E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vera jonë e ekstremeve

Berlin – Kjo verë ka qenë një prej atyre të lidhura me ekstreme klimatike në Rusi, Pakistan, Evropë, Arktik – lirisht kështu mund ta quani. Por a kjo lidhje me ngrohjen globale dhe a duhet fajësuar emetimet njerëzore?
Derisa nuk mund të argumentohet shkencërisht (ose të faktohet e kundërta për këtë çështje) se ngrohja globale ka shkaktuar në mënyrë të veçantë ndonjërën prej këtyre ndodhive ekstreme, lirisht mund të themi se ngrohja globale ka shumë gjasë që ekstremet klimatike t’i bëjë më frekuentuese dhe më të ashpra.
Për javë me radhë, pjesa qendrore e Rusisë po kalon nëpër valën më të madhe të të nxehtit, që ka shkaktuar edhe vdekjen e mijëra njerëzve. Si pasojë e kësaj gjendjeje, më shumë se 500 vatra zjarri ishin jashtë kontrolli, duke mbuluar pjesën më të madhe të Moskës me tym dhe duke kërcënuar me një katastrofë të madhe bërthamore. Rusia ka marrë vendim të ndalojë eksportimin e grurit, duke i çuar në qiell çmimet nëpër botë.
Në të njëjtën kohë, Pakistani po ballafaqohet me vërshime të pashembullta që kanë lënë të vdekur më shumë se një mijë persona dhe dhjetëra miliona të tjerë kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Deri më tani, edhe në Kinë kishte vërshime dhe rrëshqitje dheu që kanë marrë jetën e më shumë se një mijë personave dhe rreth një milion shtëpi janë shkatërruar. Në një shtrirje më të vogël, por edhe në vendet evropiane, si në Gjermani, Poloni dhe Republikën çeke po ashtu kishte vërshime serioze.
Por këtë verë kishim edhe temperaturat më të larta që kanë kaluar shifrat rekorde të 130 vjetëve të fundit. Akullnajat e Arktikut kanë rënë në nivelin më të ulët të ndonjë kohe qershori. Në Grenlandë kishte gjatë dy muajve dy shkrirje të akullnajave masive. A janë gjithë këto ndodhi të ndërlidhura?
Duke shikuar vetëm në mënyrë individuale secilën ndodhi nuk mund të zbulojmë shkakun, sikur se nuk e zbulojmë fabulën e një filmi vetëm nëse shikojmë shkel e shko disa sekuenca. Por nëse e shikojmë në një kontekst më të gjerë, dhe nëse përdorim logjikën e fizikës, mund të kuptohen disa pjesë të rëndësishme të përmbajtjes.
Kjo dekadë është përshkuar me një numër të madhe ekstremesh të papritura. Në verë të vitit 2003 kishte një ngritje të jashtëzakonshme temperaturash, duke tejkaluar shifrat rekorde. Kjo valë e të nxehtit shkaktoi më shumë se 70 mijë vdekje në Evropë. Në verën e vitit 2005 pati një numër të madh uraganesh, dhe më i njohuri, “Katrina” shkatërroi dhe rrafshoi New Orleansin, duke shkaktuar numër të madh viktimash. Atë vit pati edhe numër rekord stuhish.
Në vitin 2007, zjarre të mëdha u përhapën në mbarë Greqinë, dhe disa prej tyre rrezikuan edhe pjesët përreth Olimpit. Dhe Kanali Veriperëndimor i Arktikut për herë të parë mbeti pa asnjë copë akulli për herë të parë në histori. Vitin e kaluar më shumë se 100 persona humbën jetën si pasojë e valës së madhe të të nxehtit që kishte përfshirë zonën jugore të Australisë, ku pati edhe thatësi të madhe.
E gjithë kjo mori lajmesh të këqija sikur janë pjesë e një fati të keq. Por duket se nuk është kështu. Duket më shumë se kjo ndodh shkaku i ngrohjes globale – pasojë e një dekade që ishte më e nxehta në historinë e njerëzimit.
