Vërshim i sensibilitetit dhe humanizmit
Mos humbisni nga sot, ekspozitën e artistit spanjoll, Jordi Socias, në Galerinë Kombëtare në Tiranë
Ka njerëz që prej asgjësë arrijnë absoluten, personazhe që janë krijuar vetë me shumë pak mundësi në dispozicion, përveç talentit dhe këmbënguljes dhe pothuaj gjithçkaje tjetër kundra. Jordi Socias është njëri prej tyre.
Lindi në vitin kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore (1945) në lagjen e Familjes së Shenjtë në Barcelonë, në gjirin e një familjeje laike, punëtore dhe republikane.
Nga shkolla e rrugës i mbeti, ashtu si shumë të tjerëve, një vështrim mirëkuptues dhe i kthjellët i njerëzve dhe vendeve të saj. I mbeti po ashtu një aftësi e shkëlqyer për të vlerësuar kënaqësitë e vogla të jetës.
Në fund të fundit, ai që është rritur rrugëve dhe trotuareve, në qiell të hapur, ndërmjet lokaleve të lagjes dhe lojërave të futbollit, është në gjendje të çmojë atë që të tjerët nuk e vlerësojnë: që nga aroma dhe shija e një pakete cigaresh, miqësia solidare në kohë krize apo një biletë e lirë në kinemanë e lagjes.
Më pas do të vinte kontakti fillestar iluminues me kulturën autodidakte, me bisedat nëpër kafene, dashuritë e para, indoktrinimi politik, sesionet e kinoklubit me Antonionin dhe Torres Nilsson dhe udhëtimet në rrugë dytësore si shitës orësh të lira.
Jordi Socias është rrënjësisht aq autodidakt, saqë kontaktet e para me fotografinë, zanatin që do t'i linte gjurmë për gjithë jetën, i pati nëpërmjet një kursi me korrespondencë.
Në atë kohë kishte vizituar tashmë Parisin, pra e kishte zbuluar ç'do të thoshte jeta e përditshme në liri, simbolet komuniste, kioskat me revista të pacensuruara, kinematë me filma të ndaluar, subversionin surrealist, libraritë pa dhomë të pasme, bistrot, sensualitetin e vështrimit...
Kurrë më parë një kurs fotografie me korrespondencë, nuk kishte gjeneruar një vërshim të tillë sensibiliteti dhe humanizmi.
Gazetar