E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerimi i zonës “Schengen”, KE forcon masat e sigurisë

Zgjerimi i hartës së lëvizjes së lirë “Schengen” ka detyruar Komisionin Europian të forcojë më tepër sigurinë për identifikimin e personave që hyjnë në zonën “Schengen”. Grupi “Miqtë e Sistemit të Informacionit të Vizave, VIS”, i kryesuar nga Presidenca e KE do të diskutojë në ditët në vijim lidhur me këtë projekt.
Synimi i këtij projekti është ndërtimi i një sistemi qendror me qendër në Strasburg dhe futja në këtë sistem e të gjitha të dhënave biometrike, pra, shenjave dixhitale. E reja e këtij projekti është se në kontrollimin e sistemit të vizave rol kryesor do të luajnë përfaqësitë diplomatike.
Përfaqësuesit diplomatikë do të kenë akses në këto të dhëna, dhe do të verifikojnë origjinalitetin e vizës dhe identitetin e personit që ka marr vizën në momentin që hyn në zonën “Schengen”. Për rrjedhojë, qytetarët e vendeve që janë bërë, apo që do të bëhen pjesë e liberalizimit të vizave, siç është Shqipëria dhe Bosnja, do të jenë të identifikuar në sistemin qendror në Strasburg, në momentin që do të shkelin zonën “Schengen”.
Ky projekt synon vizat që do të jenë më afat qëndrimi të shkurtër në vendet europiane të “Schengenit”.
Gjatë diskutimeve që do të zhvillohen, përfaqësitë konsullore dhe diplomatike do të dërgojnë progres raporte për monitorimin dhe çështjen e vizave biometrike.
Ndërkaq, ky grup do të monitorojë dhe çështje të tjera si listat VIP që do të udhëtojnë drejt vendeve “Schengen”, informacionet dhe cilësinë e shenjave dixhitale. Në këtë mënyrë Komisioni Europian shtrëngon më tepër masat lidhur me liberalizimin e vizave, duke i dhënë mjaft prioritet sigurisë, dhe kontrollit të personave që hyjnë në zonën “Schengen”.
Vizat u liberalizuan në dhjetor të vitit të kaluar për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa Bosnja dhe Shqipëria janë në pritje të përmbylljes së këtij procesi brenda vjeshtës së këtij viti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›