Moti varet nga energjia, dhe dielli buron këtë energji. Por kjo energji duhet të kalojë qindra vite derisa të arrijë nivel të lartë, i cili buron nga akumulimi në atmosferën tonë i gazrave. Duke pasur parasysh edhe emetimet e energjisë së fosileve, tani ka për një të tretën më shumë dyoksid karboni në atmosferë sesa në një milion vjetët e fundit, që e dëshmon edhe shkrirja e kohëve të fundit e akullnajave në Antarktik.
Ndryshimi në përmbledhjen energjetike të planetit i shkaktuar nga variacionet diellore është dhjetë herë më i vogël. Dhe ata po shkojnë në drejtim të gabuar; në vitet e fundit, dielli ishte në shkallën e tij më të madhe rrezatuese qëkur ka filluar të bëhen matjet në vitet shtatëdhjetë. Ndodhi të jashtëzakonshme meteorologjike kanë ndodhur, dhe besohet se shkaktar kryesor i këtyre ndryshimeve është emetimi i gazrave të veprimtarive të njeriut.
Fakti se kemi një botë më të nxehtë na bënë të kuptojmë ndodhitë e fundit si ajo në Rusi. Në një mot më të nxehtë do të ketë edhe reshje më të shpeshta dhe më të dendura, duke na çuar në faktin fizik se ajri i ngrohtë ka edhe lagështi më të madhe. Për çdo shkallë më të lartë celsiusi, ka potencial që të ketë shtatë për qind sasi më të madhe lagështie në masat ajrore. Madhe ka rrezik që nga ngrohja globale të kemi më shumë thatësi, edhe pse nuk do të ketë zvogëlim të të reshurave.
Efekti i dyoksidit të karbonit mund të ndryshojë edhe shumë elemente të qarkut atmosferik. Që mund të nxisë nxehtësi ekstreme, thatësi, të reshura shiu në disa rajone, derisa do t’i reduktojë ato në tjera territore. Disa prej këtyre ndryshimeve ekstreme nuk do të jenë shumë shkatërrimtare për disa rajone të përshtatura me ndryshime radikale, por në disa territore, si ka treguar rasti i vërshimeve të fundit në Pakistan, mund të jenë katastrofale.
Ndodhitë e fundit të kësaj vere kanë treguar sesa të dobët jemi karshi ekstremeve të lidhura me motin. Por ajo çfarë po shohim ne tani është si pasojë e një ngritje prej vetëm 0.8 shkallë celsiusësh, ose pak më pak. Prandaj ne duhet të fillojmë që tani që të jemi të përgatitur për një mot më të ngrohtë, sepse nivelet e ekstremeve vetëm sa do të rriten.
Me një aksion të dobët, siç kemi parë me vendimin e qeverive të marrë në dhjetor të vitit të kaluar në Kopenhagë, do të kemi një ngritje temperature prej tre deri në katër shkallë celsiusësh. E atëherë secila shoqëri do ta kishte vështirë t’ia dilte mbarë me një gjendje të atillë. Dhe nëse nuk do të ketë asnjë aksion konkret, ngrohje globale do të rritet për 5 deri në 7 shkallë celsius deri në fund të këtij shekulli. E dini se të marshosh kodrës teposhtë mund ta thyeni qafën.
Ne duhet të ballafaqohemi me faktet; emetimet e gazrave tona serrë më së paku duhet të fajësohen për ekstremet e kësaj vere. Prandaj le të shpresojmë se ekstremet e kësaj vere janë ende një mundësi e fundit për thirrje politikanëve, korporatave dhe qytetarëve  për zgjim nga gjumi.

(Autori është profesor i fizikës në Universitetin e Potsdamit dhe anëtar këshillues i Këshillit gjerman të Ndryshimit Klimatik. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›