Versioni i butë i Bukoshit
Që nga ajo ditë, Bujar Bukoshi kishte dalë në sipërfaqe si politikan i guximshëm, një profil që e ruajti për dy dekada të tjera në politikë. Për asnjë çast, nuk e ka përqafuar idiomën se heshtja është ar. I tillë kishte qenë edhe ditën që mori postin e kryeministrit dhe iku në Perëndim. I vendosur ishte treguar edhe në verën e nxehtë të vitit 1998, kur gjendej përballë djemve të UÇK. Nuk ishte frikësuar as në vitin 2006, kur demaskonte madje edhe në gjyq njerëzit “e parapolitikës” që udhëhiqnin qeverinë e Kosovës, nën petkun e LDK. Bujar Bukoshi ka akuzuar vazhdimisht, duke filluar nga shtëpia e tij e moçme – LDK, lideri i saj Ibrahim Rugova, si dhe qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës, duke mos e kursyer gjuhën fare. Tash, muhabeti ka ndryshuar. Bukoshi ka ndërruar për 300 shkallë. Në një intervistë për “Express”, ai për asnjë moment nuk akuzon askënd. Flet qetë dhe butë, duke u treguar bujar, kur lëshon lëvdata, sidomos për LDK, pjesë e së cilës tashmë është edhe një herë.
Ka disa muaj që jeni pjesë e Kuvendit, por për këtë kohë ju nuk jeni vërejtur fare, ende nuk keni folur asnjëherë aty...
Kuvendi, si institucion më i lartë i vendit, nuk e ka filluar punën e mirëfilltë, për shkak se ka pasur disa punë paraprake. E kam fjalën te pakoja e Ahtisaarit, ka pasur disa seanca, në të cilat kanë kaluar ligjet, pa bërë debat në parlament, të tilla ishin obligimet.
Prandaj ishte parlament defektoz. Pastaj, puna e parlamentit nuk ishte aq spektakolare, por unë nuk shoh se Kuvendi është ndalur, por ka punuar me një tempo të imponuar për shkak të zhvillimeve. Shpresoj që së shpejti, në kuptimin më pozitiv, Kuvendi të shpaloset, si çdo Kuvend tjetër.
Do të thotë që këto janë arsyet? Por, mos ka edhe diçka tjetër në këtë mes? A vjen kjo si pasojë e pozicionit tuaj apo mund të interpretohet heshtja juaj si taktikë e kalkulimit?
Po filloj nga pjesa e dytë e pyetjes - kalkulimi. Përllogaritja është pika e dobët e imja. Sikur të kalkuloja edhe përpara, do t’i kisha punët më ndryshe. As që më ka mbetur merak për kalkulime. Unë shikoj aty për aty se çka është në interesin e përgjithshëm apo kauzën e caktuar. Ju e dini, para luftës ishte kauza e çlirimit tonë nga Serbia, ajo punë tash u krye. Pas luftës ka qenë kauza tjetër, se si të bëhet Kosova shtet i pavarur, tash edhe kjo formalisht u krye, edhe pse pa lidhje zgjati shumë më tepër nga sa duhej. Tash kemi një etapë krejt tjetër, shtetndërtimin, për mua mjaftë të rëndë dhe as këtu askush nuk bën të kalkulojë, por secili le ta japë kontributin e vet. Personalisht, unë nuk jam duke ushtruar ndonjë farë pozicionimi, mirëpo edhe në këto punë ka një rend. Është e pamundur që në Kuvend të kuvendosh çfarë të duash, por aty ka procedura, përndryshe aty do të bëhej lëmsh sikur mos të respektoheshin ato procedura dhe rendi. Sa më përket mua, unë nuk po ndiej ndonjë mungesë të hapësirës për t’u shpalosur dhe nuk do të hezitoj ta them fjalën time, aty ku konsideroj se ajo duhet thënë.
Ju tashmë e keni shpërbërë partinë tuaj. Kaq ishte ideja juaj për një platformë ndryshe në skenën politike të Kosovës?
