NATO: Ofensiva kundër talebanëve, e suksesshme
Vazhdon sulmi, ndërkohë që janë shënuar edhe viktimat e para mes civilëve
Janë shënuar viktimat e para mes civilëve në Marjah, fortesa talebane, “teatër” i ofensivës së ndërmarrë nga forcat e NATO-s në bashkëpunim me ato afgane dy ditë më parë, në jug të vendit, në zonat kyç të Helmandit. Edhe pse, siç është bërë e ditur, një nga objektivat kryesore të operacionit është ruajtja e qetësisë së popullsisë civile të këtyre zonave. Pallati presidencial ka denoncuar vdekjen e dhjetë civilëve dhe plagosjen e shumë të tjerëve për shkak të të shtënave që kanë përfunduar mbi disa banesa në qytetet e provincës së Helmandit. Po ashtu, edhe NATO ka konfirmuar zyrtarisht se gjatë ofensivës kanë mbetur të vrarë rreth 12 civilë. Sipas një komunikate të ISAF, në fakt dy raketa të nisura nga sistemi “High Mobility Artillery Rocket System” kanë shpërthyer rreth 300 metra nga objektivi, duke vrarë kështu 12 civilë në distriktin e Nad Alit. Raketat ishin drejtuar kundër “pozicionit të talebanëve që gjuanin mbi forcat e bashkuara afgane dhe ndërkombëtare”, shpjegoi ISAF. Komandant gjenerali Stanley McChrystal, i shprehi ngushëllimet Presidentit afgan, Hamid Karzai për këtë “incident të rëndë”. Ushtarët e huaj për momentin kanë pezulluar përdorimin e sistemit të hedhjes së raketave, ndërsa komanda ISAF ka nisur hetimin për këtë incident, ku mbetën të plagosur edhe një ushtar afgan dhe një i ISAF. “Na vjen shumë keq për këtë humbje tragjike jetësh. Ky operacion synon të vendosë sigurinë dhe stabilitetin në këtë provincë. Ju sigurojmë se do bëjmë ç’është e mundur për të shmangur që këto fakte të përsëriten”, thuhet në komunikatë. Edhe Presidenti afgan deklaroi se ndjeu keqardhje të madhe për vdekjen e civilëve gjatë operacionit ushtarak dhe kishte urdhëruar një hetim mbi tragjedinë. Ndërkaq, një ushtar i forcës ndërkombëtare ka mbetur i vrarë nga shpërthimi i një bombe në ofensivën më të madhe të ndërmarrë në Afganistan, që prej pushtimit të vitit 2001. Megjithatë, sulmi i forcave të armatosura afgane dhe amerikane në provincën afgane po ecën në mënyrë pozitive. Kështu deklaroi për CNN, gjenerali Jim Jones, këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. “është një çast i rëndësishëm, sepse për herë të parë, po përdorim së bashku të gjithë komponentët e strategjisë së re të Presidentit Obama”, shtoi ai. Jones tha edhe se Presidenti afgan, Hamid Karzai, tanimë është më i besueshëm se më parë. Komandanti i marinsave amerikanë, të angazhuar në sulmin për dëbimin e talebanëve nga kjo pjesë e Afganistanit, gjenerali Larry Nicholson, pranoi se “ka shumë mundësi që të duhen pothuajse 30 ditë për të pastruar zonën”. Nicholson ka shpjeguar se kjo mund të mos jetë vetëm një betejë e madhe decizive dhe se operacionet mund të vazhdojnë për muaj me radhë. “Jam shumë optimist mbi faktin se do të arrijmë të mbarojmë më herët se çmendonim”, shtoi ai. Autoritetet lokale afgane në Helmand thanë se talebanët po bëjnë rezistencë ndaj forcave ushtarake ndërkombëtare. Talebanët kanë bërë me dije se nuk është e vërtetë që forcat e NATO-s kanë marrë kontrollin e zonës se Marjah. “Nuk kanë marrë asnjë zonë të vendit”, deklaroi Qari Yousif Ahmadi. Ai shtoi se militantët kanë vrarë 192 ushtarë afganë, ndërsa kanë humbur jetën vetëm 6 luftëtarë. Operacioni “Mosharak” është sulmi më i madh i kryer që nga rënia e talebanëve në vitin 2001. Aty janë përfshirë 4000 marinsa, të mbështetur nga po kaq trupa amerikane, kanadeze dhe afgane. Ofensiva ka nisur nga helikopterët që kanë dërguar trupat e tyre mbi zonat problematike. Më pas, trupat britanike kanë hyrë në zona përmes tankeve dhe artilerisë së rëndë dhe, më pas, kanë hyrë këmbësorët. Zyrtarët llogarisin se ka disa qindra deri në njëmijë luftëtarë talebanë të pozicionuar në zonë. Qyteti i kontrolluar nga talebanët ka një popullsi prej rreth 80 mijë banorësh dhe është një bazë për kryengritësit në pjesën jugore të vendit dhe pjesë kyçe e tregtisë fitimprurëse të opiumit.
#