Kultura të drejtohet nga artistët
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur të hënën në një takim përfaqësuesit e Forumit Kulturor, rrjet ky i 22 organizatave që përfaqësojnë komunitetin artistik në vend. Ministri Krasniqi edhe një herë theksoi se themelimi i Forumit është një nga lajmet më të mira që ka marrë komuniteti artistik në vend, pasi sipas tij tashmë ekziston një adresë ku idetë e ndryshme bashkohen në një vend për të pasur një artikulim më të qartë të kërkesave dhe vizionit për zhvillim kulturor.
Ai tha se kjo në fakt është edhe një lehtësim për vet MKRS-në, pasi tashmë ka një partner të rëndësishëm për të punuar bashkërisht për hartimin e politikave dhe vizionit që mundëson një sistem të mirë të funksionimit. Ministri premtoi se Forumi Kulturor do të jetë gjithnjë pjesë e angazhimeve që do të merren në të ardhmen për të përmirësuar jetën kulturore në vend, në funksion të krijimit të vlerave.
Ai i njoftoi përfaqësuesit e këtij forumi me disa ide që synojnë që mbështetja ndaj asaj që quhet kulturë e pavarur të rritet por edhe që në fakt mbështetja për të, të bëhet në mënyrën sa më objektive dhe të bazuar në kritere profesionale. Duke folur për një kulturë që drejtohet nga vetë artistët, ministri Krasniqi përmendi faktin se edhe institucionet kulturore publike të kulturës do të jenë më autonome në kuptimin e menaxhimit dhe ndarjes së buxhetit, pasi ato do të kenë kod të veçantë buxhetor dhe MKRS-ja më nuk do të ketë në përgjegjësi ndarjen e buxhetit vjetor.
Kjo tha ministri Krasniqi është një avancim përpara në zhvillimin e kulturës dhe lënies së saj në duar të profesionistëve.
Nga ana tjetër, Florent Mehmeti, një nga përfaqësuesit e Forumit Kulturor, vlerësoi së tashmë në MKRS ka një vullnet më të madh për të zhvilluar jetën kulturore, dhe u shpreh se do të jenë partnerë të përhershëm në hartimin e vizioneve që krijojnë pavarësi dhe zhvillojnë kulturën. Ai premtoi se Forumi do të punojë konkretisht për gjetjen e modeleve të mundshme për zhvillim më të mirë të kulturës, e të cilat tha ai, do të jenë pjesë e një debati të përbashkët mes komunitetit por edhe MKRS-së.