E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rae: Kosova nuk është precedent për ndarje të Kebekut

Otavë, 21 gusht – Bob Rae, kritik liberal i çështjeve të jashtme i liberalëve, ka thënë të premten se ishte i lumtur që Gjykata e Lartë e Kombeve të Bashkuara në muajin e kaluar deklaroi se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008 nuk ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Ai e ka bërë këtë deklaratë pasi disa liderë të Kebekut kanë thënë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për rastin e Kosovës më 22 korrik ka hapur rrugën për vënien në pikëpyetje të pretendimeve të disa politikanëve kanadezë për unitetin e shtetit të Kanadasë.
Pas rezultatit të ngushtë të referendumit të vitit 1995 për partneritet-sovraniteti, çështja e së drejtës së Kebekut për ta shpallur ndonjëherë deklaratën e njëanshme të pavarësisë është bërë një burim tensioni. Paqartësia ishte rritur kur qeveria liberale kishte çuar çështjen e ligjshmërisë së këtij pretendimi në Gjykatën Supreme të Kanadasë.
Rae ka deklaruar të premten sipas kohës lokale kanadeze se ka përkrahur Mendimin e GJND-së, pasi që trupi gjykues ka vendosur duke u bazuar në situatën specifike të Kosovës, dhe nuk bëri paralele me asnjë vend tjetër. Rae ka thënë se në Kosovë është e qartë se kishte një histori dhune dhe shtypjeje, që çoi në Deklaratën e pavarësisë së Kosovës, që nuk mund të bëhet një krahasim me Kanadanë.
“Rrethanat e përfshira në Kosovë janë shumë të veçanta për situatën në Kosovë – shkalla e shtypjes, që kishte përfshirje direkte ushtarake të Serbisë, sensin i të qenët një territor i pushtuar dhe fakti se kishte një përpjekje të përhershme për gjetjen e një zgjidhjeje nëpërmjet bisedimeve dhe mosarritja e asnjë zgjidhjeje paqësore”, është shprehur ai.
Ish-lideri liberal, Stephane Dion, një kundërshtar i fuqishëm i viteve nëntëdhjetë ndaj përpjekjes për shpalljen në mënyrë të njëanshme të pavarësisë së Kebekut, po ashtu ka shprehur përkrahje ndaj vendimit jodetyrues të GJND-së. Mbështetja e madhe liberalfederale për vendimin i tregon partisë zyrtare opozitare në Dhomën e Komunave se po shikohet sy më sy me Qeverinë konservatore për Deklaratën e njëanshme të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Por edhe pse kishte këtë qëndrim, Qeveria britanike nuk kishte marrë vendim të shpejtë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe këtë e bëri pas një muaji dhe kur më shumë se 30 vende e kishin njohur Kosovën, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.
Por ministri i Jashtëm kanadez, Lawrence Cannon, nuk kishte pritur shumë kohë për të shprehur kënaqësi për opinionin e GJND-së për Kosovën.
“Unë mendoj se një qasje sipërfaqësore do të thoshte: ‘Mirë, nëse gjykata ndërkombëtare thotë këtë për Kosovën, do të kishte aplikim edhe në Kebek, apo jo?’”, ka theksuar Rae. “Mirë, përgjigjja për këtë është: ‘Jo, virtualisht nuk është asnjë, sepse ka diferenca reale. Dua të them, a ishte Kebeku i shtypur në federatë? Përgjigjja është jo. Kebeku ka qenë një partner në federatë, dhe ishte pjesë e ndërtimit të institucioneve tona, që nga fillimi”.
Pavarësisht prej opinionit të GJND-së, Serbia ka theksuar se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Deri më tani 69 vende e kanë njohur shtetin e Kosovës, derisa shumë vende me lëvizje separatiste, si Rusia, Spanja dhe Kina, kanë thënë se nuk mund ta mbështesin. Në Kebek, shumë përkrahës të ndarjes së Kebekut kanë thënë se Mendimi i GJND-së ishte një dritë e gjelbër për shpalljen e pavarësisë së njëanshme të Kebekut.
“Unë mendoj se këtu është një keqkuptim komplet i opinionit të gjykatës botërore”, ka thënë Rae, “të thuhet se ka një të drejtë të plotë për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kebekut. Nuk ka absolutisht asnjë bazë në gjykatën botërore për ta argumentuar këtë”.
Edhe pse ligji ndërkombëtar nuk e ndalon shpalljen e njëanshme të pavarësisë, por po ashtu nuk përmban diçka specifike që lejon shpalljen e njëanshme të sovranitetit.
“Dallimi ndërmjet këtij vendimi dhe referencës së Gjykatës sonë Supreme është se referenca e Gjykatës sonë Supreme ishte bazuar në një seri çështjesh të përgjithshme; të cilat pastaj ishin zbatuar në Kebek dhe në situatën tonë në Kanada”, ka deklaruar Rae. “Ajo çfarë ka thënë Gjykata jonë ishte se është e mundshme që në federatën tonë të ketë ndarje. Por që kjo të kryhet në mënyrë ligjore dhe kushtetuese, ka një mal gjërash që duhet të zbatohen. Ne po ashtu duhet ta kemi në mendje se ne jemi një demokraci dhe kemi një federatë ku secila palë ka interesat e veta. Dhe për këtë arsye në Kanada nuk do të funksiononte deklarata e njëanshme e pavarësisë. Nuk ka bazë në vendin tonë demokratik që të ndodhë kjo”.
“Pra, atëherë Gjykata Supreme tha: ‘Mirë, si mund të ndodhë pra? Ata thanë se ju duhet të keni një votim në një çështje të qartë dhe duhet të keni një shumicë të qartë. Për këtë arsye rastin e Kosovës e shoh si forcim të vendimit të Gjykatës sonë Supreme”, ka thënë Rae.
Rae, ish-kryeministër i Ontarios, bëri një përpjekje të pasuksesshme për marrjen e timonit të Partisë Liberale. Këtë verë ka bërë shumë udhëtime nëpër Kanada dhe ka bërë shumë paraqitje publike. Këtë vjeshtë do të publikojë librin e tij “Eksportimi i demokracisë”, të publikuar nga “McClelland dhe Stewart”. Në këtë libër ai sfidon nocionet konvencionale të implementimit të demokracisë në vende të huaja.
(Shkrim i botuar në “The Gazette”)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›