Vështirësitë e një kineasti
28/04/2009 Todi Bozo
Vitet nuk e kanë ndarë nga filmi. Të ishte pjesë e krijimit kinematografik për të është puna e një jete dhe dashuri.
Ndaj jo rastësisht në 75-vjetorin e tij Todi Bozo pëlqeu të mblidhte në një tryezë familjare të gjithë njerëzit e filmit, kineastë të dikurshëm dhe disa më të rinj.
Mbrëmja e djeshme ka qenë e tillë, e përzier me pak nostalgji e me shumë kujtime për kineastin Bozo. Krahas aktivitetit të organizuar nga Arkivi i Filmit Shqiptar, ku është shfaqur edhe një montazh me disa nga filmat e tij, mbrëmja ka qenë disi më intime në një rreth kineastësh. “Doja që të kishim mundësi t’i kujtonim njëri-tjetrit vitet e punës, ngjarjet plot mërzi, plot dhembje, por edhe plot gëzime nga rezultatet e punëve të asaj kohe”, - thotë Bozo, ndërsa hidhet pas në vite. Pohon se janë një brez që kanë punuar dhe krijuar jashtëzakonisht shumë. Por, sigurisht pa stimuj e sotëm materialë. “Stimujt ishin moralë, madje nuk kishim as honorare. Emrin e kishim “autor”, por nuk përfitonim asnjë të drejtë materiale nga pronësia e autorësisë”, - nënvizon ndërsa saktëson se të vetmit që “përfitonin” diçka materialisht ishin skenaristi dhe kompozitori. Krijimtarisë i shtohej veç të tjerash edhe e famshmja censurë dhe autocensurë. Porse ndihet paksa i kënaqur kur pohon se, megjithatë, sipas syrit të tij, kineastët ishin më kurajozët në të gjithë skenat e artit dhe kulturës në Shqipëri. Kurajë që e tregonin në ballafaqimin me strukturat shtetërore, por që vijuan ta tregojnë edhe më pas, në ata që i quan “vitet e tranzicionit”.
Filmat dikur…
E megjithatë, të ishe artist në atë kohë, në disa raste nuk ishte dhe aq komode. Si një prind që kujton me mall dhe nuk mund të veçojë fëmijët e vet, pohon se pavarësisht kësaj diku-diku ka një debulesë më të madhe. Këtë ndjesi ai vetë e provon me “DEBATIK”-un. “Ishte një nga filmat e parë, një film tepër i vështirë, i xhiruar në kënetën e Maliqit, ku merrnin pjesë me qindra figurantë, gra dhe burra, të cilët duhej të hynin në ujë në mesin e dimrit në atë grykën e Devollit, ku të thante era e ftohtë. Janë filma të realizuar me vështirësi. Por kishte një gjë që duhet thënë dhe nuk është e drejtë ta mohoj: shteti u dilte për zot të gjitha nevojave që kishin kineastët.” Nënvizon se në atë kohë nuk e ndienin, për shembull, vështirësinë e gjetjes së figurantëve për filmat e tyre. Kurse sot është e kundërta. “Komiteti i Partisë jepte urdhër se duheshin gjetur kaq figurantë dhe çështja zgjidhej. Kjo ishte lehtësim për ne, pavarësisht se filmi kishte ato vështirësitë e veta.” Nuk mund të harrojë se e para gjë që duhej detyrimisht të bënim pas përfundimit të çdo filmi ishte që filmi “të kalonte” natën e parë në Bllok. Byroja politike, udhëheqësit, mes të cilëve pa dyshim edhe Enver Hoxha për aq kohë sa jetoi, ishin spektatorët e parë, që jepnin dhe verdiktin nëse filmi do të mund të shfaqej për masën e gjerë apo jo. “Ne rrinim si lepuri që pret t’i vijë zagari e të marrë përgjigje nga një filomekanik, i cili përgjonte se çfarë thanë udhëheqësit në fund të filmit.” Fatmirësisht, kujton se shumë rrallë në Kinostudio krijuesit kanë hequr mbi kurriz dënime ekstreme, veç të zakonshmit riedukim për disa muaj apo për një vit.
Kjo nuk do të thotë se filmat përgjithësisht merrnin lehtësisht “lejen e hyrjes”.
Për shembull, filmit “Yjet e netve të gjata” i është hequr një episod shumë i bukur, “lirik, romantik”, siç e cilëson Bozo. Pjesa ku disa vajza partizane në një kohë pushimi të batalionit vinin në një ujëvarë me ato këmishët e gjata prej liri të trashë dhe laheshin ndërsa këmishët u ngjiteshin pas trupit. “Ky episod u quajt ‘imoral’ dhe u hoq. Por raste të tilla kishte plot, si për shembull me ‘Kapedanin’ apo me filma të tjerë.”
Filmi sot
Natyrshëm, kinematografia nuk do ta kishte të lehtë rrugën në një kohë kur vetë kapitalizmi kërkonte që pronar të mos ishte më shteti. Me shumë pak mundësi financiare në këtë drejtim, gjërat i vështirësonin më tepër situatat. Porse përdorimi i foljes në të shkuarën nuk do të thotë se problemet për filmin sot janë zgjidhur.
