqytetin.
Megjithatë, Blerim Shala mbetet opsioni i vetëm i këtij momenti për ta nxehur pak verën politike. Pos nëse dikush nuk ka ndonjë xhoker të fshehur mes letrash.
...