E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veshkën e “shiti” nga njoftimi në internet

Dëshmitari nga Ukraina, me identitetin e mbrojtur P. M., ka rrëfyer përmes video-lidhjes si kishte udhëtuar në Stamboll dhe më pas në Prishtinë, në shtator të vitit 2008. Në klinikën “Medicus” ia kishte dhuruar veshkën e tij një izraeliteje. I kishin premtuar 30 mijë dollarë amerikanë, por nuk i mori kurrë.

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të martën vazhdoi seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Medicus”, ku po gjykohen Lutfi Dervishi, Arban Dervishi, Driton Jilta, Sokol Hajdini, Ilir Rrecaj, Islam Bytyqi dhe Sylejman Dulla.

Gjykata, me ndihmën e prokurorisë, sot kishte përgatitur mbajtjen e seancës me ndihmën e video-lidhjes me Ukrainën. Gjykata e Kievit e kishte sjell dëshmitarin me identitetin e mbrojtur P. M.

Dëshmitari, para se të fillonte me marrjen në pyetje, kërkoj që atij t’i mbrohej emri, ndërsa fytyra dhe zëri i tij mund të shiheshin e dëgjoheshin nga të gjithë në sallë.

Në kohën sa po i merreshin të dhënat e dëshmitarit, në sallë të gjykimit ishte vetëm kolegji dhe prokurori i çështjes, raporton Gazeta Jeta në Kosovë.

Dëshmitari ishte njëri nga personat që kishte “dhuruar” veshkën e tij të majtë, në këmbim të parave, të cilat asnjëherë nuk i mori.

Dëshmitari P. M. tha se në vitin 2008, kishte pasur probleme financiare dhe e pas disa hulumtimeve që kishte bërë në internet, ai kishte gjetur një njoftim në të cilin kërkohej një “dhurues” për veshkën me një lloj të caktuar të gjakut.

P. M. e kishte lënë numrin e telefonit dhe pas një kohe ai kishte pranuar një telefonat nga një person që i kishte folur rusisht dhe i kishte shpjeguar për ofertën dhe se çfarë duhet të vepronte. Personi e kishte falënderuar dëshmitarin se po i ndihmonte një personi dhe i kishte thënë se kompensimin do të merrte pas operimit.

“Në atë moment më thanë se do t’i merrja 30 mijë dollarë amerikanë”, tha P.M.

P.M. po ashtu tha se i kujtohej se ishte vera e vitit 2008, kur ai kishte udhëtuar për në Stamboll, e më pas për në Prishtinë, për të kryer transplantimin.

Para se të fluturonte për në Stamboll, atij i ishte kërkuar që të bënte një analizë të gjakut, të cilën ai e kishte bërë dhe rezultatin e kishte marrë me vete.

Në Stamboll, P. M. tha se është pritur nga dy persona, të cilët i kishin thënë se “për këtë nuk duhet të diskutonte me askënd dhe se çdo gjë do të shkoj si duhet”. Më pas, e kishin dërguar në një hotel që ishte afër aeroportit, ku kishte qëndruar një natë.

Atë natë, ai ishte vizituar nga një person tjetër, që i kishte marrë atij një kampion gjaku dhe i kishte treguar që ajo i duhet vetëm për analiza.

Të nesërmen, e kishin marrë nga hoteli dhe e kishin në aeroplan për në Kosovë. Kur kishte arritur në Kosovë, atë e kishte pritur një taksi me të cilin pas rreth 20 minutash kishte shkuar në klinikën “Medicus”.

P. M. tregoi se kur ishte futur brenda në objektin trekatesh i ishin marrë të dhënat dhe i ishte thënë se do të hante ushqim, e më pas do ta takonte profesorin.

“Pasi që prita në një seksion të caktuar, në mbrëmje erdhi profesori dhe në një zyre në katin e parë më shpjegoi se çdo gjë do të shkonte në rregull dhe se operimi nuk është i tmerrshëm”, dëshmoi P. M. para kolegjit.

Ai tregoi se këtë profesorin e kishte parë në media se po e kërkonin për trafikim organesh dhe se i ishte kujtuar se ai kishte qenë. “Kishte mustaqe, mjekër dhe flokë të shkurtra”, e përshkroi dëshmitari P. M. profesorin që e kishte takuar në shtatorin e 2008-ës në Prishtinë.

Profesori atë natë para operimit, dëshmitarin e kishte takuar edhe me marrësen e veshkës, e cila sipas dëshmitarit ishte një izraelite që kishte ardhur në klinikë së bashku me vëllain e saj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›