Veriu i Kosovës sundon, por ende s’po e ndan shapin nga sheqeri
Kam shpresuar, shumë, se këtë muaj, në kolumnen time të rregullt për “Vijesti”, do të mund t’i shmangem veriut si temë. Do të doja të shkruaja për shumë gjëra tjera që nuk kanë asnjë lidhje me konfliktin e papërfunduar të cilin Kosova (dhe bashkësia ndërkombëtare në Kosovë) e kanë me pushtetin beogradas dhe ekstremistët serbë në veri. E ka aq shumë gjëra për të shkruar – për vuajtjet e kosovarëve me Qeverinë e cila po na shtyn në humnerën ekonomike, problemet me shëndetësinë dhe arsimimin, ose për gjëra shumë më të këndshme, sikur që është ndikimi i Lionel Messit dhe Barcelonës te fëmijët në Kosovë.
Por, për fat të keq, nuk mundem! Derisa Messi jep gola, veriu po sundon Kosovën!
* * *
Siç na shpjegon Vuk Drashkoviqi, shërbimet sekrete serbe tashmë i kanë informatat e sakta për atë se në veri të Kosovës nuk bëhet fjalë për popull “duarthatë” serbë, por për një përpjekje të inskenuar mirë që “Serbia të kthehet në vitet ‘90”. Ekziston, pra, një raport sekret i shërbimeve serbe të sigurisë që tregon se demonstruesit serbë dhe ndërtuesit e barrikadave në veri të Kosovës, që u përballën me paqeruajtësit ndërkombëtarë në Jarinjë, janë grupe të organizuara ekstremiste që i sulmuan ushtarët e KFOR-it dhe përdorën madje edhe mjete shpërthyese dhe municion lufte. Përkundër kësaj, qeveria e Boris Tadiqit dhe mediat e nënshtruara ndaj saj insistojnë në një rrëfim krejt tjetër për veriun e Kosovës, në të cilin rregullisht flitet për Davidin e pafuqishëm serb, i cili po lufton kundër Goliatit të tmerrshëm ndërkombëtaro-shqiptar. Barrikadat, sipas këtij rrëfimi, janë pasoja e padrejtësisë dhe e konspiracionit të drejtuara kundër serbëve. Fakti që edhe Tadiqi, edhe Ivica Daçiqi, edhe Goran Bogdanoviqi, edhe negociatori Borko Stefanoviqi, e kishin lexuar raportin e shërbimit sekret serb për Jarinjën shumë para se atë ta lexonte Vuk Drashkoviqi, vetëm sa tregon se autoritetet serbe me vetëdije të plotë ndërtojnë, nxisin dhe shtyjnë konfliktin në Kosovë - gjë për të cilën Prishtina ka kohë se tërheq vëmendjen. Fakti që me këtë çdo ditë e më tepër po shkatërrohet e ardhmja e të gjithëve, e më së shumti e serbëve në Kosovë - prej të cilëve dy të tretat jetojnë jo në veri, në kalifatin serb të quajtur Mitrovicë, por në pjesët tjera të Kosovës –duket se është tërësisht i parëndësishëm për ta. Sepse, si të interpretohet ndryshe skenari, për të cilin Drashkoviqi thotë se po qarkullon në Beograd, që në Kosovë të shkaktohet gjakderdhja pas së cilës do të pasonte një “Stuhi” e re dhe kolonat me traktorë plot serbë që po ikin nga Kosova. Sipas atij skenari, barrikadat, natyrisht, do të mbeten atje ku edhe janë – sepse ato janë ndërtuar jo si pasojë e frikës së serbëve nga shqiptarët apo forcat ndërkombëtare, por si pjesë e planit që Kosova të ndahet, në veriun serb dhe në jugun shqiptar. Ajo që Dobrica Qosiqi që moti e ka emërtuar “përkufizim”, e për të cilën për çdo ditë e më shumë po flet publikisht zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiqi, i cili me retorikën e tij agresive ditët e fundit më së miri tregon se nuk ka harruar asgjë nga zanati i tij i vjetër, të mësuar prej Slobodan Milosheviqit, personalisht. Sepse, barrikadat janë hapi i parë drejt përkufizimit në terren. Pas saj do të duhej të vinte “Stuhia” e inskenuar kosovare, negociatat e reja, ndonjë Dayton i Kosovës dhe ndarja e saj si “kompromis historik”. Tragjedia është edhe më e madhe kur shohim se edhe në mesin e disa vendeve perëndimore, e posaçërisht në mesin e disa zyrtarëve brenda Bashkimit Evropian, ka tepër mirëkuptim për plane të tilla të cilat në esencën e vet u takojnë politikave nga kohët e luftërave ballkanike – shkëmbimet e territoreve dhe ndarjet etno-nacionale – e jo vlerave të sotme evropiane dhe të botës së civilizuar demokratike.
* * *
Me këso njohurish, çdo ide për çfarëdo dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, madje edhe atij teknik, bëhet e pakuptimtë, e mbase edhe e padëshirueshme. Sepse, nëse pritjet beogradase se diçka ende mund të përfitohet rreth Kosovës janë në bazën e skenarit dhe të planeve që do të shkaktonin gjakderdhje dhe që do të sakrifikonin jetët e njerëzve për të krijuar kaos, për të futur urrejtjen dhe frikën ashtu që të mund t’i ndanin e përkufizonin popujt, atëherë më e mençur do të ishte që ato pritje menjëherë dhe në mënyrë të pakthyeshme të zhbëhen. Kjo do të thotë se nuk mund të bëhet kurrfarë dialogu derisa në Beograd hartohen plane të tilla. Kjo do të thotë se Serbia nuk bën t’i afrohet Bashkimit Evropian për asnjë milimetër më tepër derisa atje në pushtet ende janë ata njerëz që e dëshirojnë gjakderdhjen.
Atyre u duhet thënë menjëherë se ky është kufiri të cilin nuk mund ta kalojnë. Jo në Evropë, jo në shekullin 21. Kështu do të shpëtonim edhe jetët e njerëzve, edhe idenë evropiane. Në të kundërtën, derisa Messi të vazhdojë të japë gola, ne pandërprerë do të shkruajmë për atë se si veriu sundon Kosovën, e edhe më tepër Serbinë. Dhe nëse gjërat vazhdojnë kështu mjaft gjatë, do të sundojë tërë rajonin. Dhe do të jetë tepër vonë për Messin, si model i përkryer për fëmijët tanë; veriu do ta zërë edhe atë vend.
Shkrimi është shkruar posaçërisht për të përditshmen malazeze “Vijesti”