Oketa merr stafetën e Mediut

Brenda 15 minutave mbledhje kryesie, PD vendosi te zevendesoje ministrin e dorehequr Mediu me zevendeskryeministrin Gazmend Oketa. Tensionohet situata ne Kuvend. Opozita largohet
Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa duhet të lërë tashmë detyrën pranë kryeministrit, për të marrë drejtimin e ministrisë së Mbrojtjes. Kjo është ajo që ka vendosur kryesia e Partisë Demokratike në votimin e pasdites së djeshme. Ndërkohë, nuk mësohet ende emri i pasuesit të Oketës pranë kryeministrit. Një nga anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, thotë se akoma nuk ka një emër të personit i cili do të jetë zëvendësi i kryeministrit Berisha. Ndërkohë, ai nuk përjashton që në ditët në vijim mund të priten lëvizje në qeveri, si pasojë e kërkesës së Partisë Republikane për t’u përfaqësuar në rang ministri, pas dorëheqjes së Mediut. Pas votimit të kryesisë, e cila ka qenë dakord me emrin e Oketës për postin e ministrit të Mbrojtjes, edhe kreu i qeverisë, Berisha, ka deklaruar se nuk ka akoma ndonjë emër konkret se cili mund të jetë zëvendësi i tij i ardhshëm, ndërsa nuk përjashton edhe lëvizjet në qeveri. “Padyshim që Partia Republikane do të mbetet në qeveri”, ka deklaruar Berisha, duke vërtetuar kështu tezën e ndryshimeve të pritshme në qeveri. Republikanët sërish në qeveri Nga ana tjetër, republikanët do të mblidhen së shpejti për të analizuar përfaqësimin e saj politik. Sipas kreut të grupit parlamentar republikan, Arian Madhi, kryesia e PR-së do të diskutojë për nivelin e përfaqësimit të saj në qeveri. “Partia Republikane është e angazhuar dhe do të reflektojë në disa çështje. Kryesia e partisë do të diskutojë rreth çështjes së përfaqësimit të saj politik, pasi atë e ka për shkak të qenies parti e mazhorancës qeverisëse dhe asgjë nuk do të mund të mohonte të drejtën e përfaqësimit të kësaj partie. Niveli i përfaqësimit të saj është një çështje që do të diskutohet gjithashtu”, ka thënë për “Korrierin” Madhi. I pyetur se cilën ministri synojnë republikanët, ai është përgjigjur se akoma nuk ka një vendim dhe gjithçka do të bëhet publike pas mbledhjes së strukturave drejtuese, mbledhja e cila do të përcaktojë emrin dhe pozicionin qeverisës të kësaj partie aleate të PD-së. Ndryshimet në qeveri kanë ardhur si pasojë e dorëheqjes së republikanit Fatmir Mediu pas ngjarjeve të ndodhura në Gërdec. Ky vend i lënë lirë nga Mediu, do të zihet nga deputeti demokrat Gazmend Oketa, ndërsa për republikanët pritet një post tjetër ministror që mund të vijë si pasojë e ndryshimeve të qeverisë. Opozita bojkoton Parlamentin Kërkesa e mazhorancës për të kaluar në rendin e ditës, duke anashkaluar kështu debatin për tragjedinë e ndodhur në Gërdec, i ka detyruar socialistët që të braktisin seancën e ditës së djeshme. Deputetët e opozitës kanë kërkuar që të vazhdohet me debatin për ngjarjen e ndodhur,ndërsa kanë lëshuar akuza të shumta ndaj kryeministrit dhe kanë kërkuar dorëheqjen e tij si shkaktar të ngjarjes së ndodhur. Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës kërkonin që të kalohej me rendin e ditës, duke dashur që ky fakt të anashkalohet. “Është anomali të mbyllet debati në kushtet ku tragjedia është e hapur dhe shtypi hedh dritë për tregti armësh të tmerrshme”, ka deklaruar nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe. Sipas tij, parlamenti nuk mund të merret me çështjet e rendit të ditës, ndërsa tragjedia nuk është mbyllur akoma. “Kjo është një arsye shumë e madhe, ne nuk mund të shesim sot as INSIG-un, as Korporatën Elektroenergjitike mbi kufoma dhe ky është amoraliteti më i madh”, ka deklaruar Braçe. Edhe deputetët e LSI-së janë bashkuar me deputetët e tjerë opozitarë dhe kanë braktisur seancën. Ndërkohë, është deklaruar se deputetët opozitare nuk do të marrë pjesë në asnjë nga seancat parlamentare derisa të zbardhet e plotë ngjarja e ndodhur në Gërdec. Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës e kanë vijuar të vetëm seancën parlamentare, duke miratuar ligjet për “Insig”-un dhe Kesh-in me shumicë të thjeshtë.