Veriu i Kosovës/ SHBA zgjat gjendjen e jashtëzakonshme: Aktet e dhunës kërcënojnë integrimin në institucionet transatlantike

Presidenti amerikan Joe Biden ka zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme mbi atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht mbi krizën në veri të Kosovës, midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Seksioni 202(d) i Aktit Kombëtar të Emergjencave (50 U.S.C. 1622(d)) parashikon përfundimin automatik të një emergjence kombëtare, përveç rastit kur brenda 90 ditëve përpara datës së përvjetorit të shpalljes së saj, Presidenti publikon në Regjistrin Federal dhe transmeton Kongresit njoftimin ku thuhet se urgjenca do të vazhdojë edhe përtej datës së përvjetorit.
Në përputhje me këtë dispozitë, i kam dërguar Regjistrit Federal për publikim njoftimin e bashkangjitur ku thuhet se urgjenca kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor e shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 të datës 26 qershor 2001, sipas të cilit janë marrë hapa shtesë në Ekzekutiv. Urdhri 13304 i datës 28 maj 2003 dhe i cili u zgjerua në fushëveprimin me Urdhrin Ekzekutiv 14033 të datës 8 qershor 2021, do të vazhdojë në fuqi përtej datës 26 qershor 2023”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Në mesazhin e saj, dërguar Kongresit, Shtëpia e Bardhë thekson se situata aktuale në Ballkanin Perëndimor po pengon përparimin drejt qeverisjes efektive, demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, aktet e dhunës ekstremiste përbëjnë një kërcënim dhe për këtë arsye, presidenti Biden ka vendosur vijimin e emergjencës kombëtare të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 në lidhje me Ballkanin Perëndimor.
“Aktet e dhunës ekstremiste, aktivitetet jo progresive, si dhe situata në Ballkanin Perëndimor, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive, demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, të përshkruara në këto Urdhëra Ekzekutive vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme e Shteteve të Bashkuara.
Prandaj, kam vendosur se është e nevojshme të vazhdojë emergjenca kombëtare e shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 në lidhje me Ballkanin Perëndimor”, përfundon njoftimi i Shtëpisë së Bardhë.
Shtëpia e Bardhë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në vitin 2001 në Ballkanin Perëndimor,e rivendosi në 2003-in dhe 2021-n. Kur gjendja e jashtëzakonshme përfundonte më 26 qershor të këtij viti SHBA vendosi ta zgjasë me 1 vit duke marrë në konsideratë situatën e tensionuar në veri të Kosovës, ku Prishtina dhe Beogradi janë përplasur me njëra-tjetrën mbi vendosjen në funksion të komunave në veri dhe ushtrimin e detyrës nga kryetarët e rinj të dalë nga zgjedhjet e mbajtura në maj.
Vendosja e kryetarëve të rinj në këto komuna u shoqëruan me protesta të dhunshme nga ana e protestuesve serbë të cilët sulmuan ushtarët e KFOR-it, policinë e Kosovës dhe nuk kursyen as mediat e gazetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ndërsa më 15 qershor gjendja arriti kulmin e tensionit midis Prishtinës dhe Beogradit, kur forcat serbe rrëmbyen tre policë brenda territorit të Kosovës.
/rtsh.al/