Islanda, në ish-ishullin e të pasurve
Pesë muaj pas shpërthimit të vullkanit islandez që paralizoi si kurrë më parë fluturimet në të gjithë Europën, i cili për 4 ditë rresht hodhi në qiell 300 mijë tonë material vullkanik, tashmë gjithçka duket sikur i përket të shkuarës. Vullkani që gjunjëzoi aeroportet i është rikthyer heshtjes së tij të gjatë në gjirin e akujve. Situata në terrenin e rënduar gjatë shpërthimeve është qetësuar dhe vende-vende ka nisur që të ringjallet natyra dhe madje edhe gjelbërimi. Megjithatë, kur e sheh situatën nga avioni nuk mund të mos shquash gjurmët e së shkuarës aspak të largët, brigjet si të bëra me qymyr që lagen nga shkuma e bardhë e detit dhe copat e mëdha të akullit. Për sa i përket zemrës së vullkanit ajo qëndron e fshehur në një masë akulli 530 kilometrash. Të vetmet gjëra që mund t’ia prishin disi qetësinë dhe ta trazojnë janë telekamerat, aparatet fotografike, veçanërisht hidrometrat (matësit e vëllimit të ujit që gjendet në shtresa të thella të tokës). Ky është një mjet që në një farë mënyre dhe deri në njëfarë mase parashikon situatat ekstreme të paktën deri në një hapësirë kohore prej 4-5 ditësh. Por në fakt, për sa i përket Islandës dhe aktivitetit sizmik të tokës së saj ajo ka qenë gjithmonë një tokë me të papritura dhe erupsionet vullkanike në disa raste kanë qenë aq të fuqishme dhe të mëdha sa të shkaktojnë shndërrime drastike të relievit të tokës dhe jo vetëm të zonave në sipërfaqe të saj, por veçanërisht të shtresave më të thella. Për shembull, erupsioni i vitit 1782 jo vetëm që shkaktoi një masakër të vërtetë në popullsinë e ishullit të akullt duke i marrë jetën gjysmës së popullsisë, por provokoi në Europë pasoja jashtëzakonisht të këqija siç ishte zia e gjatë e bukës e cila pati një ndikim shumë të madh edhe në vetë Revolucionin Francez.
E megjithatë, kërcënimi më i madh që mund të vijë nga Islanda nuk vjen vetëm nga nëntoka e saj. Që prej kohe banorët e këtij ishulli janë mësuar që të bashkëjetojnë me fenomene që për vende të tjera do të kishin qenë pa dyshim të çuditshme si zhdukjen e diellit për javë të tëra nga kupa e qiellit, shfaqjen dhe zhdukjen brenda pak orësh të ishujve të mëdhenj apo të vegjël, projektimit drejt qiellit të avujve të fuqishëm që vijnë nga zemra e tokës, përplasjen në breg të dallgëve me përmasa të tilla kolosale të afta për të mbytur qytete të tëra. Islandezët e dinë tashmë se jetojnë në një pjesë të tokës ku planeti ka gjetur një të çarë për shfryrje të vazhdueshme dhe të mësuar prej shekujsh me një situatë të tillë ata tashmë dinë se si ta shfrytëzojnë gjithçka në dobi të mirëqenies së tyre. Mandej ata ia kanë dalë mbanë që ishullin e tyre në erupsion të vazhdueshëm ta shndërrojnë me shumë sukses në një atraksion turistik. Në kryeqytetin e vendit, Rejkiavik ndodhet një kinema e cila shfaq vazhdimisht vetëm filma të vjetër dhe të ri që kanë të bëjnë me veprimtarinë e tokës, nëntokës dhe detit të vendit. Dhe bëhet fjalë për veprimtari që janë me të vërtetë spektakolare. Por së fundi, ishulli nisi që të vuante nga diçka që nuk ka të bëjë më me çrregullimet dhe inatin e natyrës, me të cilin ishte mësuar, por me kaosin dhe probleme të natyrës njerëzore, ose më mirë financiare. Fondi Monetar Ndërkombëtar, sapo ka hapur një zyrë të vogël në kryeqytet pak hapa larg selisë së qeverisë. Në këtë pozicion, Fondi vëzhgon popullatën e vendit, ndërsa tenton ta detyrojë që t’i nënshtrohet sakrificës sublime për të përballuar borxhet që iu shkaktuan vendit nga një grup financierësh aventurierë kryesisht të huaj. Në perceptimin e popullatës zbarkimi në ishull i kësaj eskorte të nëmur është pak a shumë i ngjashëm me zbarkimin e piratëve saraçenë që 400 vjet të shkuara grabitën 162 persona mes të cilëve gra dhe fëmijë, të cilët u shitën më pas, siç u përfol, në tregun e skllevërve në Algjeri. Në realitet, funksionarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë ekzekutuesit e drejtpërdrejtë të masave shtrënguese që u janë vënë njerëzve për shkak të makutërisë dhe lakmisë së madhe të bankierëve famëkëqij, që shkaktuan falimentime masive në Britaninë e Madhe dhe në Holandë. Në kohën e kulmit të krizës, autoritetet britanike aplikuan ligjin antiterrorizëm për të sekuestruar kasafortat islandeze. Islanda për sa i përket krizës ekonomike mund të konsiderohet si një nga vendet më të goditura dhe kjo po të llogarisim popullsinë shumë të vogël dhe borxhin shumë të madh që rëndon mbi supet e taksapaguesve dhe që ka shkatërruar gjithë sistemin social dhe mirëqenien e ishullit të arritur me shumë mund dhe punë brezash. Me të drejtë, islandezët e kujtojnë me shumë nostalgji situatën në vendin e tyre para krizës financiare, me atë shoqërinë shumë të lidhur dhe të papolarizuar në shumë të pasur dhe shumë të varfër, me një mirëqenie e siguri jete për të gjithë. Por qëllon shpesh që shoqëri kaq homogjene të jenë edhe shumë konformiste dhe kjo ka qenë edhe një nga arsyet që i shkaktoi Islandës dëmin e madh.
