Vështirësitë e konsensusit, kur njëra palë është bllokuese
E majta jonë e Ramës nuk bindet që të ndërgjegjësohet se nuk ka për ta kuptuar kurrë atë ftesën e eksponentëve më të rëndësishëm të faktorit euroatlantik për konsensus “të të dy palëve”, si kusht për statusin e kandidatit në BE.
Në bashkëbisedimin Meço-Gjinushi, në studion ABC News, Sonila duket se u ndodh para një të papriture kur Skënderi e ironizoi në kuptimin terminologjik atë fjalën “konsensus”, që ndërkombëtarët e kërkojnë si kushtin kryesor të 12 kërkesave për aderimin në komunitetin europian. Natyrisht, kryetari i partisë social-demokrate, me stigmatizimin që i bëri konsensusit nga ana kuptimore, zgjoi një kundërshtí që u duk në fizionominë e Sonilës, por kjo nuk shkoi gjer aty sa t’i thoshte: -Po ju, a nuk bini ndesh, kështu, me faktorin ndërkombëtar?
Ajo ka qenë gjithmonë e përkorë me të ftuarit në studion e saj dhe i ruajti edhe në këtë rast ekuilibrat. Por të majtët tanë, aleatë të E. Ramës, nuk e kanë pasur për gajle që të shprehen açik, siç është ajo shprehja e numrit dy të PS-së, që tha se “këta (ndërkombëtarët) na u bënë rrodhe dhe po na sillen nëpër këmbë”. Paçka se, kur ua ka dashur puna, bëjnë sikur përgjërohen për atë që dikur e quanin “imperializmi amerikan”!
Ç’është e vërteta, ai konsensusi, kusht për trampolinën e fundit të vendit tonë, pasi është jetësuar anëtarësimi në NATO dhe pasi u realizuan me sukses kërkesat për liberalizimin e vizave, përbën një pikë djegëse për të dyja palët. Për opozitën, kjo pikë është e ngërthyer në motive objektive, për shumë e shumë “arsye”. Së pari, për gjuhën tërësisht agresive. (E. Ballauri, e shoqatave joqeveritare, e kishte ndjerë veten të fyer, që kreu i PS-së i kishte quajtur këto shoqata, si “të shitura!”). Vazhdojmë me nihilizmin tërësor: Varfëri absolute, sikur listat e bukës të mos e kishin fillesën në marrjen e bukës me listë, gjatë tetëvjeçarit 1997-2005, për të cilin Rama ishte shprehur “e kishim me hak humbjen e pushtetit” (se kishte leverdi që të mos nxinte edhe zgjedhjet e 2005, për motive thjeshtësisht vetjake). Ecim më tej - në argumentin se përse konsensusi është problematik për opozitën - me nihilizmin, në parashikimet ogurzeza të turizmit, ndërsa turizmi arriti shifra rekord, duke shumëfishuar të ardhurat e turizmit inekzistent të mëparshëm. Po ashtu édhe për ekonominë në greminë, sikur kjo të ishte rrokullisur më zi se ekonomia katastrofike globale. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar rektifikoi menjëherë qëndrimin dyshues fillestar, duke u shprehur sinqerisht se ishte ndikuar nga opozita. Por faktet e mëpastajme e kishin bindur FMN-në se ekonomia jonë ishte në gjendje të shëndoshë; madje ky fond ndërkombëtar hapi edhe dyert për investime pa kushte, po të kemi parasysh kushtet e rënda që i kanë vënë Papandreut, kursime dhe shtrëngim të rripit gjer aty ku s’mban më, që e kanë sjellë gjendjen në zgrip të gjendjes së jashtëzakonshme.
Meqë po flasim për ekonominë, natyrisht që edhe vendi ynë i ndjen pasojat e rënies globale. Por këto rrjedhoja janë tangjenciale, sipërfaqësore, dhe aspak thelbësore. Po t’i besojmë nihilizmit kryeneç të opozitës sonë, ajo autostrada e kombit, që përshkon të gjithë aksin rrugor (jugu i skajshëm - veriu kufi me Kosovën), me parametra tunelesh të jashtëzakonshme për nga përmasat, të krahasueshme me tunelet më të mira të rangut botëror, - ajo autostradë madhështore, pra, - do të ishte katandisur si i ashtuquajturi “projekt” i aksi rrugor që përmendet me një ironi sarkastike me nofkën e taksës Majko; “aks” në të cilin taksat u volën, por rruga nuk zuri fill asnjë centimetër! Lulzim Basha, emri i të cilit u bë i suksesshëm, veç së tjerash, veçanërisht me këtë autostradë, ngarkoi për kontabilizim rigoroz dy ekspertë kontabiliteti të huaj, të njohur për prestigjin, aftësinë dhe ndershmërinë e tyre, njeri prej të cilëve qé suedez. Megjithatë, ndonëse opozita buzëvarur, nuk vajti as në përurimin e saj, bëri se bëri një tymnajë xhelozie, për të ngarkuar L. Bashën, në përvetësime të pamundshme. Ky tendenciozitet a priori u vu ré edhe në atë farsën e apartamentit të tij në Kosovë, me qira kaq e aq, nga shumë opozitarë “fukarenj”, që frymëzonin për shkrime mjaft gazetarë të paguar prej tyre, që e dinin, të shkretët, se duhej të shkruanin me porosi për NJË apartament, kur frymëzuesi i shkrimit kishte pallate të tëra! Kuptohet se këto pallate kishin, së paku; mbi 300 apartamente si ai i L. Bashës! Për shoqërim idesh, mund të përmendet edhe ai fukarallëku i E. Ramës, me 3000 euro pasuri gjithsej! Thuhen, pra, gjëra që askush nuk i beson, përveç idiotëve dhe ... fanatikëve të indoktrinuar.