E kam theksuar disa herë më parë se arsyet për të qëndruar jashtë LDK për mua, por dhe për një pjesë të intelektualëve të Kosovës që e themeluan atë nuk ekzistojnë më. LDK kurrë nuk ka qenë vetëm edhe një parti politike, por ajo para së gjithash ishte një projekt kombëtar dhe një fillim i shtetësisë së Kosovës. Ata që e themeluan dhe udhëhoqën për vite këtë projekt janë padyshim memorja politike e LDK. Pas çlirimit të Kosovës dhe me formalizmin e jetës politike pluraliste ka pasur arsye që dikush të shikonte punën e vet, dikush të rrinte anash luftës politike dhe dikush të vazhdonte. Konkurrimin tim, nën emrin e LDK, unë e shoh si proces normal të një politikani që për vite të tëra është identifikuar me këtë parti. Por, nga ana tjetër, kjo flet se kjo parti është e hapur për të gjithë ata që i dhanë asaj vlera gjatë këtyre dekadave. Është në të njëjtën kohë një ftesë për ata që hezituan t’i bashkoheshin politikës duke i lënë me atë hezitim vend njerëzve ordinerë, banalë dhe grupeve të dyshimta, që të depërtojnë dhe të dëmtojnë Kosovën. Ju e dini se pas çlirimit të Kosovës ka pasur ndryshim të madh në skenën politike të vendit. Unë nuk kam qenë i kënaqur me zhvillimet e asaj periudhe dhe kështu themelova një parti të re, me qëllim për të dhënë një kontribut edhe më të mirë. Ndërsa në zgjedhjet e fundit u krijua një ndjejë e përgjithshme se ky partikularizëm me partiza dhe partiçka nuk çon askund edhe u ndie një nevojë, si nga ana e PreK, ashtu edhe nga ana e LDK, që të krijohej një koalicion parazgjedhor. Ky koalicion u tregua shumë i rregullt. Ai u arrit me një lehtësi shembullore. E tërë kjo tani është një histori. Unë jam kthyer në LDK, pra jam kthyer në shtëpinë time dhe jam mirëpritur nga të gjitha strukturat në LDK, nga anëtarësia dhe nga votuesit e saj. Por, përkundër kësaj, për fat të keq, punët nuk ecën mirë, për sa i përket rezultatit të zgjedhjeve. LDK për herë të parë humbi zgjedhjet dhe humbi primatin.
Kur ju formuat Partinë e Re, u duk se kritikat tuaja ndaj LDK ishin të njëmendta. Çfarë ndodhi tash, ndryshoi LDK apo ndryshuat ju mendim për LDK?
Kritikat që unë i kam shprehur në atë kohë, prapë po them, nuk kanë qenë me ndonjë kalkulim politik, por ato ishin të bazuara vetëm në brengën time si politikan. Unë mendoj se çdo politikan normal, çdo lider, duhet ta shprehë pa hezitime brengën e tij dhe të kërkojë debat ose të polemizojë. Pra, kritikat e mia nuk kanë qenë armiqësore, ndryshe nga si ato ndoshta janë perceptuar. Sigurisht, ka pasur defekte, si në çdo parti. Unë thashë, shumë nga këto arsye, për të cilat njerëzit janë larguar nga LDK, tashmë janë eliminuar. po flasim në një plan të gjerë. LDK tash i ka parë dhe ka konstatuar disa gjëra që nuk kanë qenë në rregull dhe kjo pranohet.
Në këtë sens ka pasur më pas edhe zhvillime të tjera. U pa pastaj që LDK pësoi disa goditje, sidomos goditjen e ndarjes, goditja tjetër ishte vdekja e Rugovës. Me këto luftëra të brendshme LDK pësoi lodhje, plagosje, me një fjalë u lodh partia.
Ju po përmendni disa ndryshime që ka pësuar LDK. Në çfarë po aludoni, çfarë ka ndryshuar LDK?
Nuk po aludoj, konkretisht janë zhvillimet objektive në këtë vend, të cilat e detyruan LDK që të mendojë ndryshe. Nuk mund të jetë LDK e ’89, ’90 apo ’92 njësoj si LDK e pas 12 qershorit të vitit 99. Kjo është konstatuar. Mirë, nuk ka pasur debate të mirëfillta në LDK, sikurse nuk ka në asnjë parti politike të Kosovës, të jemi korrektë në këtë pikë. Por shumica e faktorëve që e dëmtonin LDK në imazh, në veprim dhe në redimentin e partisë janë tejkaluar.
Ka pasur edhe mendime te disa, se kjo parti do të jetë e përjetshme, që ka qenë një vlerësim i gabueshëm, me një vetëkënaqësi të pabesueshme. Në këto vite LDK është përballur me sfida të tmerrshme, gjë që ka pamundësuar që kjo parti tash të luajë rolin e një partie të mirëfilltë politike, nga një lëvizje gjithëpopullore, e cila ishte e sfiduar të sigurojë mbijetesën e një kombi.
Ndryshimi i vetëm që duket në shikim të parë në LDK është vdekja e presidentit Rugova, humbje kjo, që në një mënyrë, dha mundësi për prurje të reja në LDK...
