E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dorëzon kërkesën

28/04/2009  Aplikimi

Kryeministri Sali Berisha do të niset ditën e sotme drejt Pragës për të dorëzuar zyrtarisht kërkesën për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministrin e Republikës së Çekisë, Mirek Topolanek, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së. Në këtë takim do të marrë pjesë dhe drejtori i përgjithshëm për Zgjerimin në BE Michael Leigh. Ky takim, sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, do të pasohet nga bisedime mes dy delegacioneve. Kryeministri Sali Berisha shoqërohet në këtë vizitë të rëndësishme nga ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha dhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu. Sipas njoftimit, në përfundim të bisedimeve do të zhvillohet një konferencë e përbashkët për shtyp, ku Kryeministri Berisha, ai çek Topolanek dhe drejtori i përgjithshëm për Zgjerimin Michael Leigh do të flasin rreth aplikimit të vendit tonë për statusin e vendit kandidat në BE. Kjo konferencë do të pasohet nga akti ceremonial i dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në BE të Republikës së Shqipërisë. Pas kësaj ceremonie Kryeministri Topolanek do të shtrojë një drekë zyrtare për nder të Kryeministrit Berisha dhe të delegacionit shqiptar që e shoqëron atë. Vizita e Kryeministrit Berisha në Çeki do të vijojë me ceremoninë solemne të vendosjes së kurorës në “Pod Emauzy Square”. Kryeministri Berisha ka firmosur dy ditë më parë letrën që ai i drejton presidentit të Këshillit të BE-së, kryeministrit Topolanek, ku bëhet i ditur vendimi i qeverisë shqiptare për paraqitjen e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar. Më pas kreu i qeverisë shqiptare do të pritet në kështjellën e Pragës nga Presidenti i Republikës së Çekisë Vaclav Klaus dhe do të zhvillojë një takim me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit çek Miloslav Vlçek, si dhe me zv/presidentin e Senatit Jiri Liska. Pas Pragës Berisha do të udhëtojë drejt Varshavës për të marrë pjesë në kongresin e partive popullore europiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›