E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veseli: PDK është forca e pushtetit

Partisë Demokratike të Kosovës në Pejë i janë bashkangjitur 630 anëtarë të rinj, të cilët me rastin e Kuvendit Zgjedhor të Degës së PDK-së në Pejë kanë marrë librezat e kësaj partie. Me këtë rast u tha se gjeneratat e reja duhet të vazhdojnë rrugën e nisur drejt integrimeve evropiane.

Kryetari i degës së PDK-së në Pejë, Adem Grabovci tha se për të qenë pjesë e PDK-së së pasluftës ishte vështirë, por duke iu falënderuar këmbënguljes, kulturës dhe besimit të plotë të kryesisë së degës dhe kryesisë së PDK-së, ato u shndërruan në një forcë serioze në Pejë.

“Ju premtoj që çdo hap do të jem së bashku dhe bashkërisht do të punojmë edhe me më këmbëngulje për mirëqenien e gjithë qytetarëve të Pejës dhe duke punuar për Pejën, për familjet tona, do të punojmë për shtetin e Kosovës, një shtet të zhvilluar dhe demokratik“, ka thënë Grabovci.

Kurse, anëtari më i ri i PDK-së, Kadri Veseli deklaroi se Peja i ka dhënë emra të mëdhenj Kosovës, por fati e deshi të ketë një eksperiencë me djemtë e lavdishëm të këtij qyteti siç ka qenë i nderuari Agim Çela, Bekim Berisha, Xhemail Fetahu, Adrian Krasniqi, Agim Çeku e të tjerë.

“Aktualisht është momenti i aderimeve të mëdha në PDK, njerëz të rinj, familjarë, intelektualë të cilët po i bashkëngjiten misionit të PDK-së. Ky është një moment jashtëzakonisht i veçantë për gjithë Kosovës, por në mënyrë të veçantë, edhe mesazh i PDK-së se është forcë e pushtetit, nuk ka bërë izolimin në vetvete siç ndodh shpesh me partitë që janë në pushtet, por ka bërë hapin më të duhur, duke i ofruar potencialeve të reja mundësi për angazhim dhe vlerësim. E besoj që gjithë ky angazhim do të jetë në të mirën e atdheut tonë, duke pas parasysh se me politikat e reja, veçanërisht pas përmbylljes së procesit të pavarësisë së vendit, do të ketë edhe një nivel të veçantë të zhvillimeve dhe transformimeve të fuqishme ekonomike“, ka thënë Veseli.

Ndërkaq, anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti falënderoi qeverinë e Kosovës, të cilët me përkushtim dhe asnjëherë pa thënë jo, pa marrë parasysh që PDK nuk e kishte qeverisjen e Pejës, mbështetën të gjitha projektet të cilat buxheti i Kosovës dhe Kuvendi Komunal kërkoi për Pejën.

“Uroj që si gjeneratë e re që jeni dhe po vini të merrni një praktikë pozitive dhe inkurajuese për neve, me qëllim që ju ta qoni më tutje rrugën e nisur nga themeluesit e degës, themeluesit e PDK-së, me qëllim që të forcohemi edhe më shumë, me qëllim që të jemi vërtet pjesë e fuqishme e së ardhmes së Kosovës, e së ardhmes së Pejës“, ka thënë ai.

E anëtari tjetër i PDK-së, ministri Enver Hoxhaj u ndal te të arriturat e shtetit të Kosovës nën udhëheqjen e PDK-së, e cila, sipas tij, ka për qëllim që Peja të jetë një ndër qytetet më të rëndësishme të Kosovës. Ai tha se misioni i PDK-së është që të bëjë një Pejë dhe një Kosovë evropiane.

Në fund më shumë se 630 anëtar të rinj morën librezat e PDK-së. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›