E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita në Shkodër, Edi Rama urdhër për shkarkimin e drejtuesve të PS-së Genc Uruçi dhe Keti Bazhdari

01-07-2011 / Gazeta 55

Edi Rama fajësoi në Shkodër strukturat lokale të PS-së, për humbjen e thellë në bashkinë e qytetit, me një diferencë prej afro 10 mijë votash. Ky fakt s’është kapërdirë siç duhet nga kryesocialisti, teksa duke bërë beniaminin e PS-së, urdhëroi shkarkimin e “fajtorëve” të humbjes. Në takimin e zhvilluar me socialistët e Shkodrës, kreu i Partisë Socialiste ka kërkuar largimin nga detyra të kreut aktual të degës së PS në këtë qytet, Genc Uruçi.
Kryefjalë e takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura në sallën e kinemasë “Milenium” në Shkodër, ka qenë humbja e socialistëve në këtë rreth. Burime nga selia e PS-së bëjnë të ditur se kërkesa e kreut të partisë për largimin e Uruçit, është mbështetur dhe nga deputetetë të PS në këtë qark. Dy përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë kërkuar dorëheqjen, duke e bërë Uruçin përgjegjës për humbjen e madhe në qytetin verior. Por në qendër të akuzave të drejtuesve të PS-së nuk ka qenë vetëm drejtuesi i kësaj dege në qytetin kryesor.
Pjesë e kritikave kanë qenë dhe drejtuesit e tjerë të strukturave të Partisë Socialiste.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Socialiste është ndalur edhe numrin e vogël të këshilltarëve që ka marrë Partia Socialiste dhe aleatët e saj në zgjedhjet vendore. Rezultat që në këtë qark ka ardhur si pasojë e përçarjes së degëve të Partisë Socialiste në Shkodër. Por ajo që ka rënë në sy takimin me dyer të mbyllura të kryebashkiakut Rama me drejtuesit lokalë të PS-së në Shkodër ishte dhe mungesa e sekretarëve të PS-së së rrethit dhe ajo e kryetares së PS-së, Keti Bazhdari.
Gjatë takimit, duke folur për rezultatin e dobët, deputetët socialistë kanë qenë edhe më të ashpër në këtë drejtim. Ai ka kërkuar dorëheqjen e çdo kryetari në këtë zonë, ku nuk ka pasur një rezultat pozitiv.
Në zgjedhjet e 8 majit, Partia Socialiste mori në qytetin e Shkodrës rreth 10 mijë vota më pak se Partia Demokratike. Konkretisht kandidati i PS-së, Genc Uruçi mori 11 221 vota. Ndërsa kandidati i Partisë Demokratike, Lorenc Luka u shpall fitues në këto zgjedhje me 20790 vota. Veç humbjes personale, deputetë të PS-së, e kanë kritikuar Uruçin dhe për përzgjedhjen që ka bërë në këshillin bashkiak dhe kandidaturat.
Sipas tij, një pjesë e kandidaturave në këshill nuk janë pritur mirë në elektoral. Ndërkohë që kreu i Partisë Socialiste ka kërkuar që të këtë më shumë bashkëpunim brenda Partisë Socialiste. Ai ka theksuar se të zgjedhurit e PS-së duhet të jenë më afër elektoratit dhe të mos mbajnë distancë me zgjedhësit. Ndërkohë që pjesë e diskutimeve kanë qenë dhe zgjedhjet brenda Partisë Socialiste për anëtarët dhe drejtuesit e forumeve. Mësohet se kreu i PS-së ka kërkuar përgatitjen e të gjitha degëve për kongresin dhe për përzgjedhjen e kandidaturave më potenciale.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›