E Diel, 1 Nëntor 2026

Veriu, qeveria akuzon Beogradin, opozita akuzon pushtetin

PRISHTINË- Kuvendi i Kosovës po diskuton në një seancë të jashtëzakonshme për situatën në pjesën veriore të vendit. Seanca ishte thirrur për të diskutuar për hapat e mëtejshëm të mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë në atë pjesë të Kosovës, ku si pasojë e një sulmi me mjet shpërthyes, më 8 prill, u vra në banesën e tij në lagjen “Tre Rrokaqiejt”, Selver Haradinaj, ndërsa u plagosën disa të tjerë.

Rexhepi: Përgjegjës për situatën, Serbia
Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës që po mbahet për gjendjen në veri të vendit, deklaroi se situata e sigurisë në veri është e tensionuar si pasojë e veprimeve të organizatave kriminale serbe, me mbështetjet e strukturave ilegale, mirëpo po mbahet në kontroll.
Rexhepi duke raportuar për gjendjen në Mitrovicë theksoi se përgjegjës për gjenden atje janë institucionet e Serbisë, të cilat janë kapluar nga ethet zgjedhore.

Ai deklaroi se me arrestimet e qytetarëve të Kosovës në Serbi, me moszbatimin e marrëveshjeve, po dëshmohet se ministri i rendit i Serbisë, Ivica Dacic me plot fanatizëm po dëshmon se është trashëgimtar i Milosevicit.
Rexhepi duke folur rreth vrasjes së Selver Haradinaj tha se rasti është cilësuar si akt terrorist, dhe i i tillë është duke u hetuar nga Njësiti anti-terrorist i Policisë së Kosovës, mbështetur nga Task-Forca e EULEX-it.

Ministri i rendit, ndër të tjera u shpreh se pas gjendjes së krijuar kanë shtuar prezencën e policisë në lagjet e banuar me popullatë të përzier.

Opozita, ndërkaq, akuzoi ekzekutivin e Kosovës për mungesë rezultatesh në integrimin e veriut dhe në sigurimin e një ambienti, në të cilin siç thuhet, qytetarëve do t’u mundësohej zhvillimi i një jetë të sigurt.

(el.me/ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›