E Diel, 1 Nëntor 2026

Veriu, serbët nuk pranojnë të heqin barrikadat

 Përfaqësuesit e strukturave paralele në veri të Kosovës kanë deklaruar se barrikadat kryesore nuk do të largohen nga rrugët derisa të mos gjendet një zgjidhje për vendkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak.
Ata kanë thënë se në takim me përfaqësuesit e KFOR-it nuk kanë marrë kurrfarë afati për heqjen e barrikadave deri në fund të kësaj jave, porse po punojnë për relaksimin e gjendjes në terren.

Kryetari paralel i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviç, ka thënë se largimi i disa barrikadave nuk do të thotë se serbët e rebeluar do të largojnë edhe barrikadat kryesore, derisa të mos gjendet një zgjidhje kompromisi për problemet në veri të Kosovës.

Ndërsa, kryetari paralel i Mitrovicës, Krstimir Pantiç, ka deklaruar se ekzistojnë disa opsione nëse KFOR-i do të tentojë që të largojë barrikadat.

E para është që popullata vetëm të jetë vëzhguese e kësaj, që është pak e besueshme. Opsioni i dytë është që barrikadat të mbrohen dhe i treti është që për çdo barrikadë të hequr të vendosen dy të reja, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›