Njeriu i krizës vazhdon shkatërrimin e strukturave të brendshme të partisë
Baza socialiste vazhdon akuzat ndaj Edi Ramës
Baza socialiste vazhdon të akuzojë kryetarin Edi Rama, si njeriu krizë, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, që prodhoi krizë në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht edhe të tijët i faturojnë një tjetër krizë, atë brenda Partisë Socialiste. Ajo e shfaqur në zgjedhjet për krerët e socialistëve në rrethe ka prekur edhe degën e Shkodrës. Njëri nga kandidatët është tërhequr nga gara për arsye të paqarta, ndaj edhe votimet u shtynë. Ndërsa kryetari aktual i Partisë Socialiste të kryeqendrës së veriut e akuzon drejtpërdrejt Edi Ramën, se me këto zgjedhje po përpiqet të realizojë qëllimin e mbrapshtë të shkatërrimit të strukturave të Partisë më të madhe në opozitë.
Kryetari i PS Shkodër, Edip Shiroka deklaroi dje se “është diçka më e thellë, jo sipërfaqësore sa duket”. “Kjo është politikë e mbrapshtë që ka bërë dhe vazhdon të bëjë Edi Rama”, thotë ai.
Për kreun e PS në Shkodër garuan katër kandidatë, mes tyre dhe një biznesmen. Anëtarët e Asamblesë Socialiste të Shkodrës thonë se të katër kandidaturat janë emërime të Ramës, e që përmes tyre, ai po kërkon të vendosë në krye të strukturave njerëz që i shërbejnë vetëm atij dhe klikës së tij.
Sipas Statutit të ri të PS-së të miratuar në Kongresin e 18 prillit 2010, kandidaturat për kryetar partie propozohen nga Asambletë Socialiste të njësive vendore të rretheve dhe miratohen nga Kryesia e PS-së. Por javën që shkoi, kryesia e Partisë Socialiste rrëzoi më tepër se gjysmën e kandidaturave të propozuara nga baza, çka shkaktoi reagim të ashpër të disa anëtarëve të saj dhe të bazës socialiste në Korçë, Përrenjas, Vlorë e rrethe të tjera të vendit.