E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështirë për liderin

Liderin e Superligës, Trepçën ’89 të shtunën e pret një sfidë e vështirë. ‘Xehetarët’ do të sfidohen nga Besa në Pejë. Këta të fundit thonë se nuk kanë çka të humbin, andaj i synojnë pikët e plota përballë mitrovicasve. Megjithatë, edhe ‘xehetarët’ objektiv e kanë fitoren me qëllim që ta ruajnë pozitën e parë.

Në këtë fundjavë do të zhvillohet xhiroja e dymbëdhjetë e Superligës së Kosovës në futboll, e cila do t’i sjellë disa përballje interesante.

Takim i tillë interesant pritet të zhvillohet të shtunën në Pejë, ku Besa do ta sfidojë liderin aktual të Superligës dhe kandidatin për titull të kampionit, Trepçën ’89.

Sivjet pejanët po vazhdojnë të përjetojnë krizë të thellë të rezultateve, gjë që nuk u ka ndodhur asnjëherë viteve të kaluara. Deri më tani ata e kanë shënuar vetëm një fitore krahas pesë barazimeve e pesë humbjeve, andaj me vetëm tetë pikë aktualisht pozicionohen në vendin e parafundit të renditjes tabelore.

Por, fakti që të shtunën do ta presin liderin e Superligës ka bërë që motivi të rritet në ekipin pejan, i cili do ta kërkojë një rezultat sa më pozitiv në përballje me mitrovicasit.

“Do të mobilizohemi në 100 për qind për këtë ndeshje dhe do të provojmë të fitojmë, sepse jemi në pozitë të vështirë”, tha trajneri i pejanëve, Miftar Rama.

Por, ekipi kuq e bardh nuk do ta ketë aspak të lehtë ta kryejë me sukses këtë sfidë, ngase 89-shi synon pikët e plota me qëllim që ta ruajë pozitën e parë, të cilën mund ta humbasë nëse nuk e mposht Besën, dhe t’ia rrëmbejë Prishtina në rast se e fiton Trepçën të dielën. Barazimi është vetëm minimumi që do ta kërkojnë ‘xehetarët’ në këtë përballje.

“Pavarësisht se tani gjendet në fund të tabelës, Besa gjithmonë ka qenë dhe mbetet një ekip i respektuar për ne. Do ta kemi shumë të vështirë për faktin se pejanët do të motivohen kur e dinë se përballë e kanë liderin. Megjithatë, ne shkojmë për dy rezultate pozitive, fitore ose barazim. Por, edhe barazimi s’do të ishte i keq për ne”, tha trajneri i 89-shit, Gani Sejdiu.

Takim interesant të shtunën do të zhvillohet në kryeqytet ndërmjet Hajvalisë e Drenicës. Ndërsa, të dielën zhvillohen katër ndeshje tjera të kësaj jave, përfshirë derbin mes Trepçës e Prishtinës.

Superliga – Xhiroja e dymbëdhjetë:

E shtunë

Besa – Trepça ‘89

Hajvalia – Drenica

E diel

Trepça – Prishtina

Ll. Kosova – Vëllaznimi

Ferronikeli - Liria

Hysi – Drita

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 14:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›