Transparencë të plotë çdo qindarke të shpenzuar nga ky institucion
Administrata e Kuvendit reagon sërish
Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar përsëri lidhur me deklaratat e deputetes së opozitës, Shegushe Ligori, lidhur me shpenzimet e këtij institucioni. Përmes një deklarate zyrtare, Administrata e Kuvendit vë në dispozicion çdo dokument për të bërë transparencën e pretendimeve të ngritura nga deputetja e PS-së.
“Administrata e Kuvendit, duke përsëritur se është e hapur për transparencë për çdo qindarkë të shpenzuar nga ky institucion, thekson se kryetari i shoqes Shegushe, njeriu që urren parlamentin duhet të mësojë se parlamenti, si çdo institucion tjetër administrohet në bazë të rregullave dhe ligjeve dhe kontrollohet rregullisht nga institucionet e pavarura të ngarkuara nga Kushtetuta”, thuhet në reagimin për mediat.
Zë i veçantë i këtyre kontrolleve, jo vetëm gjatë 15 vjetëve që Jozefina Topalli ka qenë deputete, por edhe më parë, kanë qenë dietat e deputetëve.
Sipas administratës së Kuvendit, askush deri më sot nuk ka guxuar të thotë qoftë edhe një fjalë të vetme për dietat që përfitojnë në mënyrë të ligjshme ashtu sikurse Kryetari i Kuvendit edhe deputetët socialistë Taulant Balla, Agim Leka, Armando Subashi, Ilir Bejtja, Gjovalin Kadeli, Eltar Deda, Gjok Jaku, Ervin Koçi, Klodiana Spahiu, Vangjel Tavo, Skënder Hasa, Armando Prenga, Astrit Beci, Fatos Tushe, e të tjerë.
“Dalja e fundit e deputetes Ligori na ngjall vetëm dhimbje dhe solidaritet për një politikane të re dhe grua e cila, nuk e ka veten në dorë dhe nuk guxon të ngrihet kundër këtij keqpërdorimi që po i bëhet nga zoti Rama”, deklaron më tej në reagimin zyrtar, administrata e Kuvendit të Shqipërisë.