E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgaria më e lira, por Shqipëria plot me turistë

Mediat e huaja Gazeta maqedonase: Në vendin e shqiponjave, çmimet dhe mirësjellja janë të pakrahasueshme me çfarë ofrojmë ne

Bullgaria vazhdon të ketë primatin në Ballkan për sa u përket çmimeve të leverdisshme dhe të lira që, krahas bregdetit të larmishëm të Detit të Zi, po tërheq një numër të madh turistësh nga jashtë gjatë këtij sezoni veror, që tani ka arritur kulmin e tij.

Për dhjetë ditë qëndrimi, pra fjetje në këtë bregdet, më konkretisht në strukturat hoteliere publike e private, nuk duhet të paguani më shumë se 70 euro dhe, nëse tregoheni këmbëngulës, mund të gjeni vend edhe për 40 euro! Për një vakt ushqimi, përfshi sallatën, nuk do të paguani më shumë se 2 euro, kurse për një birrë, më pak se 1 euro. Por, sidoqoftë, cigaret janë ende të shtrenjta, 2.3-5 euro, duke qenë se Bullgaria është anëtare e familjes europiane. Këto shifra silleshin ditët e fundit në gazetën e përditshme maqedonase “Veçer”, që bënte një pasqyrë të gjendjes së çmimeve në vendet ballkanike, sidomos në ato bregdetare dhe bregliqenore, fqinjë me Maqedoninë, në këtë sezon veror turistik. Mali i Zi, sipas saj, është i shtrenjtë dhe njerëzit hamendësojnë mirë para se të shkojnë në atë vend për të kaluar pushimet verore. Mjafton fakti se hotelierët malazezë ofrojnë një vend fjetjeje prej 60 eurosh për njeri dhe 400 euro për një apartament luksoz, për të krijuar një ide për situatën e çmimeve në këtë vend, ndërkohë që edhe ushqimet janë shumë më të shtrenjta sesa në Bullgari; një sanduiç kushton 1,5 euro. “Greqia nuk është edhe aq e paarritshme sa duket në pamje të parë”, shkruan gazeta e lartpërmendur, duke theksuar se në një nga qendrat më atraktive të vendit, në Korfuz, dhjetë ditë qëndrimi në gjysmë-pansion nuk kushtojnë më shumë se 250 euro, kurse Tasosi ofron me të vërtetë një ofertë super: 120 euro për dhjetë ditë qëndrimi në gjysmë-pansion. Në restorantet bregdetare mund të hahet një drekë e mirë me 10 deri në 30 euro dhe, nëse shfrytëzohen marketet Lidl ose marketet e tjera të ngjashme, ushqimi kushton edhe më lirë sesa në Maqedoni.

“Por Shqipëria, përfundimisht, është një atraksion i vërtetë”, vë në dukje gazeta maqedonase “Veçer”, duke vazhduar më tej: “Një milion e gjysmë turistë ndodhen aktualisht në vend. Madje edhe Kryeministri Berisha vizitoi këto ditë qendrat bregdetare turistike, duke biseduar me pushues të ndryshëm. çmimet dhe mirësjellja janë të pakrahasueshme me atë që ofrojmë ne”, shkruan gazeta në fjalë, sipas së cilës tendenca e rëndësishme e uljes së çmimeve gjatë sezonit veror kulmor konstatohet në të gjitha vendet fqinje me Maqedoninë, por jo në këtë fundit, sidomos në Ohër, hotelierët e të cilit duan që brenda dy muajve të sezonit veror të fitojnë para sa për të gjithë vitin. Një qëndrim prej 10 ditësh kushton mesatarisht 80 euro, vetëkuptohet, pa llogaritur ushqimin dhe pijet, ndërkohë që një birrë kushton e pakta 2 euro, sa edhe një sanduiç. “Prandaj nuk është e habitshme që Ohri këtë sezon veror ka vetëm turistë uikendi”, thekson gazeta, duke kritikuar me forcë ata që janë angazhuar në industrinë e turizmit në Ohër se, ndryshe nga ata në vendet e tjera fqinje- që mendojnë gjatë të gjithë vitit se si të tërheqin sa më shumë turistë -bëjnë gjithçka të mundur që të vijnë sa më pak turistë, duke pasur parasysh çmimet mjaft të larta për produktet dhe shërbimet turistike që, në fakt, nuk janë aspak në nivelin e dëshiruar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›