Atë çështjen pikante për konsensus e cilësuam që në fillim si pikë djegëse për të dyja palët. Folëm për opozitën, duke mos përmendur edhe mjaft argumente të tjera. Por duhet folur edhe për palën tjetër. Edhe kjo është ndodhur në vështirësi objektive. Sepse është ndodhur kurdoherë përballë urrejtjes së opozitës. Kjo frymë përbuzjeje ka qenë në vazhdimësi një konstante. Në vendet ku aspirojmë të futemi, opozitat janë edhe bashkëpunuese, përveçse në oponencë. Është tjetër të jesh në oponencë, tjetër ta quash kundërshtaren si armike! Kjo nuk ndodh në Perëndim. Opozita jonë është përkufizuar, në këtë drejtim, si ekzemplare. Madje – siç thonë latinët, - është një opozitë “sui generis”, që mund të përkthehet në mënyrë paksa të lirë, e pangjashme, e llojit të vet. Na jepni një opozitë të tillë, qoftë edhe vetëm një, që të ketë tipare të tilla obstruksioniste. A mundeni dot? (U drejtohemi majtistëve të Ramës).
Do të mjaftonte vetëm ky argument për të folur për vështirësitë e “palës tjetër”. Le ta shohim argumentin, që të mos zgjatemi, vetëm në fushatën zgjedhore të 8 majit.
***
Para se të hyjmë në agresivitetin gojor, le të shohim pikënisjen.
Qysh në fillim, E. Rama ishte në mëdyshje për të caktuar kandidatin për kreun e bashkisë së Tiranës. Ai vetë, apo një person tjetër i PS-së? U hamendësuan edhe shumë emra, adapt për këtë qëllim. S’është nevoja t’i përmendim. U harxhua një kohë bajagí e gjatë, gjersa Kryetari i PS-së caktoi vetveten. (Humbja e kohës është motiv më vete, për më tepër se iu ngarkua “palës tjetër” edhe ky shpërdorim kohor! Nuk mund të bëhej përjashtim nga rregulli édhe në këtë pikë).
Një avaz tjetër është prirja për të shndërruar zgjedhjet administrative në zgjedhje politike, sikur të ishim në zgjedhjet parlamentare. Kjo kishte prapavijën e vet, që ta injoronte kandidatin përballë.
Këtu bashkoheshin dy synime të tjera: Që kandidati Rama të mos i vinte fré gojës, duke e quajtur kryetarin e PD-së, “Sala”, “Saliu”, bashkë me cilësorë të tjerë përkeqësues. Paçka se kryetari i keqpërfolur, nuk ra në këtë kurth dhe e përmendte E. Ramën, vazhdimisht dhe pa asnjë përjashtim, me z. Edi Rama”! Edhe në panelet televizive shikuesit vërenin se kryetarët e partive përmendeshin në mënyrë pezhorative nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, në mënyrë respektuese, në konsideratë të etikës së debatit. Por synimi i dytë ishte që oponentin për bashkinë Edvini ta quante të asgjësuar, me disa trukime jo të holla, si ato kur s’donte t’i jepte përgjigje ndonjë gazetareje, së cilës ia merrte për provokim pyetjen: - “Të fala Sandrit!”. Kjo ishte përgjigjja! Çështje mirësjelljeje. Doktori nuk i trajtonte kurrë në këtë mënyrë gazetarët. E. Ramës sikur i përftohej kryetari i P.Demokratike kur bënte sikur i ngatërronte emrin kundërshtarit të tij për bashkinë, të cilit djallëzisht kërkonte t’i ndryshonte edhe identitetin! Madje në reklamat e TV-ve të Edit dilte kandidati i bashkisë për Tiranën i cili shndërrohej pas pak sekondash, në kryetarin e PD-së! Por le të flasim, për krahasim, édhe për gjuhën e L. Bashës. Një gjuhë që u pëlqeu banorëve të Tiranës. Pa fyerje. Pa shtrembërime. E bëri vetëm fushatën, pa ndihmën e kryetarit të tij. Vetë doktori nuk i doli asnjëherë në krah. Përbuzësi Rama u detyrua të flasë edhe për programe, ta imitojë, pra, L. Bashën, që fliste për projekte konkrete, me në qendër interesat e banorëve, të cilët i pyeste me dashamirësi. Ndërsa tjetri e teproi me propagandë retorike politike, e cila nuk zgjonte interes, për shkak të përsëritjeve gjer në shurdhërí.
Kjo është vetëm një pjesë e panoramës zgjedhore. Socialisti me vizion europianist, z. Katriot Islami, e paralajmëroi me kurajë kryetarin e PS-së se nuk ishte kjo rruga që duhej ndjekur. Nuk duheshin shpërfillur institucionet. Po të dëgjoheshin kritikat brenda radhëve, gjuha e mirëkuptimit ndërmjet palëve do të ishte e shtruar, më e mundshme, më e lehtë. Nuk do të ishim në gjendjen që Serbia të ishte më e avancuar se ne, në këtë rrugëtim. Kryeneçësia e njërës palë sjell vështirësi objektive edhe për palën tjetër. Z. Nishani e shpjegoi në mënyrë kristaline në emisionin e News 24-s se sa mundësi i ka dhënë z. Berisha zotit Rama, me të gjitha lëshimet e mundshme, për të arritur në synimin final të kësaj perspektive të ndritshme për interesat e vendit tonë.
Problemi është se ka munguar komunikimi i standardeve europiane. Konsensusi kërkon ndërsjellësí.