E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështrime nga errësira e Ali Mihalit

“Ali Mihali. Vështrime nga errësira”, kështu titullohet ekspozita fotografike e italianit Marco Spano, e cila është çelur prej pak javësh në Trieste të Italisë. Janë të gjitha imazhe të shkrepura në verën e vitit 2003, në ambientet e brendshme të pavijoneve të spitalit psikiatrik të Vlorës, ku asokohe qëndronin rreth 300 pacientë, të ndarë në burra dhe gra, akutë dhe kronikë
Marco Spano

“Verë 2003. U nisa vullnetar në një projekt ndërkombëtar rehabilitimi që parashikonte një pushim veror për pacientët e spitalit psikiatrik ‘Ali Mihali’ të Vlorës. Ishin rreth 300 ose ndoshta edhe më shumë, të ndarë në katër reparte mes burrave, grave, të sëmurëve akutë dhe kronikë. Ndarjen e parë e kisha të qartë, të dytën jo. Këto trupa inerte, objekte që nuk kishin më asgjë, do të ktheheshin edhe një herë në qenie njerëzore për një javë, mund të zgjidhnin vetë rrobat dhe të kishin objekte personale, të dilnin, të shkonin në det apo të hanin pica. Të tjerët jo. Janë histori të njerëzve që kishin tentuar të arratiseshin prej regjimit të Enver Hoxhës, të atyre që nuk e kishin arritur dot tokën e premtuar, histori të asaj që nuk ishte gruaja e duhur ose që ishte një gojë më shumë për t’u ushqyer, apo historia e një poeti që thjesht nuk ia doli dot mbanë. Një gotë rakie që në 10 të mëngjesit për të shtyrë erën e rëndë të reparteve. Pizhamet me vija janë të nderura për t’u tharë në diell. Hanin në tasa metali, pinin kafe turke për ta shoqëruar me një cigare, apo për të lexuar figurat e llumit të kafesë në filxhan. Por gjeje aty edhe perëndimin e diellit, kitarën që ndihej nga ndonjë çati dhe vështirësinë për të komunikuar edhe me përkthyesin. Nuk mungonin as lojërat me shah apo me letra e as tingujt prej një radioje të vogël për të dëgjuar muzikë apo për të kërcyer. Një ndeshje me top ku infermierët dhe pacientët, vullnetarë e turistë, bëhen bashkë në oborrin e hotelit ku qëndronim. Pastaj, si në përrallën e Hirushes, binte gongu e duhej të ktheheshin brenda për të humbur sërish gjithçka. Brenda hymë edhe ne, italianë, gjermanë e shqiptarë, por hymë për t’i nxjerrë jashtë. Ditën e fundit nuk mungoi as festa ku morën pjesë të gjithë, me përjashtim të disave, të cilët mbetën të mbyllur brenda një qelie. Shkuam ne tek ata dhe janë pikërisht këto momente që më shumë kujtoj dhe që nuk desha të shkrep asnjë foto...”. është ky rrëfimi i fotografit italian, Marco Spano, i cili shtatë vite më parë qëndroi në Vlorë, ku përmes një reportazhi fotografik, dokumentoi gjendjen e pacientëve dhe kushtet në të cilat ata jetonin. Shtatë vite më pas, ai kthehet me një ekspozitë, e cila vjen nën titullin “Ali Mihali. Vështrime nga errësira”, e cila është çelur prej disa javësh në Trieste të Italisë. Organizuar nga shoqata NADIR, ky aktivitet i kushtohet temës së shëndetit mendor, një projekt që kërkon të dokumentojë atë që nuk shihet, të komunikojë dhe të përfaqësojë betejën e përjashtimit përmes protagonistëve. Ekspozita e Marco Spanos, e cila është e vizitueshme deri më 5 mars përmes fotografive të shkrepura në spitalin psikiatrik “Ali Mihali” të Vlorës, dokumenton kushtet e vështira të jetesës me të cilat përballen pacientët. Janë të gjitha imazhe të shkrepura verën e vitit 2003, në ambientet e brendshme të pavijoneve ku asokohe qëndronin rreth 300 pacientë, të ndarë në burra dhe gra, akutë dhe kronikë. Përmes këtyre fotove, Spano tenton të rrëfejë një ndryshim në princip. Atë verë ai bëhet pjesë e një grupi vullnetarësh pjesëmarrës në një projekt ndërkombëtar që parashikon pushim veror rehabilitues për pacientët, në mënyrë që ata të bëhen edhe një herë pjesë e shoqërisë, pavarësisht se cilësohen si individë të parikuperueshëm. Reportazhi, i cili është realizuar në teknikën bardhezi, zhvillon një tregim viziv koherent dhe komplet, që nxit ndjeshmërinë dhe respektin ndaj dinjitetit njerëzor në përballimin e kësaj teme delikate.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›