Vera e nxehtë dhe e gjatë e Berluskonit
Silvio Berluskoni ka arritur që t’u mbijetojë me lehtësi një sërë skandalesh nga ato për korrupsion te skandalet seksuale. Por tani, një revoltë e re e krijuar nga ish-aleati më i afërt i tij, Fini, përbën kërcënimin më të rëndësishëm të pushtetit të tij si Kryeministër. Të shumtë janë ata që mendojnë se më në fund Berluskoni ndodhet në fund të udhës politike. Por ai mendon ende për mbijetesë
Ajo që ndodhi në dhomën e deputetëve të mërkurën e kaluar tregoi shenjat e qarta të një qeverie që është në prag të shembjes në Itali: anëtarët e Parlamentit u çuan nga karriget e tyre prej lëkure, ia drejtuan gishtat njëri-tjetrit duke bërtitur e ulëritur, duke harruar aleancat e vjetra e duke krijuar të reja në kaos e sipër. Madje, në këtë situatë një nga mbështetësit e Berluskonit arriti që të qëllonte një nga deputetët e grupit të Finit që guxoi t’i bënte karshillëk. Bëhet fjalë për një shkëputje të madhe reale të aleatit të Berluskonit nga pushteti i këtij të fundit dhe krijimit të një fraksioni që ndodhet në kundërshti me shumicën e qeverisë duke i shkaktuar asaj përjetimin e njërës prej krizave më të mëdha të deritanishme. Ajo që ndodhi në dhomën e deputetëve, që është edhe dhoma e ulët e Parlamentit italian, është vetëm fillimi i asaj që mund të ndodhë në Itali në vjeshtën që pritet të jetë shumë “më e nxehtë” se vera në terma politikë.
Në këto kushte, gjithçka duket e mundshme edhe zgjedhja e parakohshme. Kriza u shkaktua nga dalja e Finit, presidenti i Dhomës së Deputetëve, nga partia e Berluskonit, Populli i Lirisë. Kryeministri Berluskoni ishte në fakt në njëfarë mënyre ai që i dha fund një aleance të gjatë me ish-fashistin me të cilin kishte bërë një pjesë shumë të madhe të rrugës politike. Dhe kjo ndodhi kur ai vendosi që Fini ishte i papranueshëm dhe “i papërputhshëm” me politikën e partisë. E ndërsa çarja mes Berluskonit dhe Finit është e qartë, situata në Parlament nuk është më aq e qartë. Deri më tani 33 anëtarë të Dhomës së Ulët të Parlamentit dhe 10 senatorë kanë ndjekur linjën e Finit dhe kanë formuar një grup parlamentar, E ardhmja dhe Liria për Italinë. Në këto kushte, Kryeministri ka humbur 6 vota nga shumica parlamentare. Si për ironi, është pikërisht një nga mbështetësit më të afërt të Berluskonit ai që aktualisht po ia bën atij qeverisjen e vendit gati të pamundur. Fini është një ish-fashist që e ka kritikuar kohët e fundit shpesh Berluskonin për stilin prej monarku të qeverisjes së vendit, konceptin e dyshimtë që ka për moralin dhe për problemet e shumta që ka me drejtësinë.
Fini, 16 vjet më i ri se Berluskoni, është shndërruar në një rebel, në një “tradhtar” në sytë e ish-mbështetësit të tij. Për muaj me radhë Fini ka bërë gjithë sa kishte mundësi për të shkatërruar projektet e Kryeministrit, veçanërisht atë që quhet ligji i përgjimeve që është konceptuar për të kufizuar aftësinë e gjykatave dhe hetuesve për të marrë si provë përgjimet telefonike dhe përgjime të llojeve të tjera. Ky ligj synon edhe kufizimin e medias në kryerjen e detyrave të saj kushtetuese pra investigative. Fini është shndërruar gjatë gjithë kësaj kohe në një figurë politike gjithnjë e më liberale dhe leftiste, duke dalë hapur në mbështetje të të drejtave të abortit dhe njohjes së ligjshme të homoseksualëve, si dhe duke kritikuar ashpër Legën e Veriut një parti ksenofobe që është ndërkohë një nga partneret qeveritare të Berluskonit. Por mbi të gjitha ai bëri atë që ishte më parë e paimagjinueshme, pra sfidën e hapur dhe në publik ndaj Berluskonit duke dëmtuar rëndë reputacionin e tij. Ndoshta Fini i ndërmori të gjitha këto sulme duke menduar se prej kohësh Berluskoni ndodhet në perëndim të karrierës së tij politike. Ai vetë ka ndenjur për një kohë shumë të gjatë në hijen e Berluskonit që personalisht nuk ka asnjë gjasë që të heqë dorë me vullnet të lirë nga pushteti me të cilin është i dashuruar që prej 20 vitesh. Dhe pikërisht tani që ylli i Berluskonit duket se është në të perënduar, Fini mendon që të dalë vetë në plan të parë dhe ta bëjë një gjë të tillë përmes kundërshtive. Fini është duke e goditur Berluskonin në pikën e tij më të dobët. Ai e ka akuzuar Kryeministrin se është pjesë e një rrjeti kriminal që ka një qëllim të vetëm: të pasurohet pa fund. Fini e di se një gjë e tillë është shumë e ndjeshme për italianët, që ndoshta do të gjejnë forcën që të rrëzojnë përfundimisht një Kryeministër popullariteti i të cilit ka prekur pikën e fundit, veçanërisht pas premtimeve të shkelura në lidhje me shkurtimet buxhetore.
Të mërkurën e kaluar Dhoma e Deputetëve pati një votë mosbesimi kundër ministrit të Drejtësisë, i cili ndihet nën hetim për pjesëmarrje në një shoqëri sekrete dhe për ndikim të gjyqtarëve përmes ryshfeteve në rastet e gjyqeve të Berluskonit. Fini ka deklaruar se partia nuk mund të tolerojë dikë që është nën hetim dhe se pikërisht kjo ishte edhe deklarata e parë që provokoi edhe çarjen e madhe dhe ndoshta përfundimtare të tij me Berluskonin. Me këtë rast të fundit që ka gjasa vetëm të jetë fillimi i një situate të turbullt, që në fakt ka qenë pak a shumë karakteristike e politikës italiane në dhjetëvjeçarë. Për sa i përket votës së mosbesimit, Berluskoni humbi shumicën, por mocioni nuk u votua për shkak të abstenimit të parlamentarëve të Finit. Por kjo është një fitore e vogël që duket se do të kërcënohet shumë lehtësisht në sesionin e ardhshëm parlamentar në shtator, kur pritet rifillimi i një lufte të ashpër politike. Për vetë Berlsukonin, periudha deri në 8 shtator, hapjen e Parlamentit, do të jetë shumë e vështirë, ndryshe nga periudha që kaloi vjet në vilën e tij në Sardenjë nën shoqërinë e shoqeve të reja. Këtë herë ai do të qëndrojë në Romë dhe do të përgatisë, sipas të gjitha gjasave, partinë e tij për zgjedhje të parakohshme dhe për një luftë kundër rivalit të tij.
#