Kapet kamioni me klandestinë afganë, vinte nga Greqia
Policia e Korçës ka ndaluar kamionin me targa turke, i cili kishte me vete shtatë klandestinë nga Afganistani
KAPSHTICË- Rikthehen linjat e trafikut të klandestinëve që nisnin nga Afganistani e përfundojnë në Europë duke përdorur si trampolinë vendin tonë. Policia e Korçës ka ndaluar dje në Kapshticë shtatë klandestinë afganë teksa tentonin të hynin ilegalisht nga Greqia. Klandestinët janë gjetur të fshehur në një kamion me targa turke dhe kanë pohuar se destinacioni përfundimtar i tyre ishte Italia. Burimet e policisë pohuan dje se shtatë personat kanë qëndruar të mbyllur në një kamion me targa turke për më shumë se 20 orë.
Ngjarja ka ndodhur gjatë mesditës të së dielës në pikën kufitare të Kapshticës, kur gjatë një kontrolli rutinë të policisë kufitare në bashkëpunim me doganën e Kapshticës është zbuluar dhe “ngarkesa”. Shtatë klandestinët ishin fshehur në bordin e kamionit me targa turke “34AU5523” që drejtohej nga shtetasi turk Ozkan Kose. Sapo kanë rënë në duart e policisë ata kanë deklaruar se atdheu i tyre është vendi i luftës, Afganistani. “Ne po kontrollonim kamionin kur mes një mori kutish që ndodheshin në pjesën e pasme të tij kemi gjetur klandestinët. Ata kanë qëndruar të fshehur në kushte të tmerrshme ku ndihej mungesa e ajrimit”,- thanë agjentët e policisë që kanë marrë pjesë në operacion. Ndërkaq të kapurit ilegalë në kufirin tonë i kanë treguar policisë shqiptare se kishin leje të rregullt qëndrimi në Greqi. Katër prej tyre i kanë pasur ato me vete, ndërsa të njëjtën gjë kanë deklaruar dhe tre klandestinët e tjerë, të cilët janë justifikuar se i kishin lënë dokumentet në shtetin fqinj. Hetuesit pohuan se klandestinëve u është dhënë ushqim e ujë pasi ishin në gjendje tepër të rëndë. Shtetasi turk Ozkan Kose është ndaluar dhe është marrë në pyetje nga policia në lidhje me këtë rast. Ai është “mbrojtur” duke thënë përpara policisë se klandestinët afganë kishin hipur në kamionin e gabuar në Athinë.
Sipas afganëve, destinacioni i tyre ka qenë Italia ku ata synonin që të gjenin punë. Me disa fjalë në anglisht njëri prej afganëve ka pohuar se të gjithë kanë jetuar në qytetin grek të Lamias për tre muaj duke pasur dhe leje të rregullt qëndrimi ndërsa kanë synuar një tjetër vend të BE-së për të siguruar një mënyrë më të mirë jetese. Pas marrjes në pyetje dhe dokumentimit të të gjithë informacionit të duhur policia shqiptare në Kapshticë iu ka kërkuar autoriteteve greke kthimin e tyre pas në Greqi. Kështu klandestinët afganë në Shqipëri do të kthehen pas në Greqi, kjo dhe për faktin se ata kanë leje të rregullt qëndrimi për në këtë shtet.