E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëdija e emrit

Nuk ka njeri pa emër dhe nuk ka gjë në botë që ai të mos ketë emërtuar. Kjo ndoshta që nga kohët përtej lashtësisë, kur homo sapiense kuptoi se ekzistonte, çka e bëri atë të interesohej për veten, por edhe se një ditë do të vdiste.

Shkencëtarët thonë se evoluimi i organit të të folurit, ka qenë hapi parë i ndarjes plotësisht të njeriut nga kafsha. Krijimi i vetëdijes mund të cilësohet hapi i dytë, pasi njeriu arriti të kuptojë se vdekja ishte e pashmangshme dhe se pa ushqim jeta e tij bëhej e pamundur. Njësoj i egër, por tani edhe i vetëdijshëm, ekzistenca u bë qëllimi apo interesi i tij kryesor. Por për të mbrojtur këtë interes, njeriut i duhej njohja e çdo gjëje për rreth dhe që secilën prej tyre ai të ishte në gjendje ta dallonte qartë. Kështu mendohet të kenë lindur emrat, fjalët e gjuhët, por mbi të gjitha, UNI. Kështu emri i parë i njeriut mund të ketë qenë vetë-emërim, i shtyrë nga interesi tij për të mbijetuar.

Në vazhdim të arsyetimit, edhe emërtimi i një vendbanimi në kuptim të ngushtë; familje, fis, fshat, qytetet, apo në kuptim të gjerë; shtet, kontinent, por jo botë, duhet të këtë shërbyer fillimisht për të mbrojtur interesave të veta.

Popujt afër e larg, për grekët e lashtë ishin barbarë, vetëm sepse flisnin gjuhë ndryshe. Fqinjët e tyre në veri ata i quanin edhe me emrin e përgjithshëm, Ilirë, ndoshta sepse këta jetonin në gjendje të lirë, të përçarë, jo të bashkuar. Por kur grekët ranë në kontakt me ta, atëherë filluan të shfaqen në histori edhe emrat e veçantë të fiseve ilire. Dardanët, p.sh., përmenden për herë të parë nga Homeri tek Iliada ku ata duke qenë aleatë të trojanëve, nuk mund të mos përfilleshin nga grekët, të cilëve u interesonte ta njihnin me emër kundërshtarin, pasi kështu mund ta dallonin atë më mire e rrjedhimisht të mbroheshin prej tij.

Gjithashtu, kur grekët e lashtë filluan të zgjeroheshin, ata hynë thellë në territoret e panjohura, “barbare” dhe aty ku ndaleshin ngrinin tempuj e vendosnin kolonë, duke e bërë vend-banimin në dhe të huaj një qendër interesi për veten. Nëse një vendbanim të tillë ata do ta quanin përgjithshëm, toka e barbarëve, kolonëve ose ushtarëve, do t’u duhej të endeshin gjatë për të arritur ku kishin në plan. Prandaj, për të kolonizuar e mbrojtur një qendër të tillë me interes ekonomik, kulturor a ushtarak, atyre u duhej t’i jepnin asaj një emër, mundësisht sa më të qartë e të kuptueshëm e të shqiptueshëm për t’iu shërbyer sa më mirë këtyre interesave.

Perandoria Romake, tepër e ndikuar nga kultura lashtë greke, gjithashtu ndoqi të njëjtin sistem emërtimesh. Për romakët, kërcënimi apo shqetësimi kryesor nga lindja u vinte nga përtej Adriatikut, rajone të mbizotëruar kryesisht nga fiset ilire, prandaj edhe të gjithë rajonin ata e thërrisnin Iliri, sepse i gjerë ishte edhe interesi i tyre strategjik. Pas disa shekujsh sundimi, ky interes strategjik u bë më i qartë e më i veçantë, për çdo zonë. Shqipëria e sotme, nga të huajt quhet Albania, emër i dhënë ndoshta nga romakët, të cilët e kishin më të lehtë për ta shqiptuar pasi ishte thuajse i ngjashëm me emrin e rajonit italik, Alba-Longa. E njëjta gjë duket se ndodhi edhe me një rajon të Trakës, paksa në lindje, i cili për qindra vjet shërbeu si pikë strategjike e interesi për romakët pasi ishte një nga zonat kryesore të përqendrimit të trupave të tyre. Kur perandoria romake u shpërbë dhe këto trupa u shpërndanë, shumë prej tyre u bashkuan me banorët vendas, por ata vazhduan të quhes hin rumunë dhe vendi i tyre i ri, Rumani.

Historiani gjerman Barthold Georg Niebuhr (1776-1831) tregon një tjetër shembull domethënës se si emri i qytetit Epidamnus u shndërrua Dyrrhachium (Durrës). Duke iu referuar traditës që kishte mbërritur deri në shekullin XVIII, Niebuhr, thotë se emri i qyteti duket se ndryshoi me një vendim të Senatit romak, pas një kërkese të Cezarit i cili argumentonte se kur legjioneve romake t’u jepej urdhri për të marrë qytetin Epidamnus, ai donte që ata ta pushtonin dhe jo të tërhiqeshin a dorëzoheshin. Cezari shqetësohej se urdhri mund të kuptohej gabim, pasi Epidamnus ngjasonte me latinishten “damnum” që do të thotë “humbje”.

Parë nga një kënd më i gjerë, nëse mendohet për një moment që njerëzimi është një organizëm dhe njeriu një molekule e tij, atëherë arsyeja që planeti Tokë nuk ka një emër të përveçëm, tregon se njerëzimi si racë, nuk ka frikë se interesi i vet mund të preket a kërcënohet nga krijesa të ndonjë planeti tjetër, pasi deri tani nuk është provuar se jeta ekziston edhe gjetkë. Por gjithashtu është fakt se njerëzimi, u ka vënë emra të përveçëm të gjithë planetëve që njeh si dhe shumë trupave qiellorë, ndërsa planetin ku jeton e thërret me emër të përgjithshëm, botë, tokë, a glob. A mos tregon kjo se njerëzimi, si organizëm, ende nuk ka arritur shkallën e vetëdijes, që karakterizon molekulën e tij, njeriun? Sepse si individ, njeriu e di se një ditë do të vdesë, ndërsa si njerëzim mendon se nuk do të shuhet kurrë.

*Autori jeton në SHBA dhe është gazetar i radios Zëri i Amerikës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›