Këtu menjëherë ka lindur problemi i pretendentëve. Në hapësirën tonë, kur vdes prijësi, vijnë në shprehje ambiciet e njerëzve për të qenë pretendent për vendin që ka mbajtur ai. Dhe kjo u tejkalua shpejt, mirëpo më pas pasoi sherri i njerëzve që paskan pretenduar të bëhen numër një.
A po mund të ambientoheni tash në LDK, pasi divorci juaj nuk ka kaluar pa fjalë?
Prapëseprapë divorci im nuk ka kaluar me ndonjë skandal. Ka ndodhur në mënyrë shumë normale, pa shantazhe, pa kërcënime, pa kulisa... madje për këtë unë e pata lajmëruar atëherë Rugovën. Me një fjalë, dalja ime nuk ka qenë skandaloze, ndërkaq kthimi im në LDK ka qenë kthim në shtëpinë time. Kjo mendoj se ka qenë edhe përshtypja e përgjithshme.
Po në çfarë ndryshon LDK tash, nga periudha kur ju jeni larguar nga andej?
Këtu mund të jap një përgjigje të pjesshme. Logjika ka qenë se LDK si partia më e madhe është përballur me sfida, me probleme, me telashe, por ajo ka arritur t’i tejkalojë ato. Tash, ndërkaq, është mendim i përgjithshëm se LDK duhet t’i fillojë reformat e brendshme. Tash LDK duhet ngritur, pasi që për herë të parë ka krisur kiameti – LDK nuk është e para. Kjo po konstatohet.
A mund të pritet një kthim i fuqishëm i LDK apo ju pajtoheni me zërat se LDK pa Ibrahim Rugovën vështirë të rikthehet atje ku ishte?
Unë e kuptoj LDK në parim si një organizëm, i cili mund të rikuperohet, mund ta rimarrë vetën. Pse po e them këtë? Sepse, kanë mbetur shumë elemente dhe faktorë që flasin se LDK mund të ringrihet. Në bazë të asaj që po shoh çdo ditë, kam bindje të palëkundur që LDK mund të ringrihet. Kjo është pjesa teorike, tash varet prej masave, aksioneve që do të ndërmarrë partia. Koha do të tregojë.
Po a mund të pritet që rikthimi i LDK të bëhet nën udhëheqjen e Fatmir Sejdiut?
Kjo është punë e përbashkët. Një analizë e thjeshtë flet se z. Sejdiu është i gatshëm, është i prirur dhe ka vendosur që pas humbjes së LDK në zgjedhjet e fundit – të veprojë për partinë e tij. Tash, sesi do ta bëjë këtë, pritet të shihet, aktualisht kemi vetëm hapat fillestarë. Natyrisht që z. Sejdiu i plotëson të gjitha ato predispozita për ta udhëhequr partinë. Tjetër është çështja sesi do të rregullohet çështja president- kryetar partie, kjo aktualisht nuk është temë. Të them edhe se z. Sejdiu nuk e ka edhe aq lehtë…
Cili është vlerësimi juaj për punën e deritashme të qeverisë së Kosovës? Ka zëra që thonë se kjo është qeveria më e mirë që ka pasur deri më tash Kosova. Por ka jo pak zëra që hedhin gur e dru mbi të...
E para, unë nuk kam asnjë tendencë këtu të stigmatizoj dikë apo ta glorifikoj e aq më pak të gjuaj gur e dru mbi të, aq më pak kur unë i përkas një partie që është pjesë e qeverisë aktuale. Akoma është herët të bilancohet qeveria. E dyta, personalisht do t’i jepja kësaj qeverie edhe një qind ditë shtesë, për shkak të rrethanave specifike. Më pas mund të bëjmë një vlerësim më të saktë. Unë e kuptoj koalicionin PDK-LDK si koalicion të dy partnerëve, që për momentin nuk është i tillë. Pikënisja ime është që t’i shoh gjërat me pozitivizëm.
Z. Bukoshi, a u realizua ëndrra e shqiptarëve më 17 shkurt?
Po, thonë se ëndrra u realizua definitivisht. Po flas për atë projekt, ku edhe unë kam qenë pjesëmarrës, dhe e di se nuk ka qenë projekti i vetmi, ai ka pasur pararendës. Pavarësia e Kosovës është një hap shumë i madh, këtu nuk ka vend që të kontestohet diçka. Por, tani vjen pjesa tjetër shumë, shumë e rëndësishme – ndërtimi i këtij shteti. Këtu po çalojmë shumë. Nëse ëndrra e shqiptarëve për pavarësi vazhdon të abuzohet nga liderët e dobët, ajo mund të shndërrohet në një zhgjëndërr të hidhur që do t’i sillte dëshpërim dhe telashe të mëdha këtij vendi.