Kështu kur kruna, monedha e vendit u shndërrua në një valutë shumë të fortë, askush nuk pyeti nëse ishte e shëndetshme për financat që brenda një harku kohor shumë të shkurtër financat e ishullit të shndërroheshin në financa gjigante dhe të fuqishme, madje rreth 12 herë më të mëdha nga ajo e viteve të kaluara. Befas të gjithë nisën që të ndihen më në fund të pasur, dhe pas shekujt varfërie nisën që të blinin me shumicë dhe të investonin duke krijuar borxhe të mëdha kryesisht në valutën e huaj. Sigurisht që nuk janë njerëzit ata që duhet të fajësohen në këtë pikë. Lajmet ekonomike ishin gjithmonë në faqet e para të gazetave të “vulosura” nga buzëqeshja e financierëve dhe bankierëve që me vështrimin e tyre pretendonin se “dinin se çfarë po bënin”. Por në shumë raste bëhej fjalë për propagandë, apo për një realitet që nuk kishte jetë të gjatë. Financierët buzagaz të mbiquajtur në botë në kohët e bumit ekonomik si “korporata e vikingëve” u mbështetën shumë në manovrat e tyre edhe nga gazetarët me të cilët krijuan marrëdhënie shumë të mira dhe të favorshme. Madje, gazetarët shpesh ishin të punësuar nga bankierët. Ishin pikërisht gazetarët ata që ia shtuan namin kësaj kategorie financierësh e bankierësh me artikujt dhe reportazhet që shkruan edhe në Perëndim për të ashtuquajturën “Rilindja e vikingëve”. Por kjo botë prej kartoni që mendohej se kishte themele të forta dhe ishte e paperëndueshme u shemb dhe u rrënua brenda pak javësh në vitin 2008 me shpërthimin e krizës së kredive fillimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më pas edhe në vende të tjera të Europës. Monedha vendase, kruna, u shemb përtokë duke kapur nivele shumë të ulëta dhe bashkë me ta u shembën edhe mijëra islandezë. Brenda natës shumë prej tyre nga njerëz me një mirëqenie ekonomike u shndërruan në borxhlinj që do ta paguanin borxhin në valutë të huaj. Që nga ai moment shembjeje islandezët kanë bërë gjëra që më parë do t’i kishin gjykuar si jo të drejta, në mos ekstravagante. Kështu, një nga pasojat ishte dhënia e pushtetit qendrës së majtë, pas 18 vitesh në opozitë. Gjithashtu, ata i dhanë votat duke e çuar në Parlament një parti gjysmë anarkike që quhet “Lëvizja” dhe kanë zgjedhur madje kryebashkiak të Rejkiavikut një komik që bëri një fushatë elektorale qesharake dhe të çuditshme. Një pjesë e madhe e islandezëve dolën në shesh për të demonstruar inatin e tyre me vegla bujqësore dhe enë kuzhine, episode këto të paprecedentë në historinë e vendit. Por për një pjesë të tyre ky moment u konsiderua madje edhe si revolucion. Duke qenë të pritur për zhvillime të tilla të paparashikueshme nuk është çudi që një ditë të bukur islandezët të nxjerrin prej leckash nga vendi edhe punonjësit e zyrës së FMN-së, të cilët merren në konsideratë nga qeveria. Ky reagim është i pritshëm kur imagjinon se gjatë viteve të bumit ekonomik islandezët i krijuan vetes të gjitha institucionet dhe mirëqenien e një vendit të madh dhe të zhvilluar. Të mendosh se bëhet fjalë për një vend prej 320 mijë personash. Islanda ka 12 universitete, një sistem të sigurimeve shoqërore shumë të favorshëm për njerëzit dhe të ndjeshëm ndaj të pamundurve, një shëndetësi që është një nga faktorët kryesorë të jetëgjatësisë së ishullorëve që është ndër më të lartat në botë. Madje, islandezët kanë edhe një orkestër të tyren simfonike që ka talente dhe repertorin e një orkestre të madhe. Por sa nga këto institucione dhe sisteme do të munden që t’u mbijetojnë terapisë klasike që synon të vendosë në vend Fondi Monetar Ndërkombëtar, pra terapisë së privatizimeve masive dhe shkurtimeve të vendeve të punës?
Sipas një gazetareje dhe shkrimtareje islandeze, edhe pse përmes së keqes, islandezët janë duke zbuluar gjëra shumë interesante dhe vlera të cilat i mendonin të humbua. Por në fakt, sipas specialistëve për të ulur peshën e borxheve, Islanda duhet që të gjejë një formulë të re ekonomike dhe islandezët që tashmë e kanë njohur mirëqenien në jetët e tyre, edhe pse ua hoqën brenda natës, do të jenë në gjendje që ta gjenerojnë dhe të arrijnë rezultat.
#