Menjëherë pas ’90-s shtëpitë filmike filluan të lindnin njëra pas tjetrës. Shoqatat e kineastëve propozuan në atë kohë që Kinostudioja t’u jepej në përdorim shtëpive filmike. Në këtë mënyrë do të stimulohej zhvillimi në mënyrë private i kinematografisë shqiptare nëpërmjet shtëpive filmike në bashkëpunim me ndihmën e shtetit dhe në bashkëprodhim filmat e huaj. “Për fat të keq, kjo gjë nuk u mor në konsideratë. Kinostudioja u bë copa-copa. Në hapësirën e saj hyri media, hyri kush mundi dhe kineastët mbetën pa ambient. Ndërkohë që dyqanet iu dhanë shitësve që kishin 6 muaj që punonin në të, kineastët, që kishin një jetë të tërë në Kinostudio, nuk morën as në përdorim ambiente për të zhvilluar rrugën e kinematografisë shqiptare në kushtet e reja”, - komenton Bozo. Duke mos e parë gjithçka zi, ai e quan një hap pozitiv ligjin e kinematografisë. “Ky ligj pruri disa fenomene pozitive: ligjëroi shtëpitë filmike, krijoi Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, e cila do të stimulonte, nxiste dhe përkrahte kineastët dhe shtëpitë filmike dhe do të organizonte në njëfarë mënyre stimulimin për të ndihmuar kineastët e rinj.”
Cilësia artistike
Ndërkohë që fondet për të realizuar filma janë tepër të kufizuara (sipas Bozos mund të hyjnë në prodhim maksimumi dy filma artistikë dhe dy të metrazhit të shkurtër), kërkesa, prurja e skenarëve dhe platformave që vijnë për t’u shqyrtuar në bordin e filmit është tepër e madhe. “Në këtë drejtim ka me të vërtetë probleme”, - pohon kineasti, ndërsa vijon se është bërë një dyndje edhe nga njerëz që nuk janë profesionistë. “Prurje ka shumë, vlera ka pak. Është vështirë të dallosh një që ‘të kërcejë’ mbi të tjerët.”
Porse problemet që lidhen direkt me filmin sot, për Bozon janë tepër.
Mbi të gjitha, sipas tij, ajo që do të jepte stimul është ana financiare. “Përderisa ne do të jemi me këto probleme, që vështirë se do të zgjidhen me këto përmasa që ka sot ekonomia, jemi gjithnjë lypsarë ndaj të tjerëve.” Problem tjetër për të është specializimi dhe përgatitja e kineastëve, mbrojtja e të drejtave të autorit dhe nxitja e shkrimtarëve dhe skenaristëve për t’u marrë më seriozisht me skenarët.
Ku ngecin skenarët
Për Bozon nuk ka skenarë, sepse nuk ka skenaristë. “Ata që ishin dhe merreshin me skenarët ikën. Një pjesë vdiqën, një pjesë u morën me punë të tjera dhe tani përtojnë t’i kthehen skenarit. Të tjerë ikën jashtë shtetit. Të themi, për shembull, se ne në bord kemi Kiço Blushin, skenarist i mirë, por që nuk merr përsipër të shkruajë skenarë.” Këtë mungesë dëshire kineasti e sheh të lidhur edhe me faktin se në një vit janë vetëm dy filma të miratuar e përkrahur për t’u realizuar. Kjo bën që edhe skenaristët të mos e shohin të vlefshme, madje humbje kohe punën për skenarin, i cili mund të hyjë në prodhim pas disa vjetësh, kur t’i vijë radha, sepse kaq janë paratë!
Lidhur me këtë Bozo e sheh shqetësues edhe faktin se sot nuk bëhet dot asnjë film pa pjesëmarrjen e partnerëve të huaj. “Pavarësisht nga ëndrrat tona, kur vjen puna, edhe kur bordi miraton një film dhe QKK-ja ka gati pjesën e saj, do të fillojë një peripeci e madhe për të gjetur partnerët e huaj, të cilët bëjnë 500 manipulime për të rritur përqindjen e aksioneve të tyre. Ata rritin çmimet shumë më shtrenjtë sesa janë realisht në Evropë.”
Pikërisht këto probleme, të lidhura kryesisht me produksionin filmik, kineasti i ka trajtuar edhe në një libër, të prezantuar për herë të parë dje para kolegëve dhe miqve të tij.
Kush është...
Producent dhe regjisor i filmit dokumentar, lindi në Lushnjë më 27 prill 1934. Studioi në Institutin Kinematografik “VGIK” për producent filmi, duke u bërë kështu i pari kuadër i lartë profesional në fushën e produksionit kinematografik. Filloi punë në Kinostudion “Shqipëria e Re” më 1959. Karrierën e filloi si bashkëproducent në bashkëprodhimin shqiptaro-sovjetik "Furtuna" (1959), më pas në filma të tjerë artistikë të Kinostudios, si: “DEBATIK” (1961), “Detyrë e posaçme” (1963), “Vitet e para” (1965), “Oshtimë në bregdet” (1966), “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967), “Plagë të vjetra” (1969) etj. Regjisor dhe skenarist i "Lugina e peshkatarëve" (1970). Në vitin 1971 emërohet zëvendësdrejtor i Kinostudios, ku dha ndihmesë të vyer në produksionet filmike dhe në përgatitjen e një brezi të tërë producentësh në fushën e kinematografisë. Në vitin 1983 kaloi si regjisor i filmit dokumentar dhe deri në vitin 1991 xhiroi rreth 25 filma dokumentarë.
Edhe sot aktiv, Todi Bozo është angazhuar si producent ekzekutiv në disa filma të pas ’90-s, si: “Kolonel Bunker” dhe “Syri magjik” me regjisorin Kujtim Çashku, “Kronikë provinciale” me Artan Minarollin dhe “Koha e kometës” me Fatmir Koçin. Njëkohësisht ai jep leksione në shkollën e filmit “Marubi” dhe është anëtar i këshillit miratues të projekteve në Qendrën Kombëtare të Filmit.