Veri-Jug, ose PD-PS
Prej 20 vjetësh dy partitë e mëdha e kanë ndarë vendin në dy bastione: PD merr Veriun, PS merr Jugun. Një orientim i votës popullore i cili ka shkaqe historike dhe aktuale. Ja sesi ka evoluar vota krahinore nga njëri proces elektoral në tjetrin
Nga: Skender Minxhozi
MAPO
Vota krahinore është një fenomen relativisht i ri në Shqipëri. Tabu e pashkruar dhe temë delikate për aktorët politikë të të gjithë krahëve, kjo votë kushtëzon prej njëzet vjetësh mënyrën sesi ndahet, por edhe sesi menaxhohet pushtetit qëndror e lokal në vendin tonë. Vota krahinore ka pak a shumë (por jo ekzaktësisht) moshën e demokracisë shqiptare. E kjo është normale, pasi në sistemin komunist nuk egzistonte pluralizmi politik. Pas rënies së sistemit totalitar, në fillim të viteve 90, një numër shndërrimesh politike, sociale, demografike e kulturore, bënë që vota politike e shqiptarëve të merrte gjithnjë e më tepër një drejtim gjeografik, krahinor. Ishte në fakt një thellim i një dukurie që pasqyronte, në kushte të reja, një ndarje mes gegësh e toskësh, që përbën njërën ndër dilemat e mëdha ekzistenciale të Shqipërisë së djeshme dhe të sotme.
Ardhja në pushtet e komunistëve, e përforcoi ndarjen krahinore që egzistonte edhe më parë. Megjithë propagandën që përdorej asokohe për frymën e zhvillimit e progresit që po çohej në të gjithë cepat e vendit dhe përtej asaj politike që vërtet mund të konsiderohej si i tillë, gjatë regjimit komunist u ruajt një bosht jo vetëm ideologjik i pushtetit, por edhe një pigment i theksuar krahinor i tij. PPSH ishte një parti ku dominimi i figurave nga Jugu, eklipsonte dukshëm listën e zyrtarëve që vinin nga zonat veriore. Kjo logjikë shtrihej edhe në qeverisje dhe institucionet e tjera kryesore të shtetit.
Pas vitit 1990, kur Shqipëria u hap dhe në horizont u shfaq enigma e zgjedhjeve pluraliste, vota, si një shprehje bazë e vullnetit të qytetarëve, mori një drejtim që pasqyronte trendin e ri të përmbysjes që kishte ndodhur. Pas marsit 1992, kur u votua praktikisht në mënyrë referendare për ndarjen me sistemin komunist, zgjedhësit shqiptarë kanë nisur të votojnë në baza gjithnjë e më të artikuluara krahinore. Kemi marrë si shembuj tre piketa kohore: zgjedhjet lokale të vitit 1992, referendumin e vitit 1994 dhe zgjedhjet e fundit të përgjithshme të 28 qershorit 2009. Në dy prej shembujve, në atë të referendumit për Kushtetutën dhe në zgjedhjet e fundit politike, vihet re qartë sesi votat popullore, ato për subjektet politike, janë shpërndarë sipas një fryme të lexueshme krahinore: Veriu djathtas dhe Jugu majtas. Ndër të tre proceset zgjedhore, ai i korrikut 1992 është ndoshta më interesanti, pasi aty vihet re se vota popullore ende nuk është futur në shinat e pastra të ndarjes Veri-Jug.
Nëse shohim sesi është ndarë vota popullore e dy partive të mëdha PD e PS në pjesë të tilla të Veriut si Dibra e Kukësi, do të vemë re se nuk egziston ende elementi krahinor. Në këto zona, që më vonë do të ngjyheshin për një kohë të gjatë në blu, vota është e balancuar. Ashtu siç nuk ka ndodhur për pjesë të tjera të Veriut si Shkodra, ku vota ka marrë një drejtim të qartë djathtas. Ndërkaq, nëse vërejmë sesi është votuar në ato zgjedhje në Jug, do të shohim sesi psh Lushnja apo Mallakastra vazhdojnë të kenë një inerci të qartë vote majtas.
Kjo shpërndarje vote nuk ka qenë e tillë dy vjet më vonë, kur është votuar në një referendum për aprovimin e kushtetutës së re, që u përjetua si një akt proteste ndaj qeverisë dhe presidentit të kohës Berisha. Siç mund të shihet nga shifrat që kemi botuar më poshtë, zonat e veriut si Shkodra apo Tropoja kanë ndjekur apelin që hidhte fushata e ethshme e Sali Berishës për ta aprovuar Kushtetutën e re, kurse zona të Jugut si Tepelena e Mallakastra kanë votuar thellë kundër projektit në fjalë.
