E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meidani: Të hapen kutitë e votimit

Ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, flet mbi librin e kujtimeve "Midis Nanos dhe Berishës" të Alfred Moisiut


TIRANË - Ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, është i mendimit se kutitë e votimit duhet të hapen për të zbardhur të vërtetën.


Duke folur mbi librin e kujtimeve "Midis Nanos e Berishës" të ish-presidentit Alfred Moisiu, Meidani ka marrë shkas për të bërë një paralelizëm me situatën aktuale në vend, e konkretisht mbi debatin që lidhet me procesin zgjedhor të 28 Qershorit.


Duke iu referuar qëndrimit të Moisiut se duhet një proces transparent, Meidani ka qartësuar se politika nuk do t'i përgjigjet kësaj kërkese, pasi, sipas tij, kutitë e votimit tek-tuk fshehin realitetin konkret. Këtij qëndrimi i ka mëshuar sërish dje ish-Presidenti, Moisiu. Gjatë fjalës së tij, ai ka theksuar se duhet vullnet politik për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme.


Edhe ish-Presidenti Meidani, duke folur për librin e kujtimeve "Midis Nanos dhe Berishës", është shprehur se, "tranzicioni shqiptar, sa i vrullshëm dhe përmbysës, në momente të caktuara është shoqëruar me mjaft karakteristika negative, pse jo dhe me zigzage të rrezikshme e kthime prapa".


"Në jo pak raste, përveç vështirësive të natyrshme e objektive, po aq problematike kanë qenë dhe gjenerimet politike, aspektet subjektive të origjinave të ndryshme, intolerancat sa primitive, aq dhe partiake.


Diku i ndikimeve, përvojave dhe konceptimeve të mëparshme të partisë - shtet apo ekonomisë së centralizuar, diku i korrupsionit politik e administrativ dhe diku tjetër i frymës nepotike e bajraktariste në vend të drejtimin ligjor-institucional, brenda strukturës shtetërore apo partiake.


Për më tepër, po të analizohet me kujdes ky libër, por dhe po të studiohet e gjithë historia e tranzicionit politik, ekonomik e institucional shqiptar, krahas mishërimit me dashje apo pa dashje të koncepteve "mbytëse" të partisë-shtet, vihet re se fuqia legale gjatë këtyre 18 - 19 viteve të tranzicionit nuk është ushtruar gjithnjë nga institucionet kushtetuese (ekzekutive, legjislative apo gjyqësore)",- tha dje Meidani.


Ish-Presidenti sqaron se, "brenda një optike të gjerë, ky libër kujtimesh, por dhe mesazhesh të qarta, më shpesh të drejtpërdrejta, i realizon më së miri qëllimet e tij në aspektin institucional-qytetar, dhe politik - artistik".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›