E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veri lideret ilegale kercenojne banoret

Pas aksionit të fundit të KFOR-it, të ashtuquajturit kryetarë të komunave në veri të Kosovës kanë intensifikuar thirrjet dhe kërcënimet ndaj banorëve serbë, me qëllim mbrojtjen e barrikadave me të gjitha mjetet.

Burime të afërta me zhvillimet në këtë pjesë bëjnë të ditur se komuna e Mitrovicës, pas mbledhjes së shtabit të situatës së jashtëzakonshme, ka ftuar banorët e moshës 20 deri në 50 vjeç të jenë në gjendje gatishmërie për mbrojtjen e barrikadave në momentin që lëshohet alarmi i rrezikshmërisë.

Po kështu, në këtë mbledhje është thënë se të gjithë pronarët e dyqaneve janë të detyruar t’i mbyllin ato. Në mbledhjen e shtabit të situatës së jashtëzakonshme në komunën paralele të Mitrovicës është kundërshtuar hapja e Zyrës Administrative nga qeveria e Kosovës.

“Serbët të cilët kërkojnë punë në këtë zyrë do të identifikohen dhe do të penalizohen për tradhti”, citojnë burimet liderët serbë në mbledhjen e tyre.

Serbët shqyrtojnë mundësinë e rivendosjes së barrikadave dhe shpërfilljen e urdhërave të komandës rajonale të Policisë së Kosovës në lidhje me largimin e targave të automjeteve të ish-Jugosllavisë.

Gjithësesi, liderët e serbëve në veri janë në pritje të një takimi me presidentin e posazgjedhur të serbisë, Tomislav Nikoliç.

Mësohet se përveç të tjerash, kryetarët e tri komunave paralele janë të interesuar të dëgjojnë nga presidenti i Serbisë detajet rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit.

Përveç të ashtuquajturve kryetarë të komunave, për këto çështje janë dakorduar edhe Ministria ilegale e Punëve të Brendshme, Mbrojtja Civile dhe strukturat e tjera ilegale.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›