E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse kemi mbetur tek “Vdekja e Kalit”?

28-05-2011 / Nga Sejdi Peka

Filmi artistik “Vdekja e kalit” është prodhuar në vitin 1992, pothuajse menjëherë pas rënies së komunizmit. Regjisori Saimir Kumbaro ka bërë mjaft kujdes që t’i dhuronte publikut një film mjaft të realizuar, që trajtonte vuajtjen e njerëzve të pafajshëm në diktaturën komuniste. Është për t’u lavdëruar loja në rolet kryesore e artistëve të talentuar Rajmonda Bulku dhe Timo Flloko. Në vitin 1975, një gjeneral i ushtrisë shqiptare që kishte ngritur fermën e kuajve, u dënue me vdekje për grushtin e shtetit “puçist”. Në këtë pikëpamje sipas komunistëve duhej zhdukur çdo vepër e tij. Dhe u bë shfarosja e kuajve të fermës të racës “Arba”. Një kalë të kësaj race përpiqet ta shpëtojë nga pushkatimi Agroni, dhe në vend që ta pushkatonte ua jep një grupi arixhinjsh. Por zbulohet dhe ndëshkohet me tortura e dënim të rëndë politik nga gjyqi ushtarak. Jeta e Agronit u copëtua. E shoqja, e detyruar nga rrethanat dhe presionet, kërkon divorcin me Agronin dhe në përpjekje për të dështuar fëmijën, ajo vdes. Pas përmbysjes së regjimit, Agroni si të gjithë ish-të burgosurit politikë lirohet nga burgu. Kërkon shtëpinë e tij në Tiranë por aty banonin njerëz të tjerë. Prindërit i kishin vdekur në internim pasi ishin dëbuar nga Tirana. Duke u endur rrugëve, në sheshin kryesor para Parlamentit, takon hetuesin e tij “xhelat”, që e kishte torturuar deri në vdekje, por që tani ishte zgjedhur deputet. “Duku andej nga zyra ime, mbase do të bëjmë diçka për ty”, i thotë xhelati. Agroni i habitur kishte mbetur në rrugë me ato lecka në krah, sikur pyeste-vallë a kjo qenka demokracia aq shumë e ëndërruar? Përse vallë mbetëm tek “Vdekja e kalit”?
Këto po mendoja vetëm para pak ditëve në Shkodër, në vendin e quajtur “tek antena”, ndërkohë kur familjarët e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës dhe bashkëvuajtësit e këtyre martirëve, po gërmonin pa pushim dheun e ftohtë, në kërkim për të gjetur varret e të pushkatuarve nga regjimi komunist, të akuzuar për “revoltën në Burgun e Qafë-Barit”. Prisnim me ankth, po varret nuk po gjendeshin. Një vajzë e re aty po qante pa pushim. Ishte e mbesa e njërit prej tyre. Sigurisht, disa prej atyre që kanë marrë pjesë në ekzekutim, e dinë mirë fare se ku ndodhen varret por nuk flasin. Ata ndoshta akoma janë dikund hetues,prokuror apo gjykatës,këmbëkryq në institucionet shtetërore. Lexoj proces-verbalin e pushkatimit që mbante datën 9 Shtator 1984, ora 24. Ishin djem të rinj në atë kohë, të vl.1952. Në fjalën e tij të fundit Sokol Sokoli do t’u thoshte xhelatëve sipas proces-verbalit, po citoj: “Mos më vrisni prapa krahëve. Gropën e hapi vetë. Askujt nuk i kam bërë gjë”.Dhe janë firmat e Prokurorit Ismet Spahia, Shefit të Policisë Reshat Gjyli,Hetuesit Shyqyri Çela dhe të ekzekutorëve të tjerë Miftar Rama etj. Këta ishin martirët e lirisë dhe të demokracisë,që kërkonin plumbin ta merrnin ballë për ballë nga komunistët. Zv.Ministri i Brendshëm po më thoshte se janë akoma lart më shumë se 4000 të pushkatuar politik nga regjimi komunist dhe nuk po mundemi t’u gjejmë varret.
Sipas dokumenteve arkivore, ish-Sigurimi komunist ishte i disponuar që këto varre të mos gjendeshin kurrë. Është kjo drama e popullit shqiptar, që akoma sot vëllezërit dhe nipërit e këtyre martirëve të lirisë, me kazma dhe lopata në duar, natë e ditë gërmojnë duke vendosur veshin në tokën e ftohtë, a mos ka një sinjal. Dhe kriminelët e diktaturës, pinjojt e tyre krekosen në politikën shqiptare sikur asgjë nuk paska ndodhur. A mundet vallë të ketë moral Edi Rama, i biri i Kristaq Ramës, që pa hezitim i vuri litarin në grykë poetit Havzi Nela në pragun e lirisë me 10 Gusht 1988, që të bëjë “çorbë” Shqipërinë se kërkon patjetër me anën e dhunës për herën e katërt karrigen e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe pak më tej atë të Kryeministrit të Shqipërisë. Përreth tij janë ricikluar në politikë, në kreun e Partisë Socialiste, ish-pinjojtë e kastës së kuqe enveriste me Gramoz Ruçin, ish-ministrin e sigurimit komunist. Shqipëria po vuan në këtë tranzicion të stërzgjatur, nën presionin e falangave enveriste që kërkojnë marrjen e pushtetin me dhunë jo për të qeverisur popullin por për të sunduar popullin. Reformat e ndërmarra nga qeveria Berisha për “dënimin e krimeve të komunizmit” në zbatim të rezolutave të Asamblesë Parlamentare të KE, kanë hasur në një rezistencë të ashpër nga e majta ish-komuniste në Parlament. Në këtë pikëpamje edhe implementimi i “ligjit të lustracionit”, ka mbetur në sirtaret e Kuvendit. Nga ana tjetër në të gjitha vendet ish-komuniste të Europës Lindore dosjet janë hapur. Në këtë mënyrë janë prerë të gjitha fijet e strukturave të ish sigurimit komunist në këto vende. Kjo është edhe arsyeja që Shqipëria po mbetet e fundit në rrugën e vështirë të demokracisë drejt Europës që ka qenë ëndrra shekullore e shqiptarëve. Për këtë vdiqën në lulen e rinisë së tyre Sokol Sokoli, Tom Ndoja dhe qindra e mijëra të tjerë martir të lirisë. Dhe ne mbetëm tek “vdekja e kalit”. Asgjë, asnjë film, asnjë aktivitet i përmasave kombëtare për të përkujtuar këta martirë të demokracisë që varret nuk po u gjenden. Gjithnjë e më rrallë apo asnjëherë “vdekja e kalit” mundet ta hasim të transmetohet në njërin nga TV-të. Ata meritojnë shumë, meritojnë të vendosen me nderime në altarin e lirisë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›