Duhet thënë se në këtë orientim të votës, në raport me dy partitë e mëdha, një rol të dorës së parë ka luajtur stili i qeverisjes i presidentit Berisha, pas ardhjes në pushtet në vitin 1992. Presidenca autoritariste e Sali Berishës, megjithë rekuizitën përkatëse që sillte në jetën politike e sociale të vendit, ka qenë një element përcaktues në kultivimin e frymës se ndasisë politike mes Veriut dhe Jugut të Shqipërisë. Në kushte të reja, po ndodhte një fenomen i vjetër, veçse i përmbysur. Stili udhëheqës i zotit Berisha, i mbivendosur mbi trashëgiminë e ndarjeve të reja e të vjetra mes dy anëve të vendit, ka qenë tharmi kryesor që ka përcaktuar dhe orientuar votën e banorëve të Veriut e Jugut, në favor të njërës apo tjetrës parti kryesore.
Kjo u duk më së miri edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, në 28 qershor 2009, kur u votua në një sistem kombëtar proporcional, në bazë qarqesh. Në gjashtë qarqe të Veriut dhe Jugut, që po i botojmë më poshtë, duket qartë sesi vota për partitë është e orientuar në një drejtim të caktuar. Vetëm një vit e pak muaj pas shpërthimit të Gërdecit dhe një numri skandalesh, qeveria ka marrë një numër të madh votash në qarqet e Dibrës, Kukësit e Shkodrës, ndërkohë që është penalizuar dukshëm nga votuesit në qarqet e Fierit, Gjirokastrës e Beratit.
Vota krahinore ndjek më së shumti mënyrën sesi partitë e konceptojnë territorin dhe sesi i menaxhojnë energjitë e tyre në terren. Por më së shumti kjo votë e polarizuar ndjek stilin politik që aplikojnë përditë liderët kryesorë politikë, të cilët me sjelljen e tyre krijojnë simpati ose antipati, në pjesë të caktuara të vendit. E kjo është në thelb një mbeturinë arkaike e një politike të dëmshme dhe përçarëse.
Eduard Zaloshnja – Duhet pakt mes palëve për votën krahinore
Zoti Zaloshnja, para pak ditësh ju botuat një shkrim ku fokusoheshit në ndarjen partiake të votave në Tiranë, duke e parë këtë nga këndvështrimi i orgjinës krahinore të votuesve. Ndasia krahinore e votave ka qenë një tabu për shumë vite në politikën shqiptare. A mendoni se ka ardhur koha që ky fenomen socio-politik të shtjellohet me themel nga ana shkencore?
Zaloshnja: Në artikullin që ju përmendni (Tri Tiranat dhe Tirana e Katërt, botuar në respublica.al), nuk u bazova në ndonjë studim shkencor, sepse, fatkeqësisht, deri më sot nuk është kryer ndonjë studim serioz për të evidentuar preferencat politike të votuesve tiranas sipas origjinës krahinore, ose të paktën unë nuk kam parë të jetë publikuar një i tillë. Për këtë arsye, ai artikull duhet konsideruar thjesht si një sprovë e bazuar në perceptime personale të mijat. Por ka ardhur koha që të kemi studime të mirëfillta shkencore rreth sjelljes elektorale të votuesve, jo vetëm nga këndvështrimi i origjinës krahinore, por edhe të asaj urbane/rurale dhe fetare. Më tej, mund të studiohet sjellja elektorale e votuesve edhe sipas nivelit arsimor, nivelit të të ardhurave, dhe statusit të punësisë. Në botën demokratike ka mbi 100 vjet që bëhen studime të tilla, të cilat i shërbejnë klasës politike për të adresuar sa më mirë interesat dhe pritshmëritë e shtresave të ndryshme shoqërore.
Çfarë mund të thuhet për atë që në këto 20 vjet është quajtur Jugu rozë dhe Veriu blu? Cilat kanë qenë sipas jush, disa nga shkaqet e kësaj ndarjeje?
Zaloshnja: Unë do të kufizohesha në 11 vjetët e fundit, sepse në vitet 90, vetëm zgjedhjet e 1992-shit u zhvilluan në kushte normale. Dhe ato zgjedhje ishin më shumë një plebishit mbi varrosjen e diktaturës, se sa një sprovë elektorale për partitë politike në garë. Është fakt që, në 11 vjetët e fundit, krahinat nën lumin Shkumbin kanë anuar më shumë nga ajo që ne e quajmë e majtë dhe krahinat mbi lumin Mat kanë anuar më shumë nga ajo që ne e quajmë e djathtë. N