Zihet me babanë, 10-vjeçari vetëvaret në pemë
Arlind Hasa është gjetur në grahmat e fundit të jetës i varur në pemën e kumbullës pas shtëpisë së tij në Bathore
Policia: Nga hetimet e para dyshohet se shkaku i vetëvrasjes është zënka e djalit me babanë
TIRANË- Qortimi i babait, ka prekur sedrën e djalit të tij dhjetëvjeçar duke e çuar atë në vetëvarje. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në Bathore të Tiranës, kur 10-vjeçari Arlind Hasa është gjetur në grahmat e fundit të jetës i varur në pemën e kumbullës pas shtëpisë së tij. Prindërit janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë duke e transportuar me urgjencë në spital por i mituri ka ndërruar jetë sapo kë mbërritur në duart e mjekëve. Për këtë ngjarje u sinjalizua policia e cila mbërriti menjëherë në banesën e familjes Hasa për të sqaruar rrethanat. Burime nga policia thanë për “Shekullin” se nga hetimet e dyshohet se djali vari veten pas një zënke me babanë e tij. Megjithatë policia tha se po punohet për të zbardhur me saktësi motivin që çoi në vetëflijim fëmijën 10 vjeç.
Vetëflijimi
Atij nuk i kishte shkuar kurrë në mendje se një fjalë me ton të lartë që do t’i thoshte djalit, do t’i kushtonte atij jetën. Por në fakt kështu ka ndodhur. Vetëm një orë pasi babai ka qortuar fëmijën e ka gjetur atë të varur me litar në degën e pemës së kumbullës pas shtëpisë. Gjithçka ka ndodhur dje rreth orës 16:00 në periferi të kryeqytetit, kur Arlind Hasa, 10 vjeç, vari veten me litar. Mësohet se atë e bir po drekonin në banesë, kur mes tyre ka nisur një zënkë. Ende nuk dihet motivi i kësaj zënke që ka detyruar babanë t’i bërtasë fëmijës së tij. Pasi ka dëgjuar qortimin e të atit, Arlindi ka lënë bukën në mes dhe është larguar. Pas një ore, familjarët kanë thërritur 10-vjeçarin po ai nuk është përgjigjur. Menjëherë ata kanë nisur ta kërkojnë në oborr. Sapo kanë shkuar pas shtëpisë, janë tmerruar nga skena që u ka dalë përpara syve. Djali ndodhej në grahmat e fundit të jetës i varur në pemë. Të alarmuar prindërit kanë zgjidhur litarin që i mituri kishte lidhur në qafë dhe e kanë dërguar atë menjëherë në spital, ku ai ka ndërruar jetë.
Shkaku
Efektivat e komisariatit të policisë numër pesë, të lajmëruar për ngjarjen nisën menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat. Policia bëri këqyrjen e provave në vendngjarje ku sekuestroi litarin me të cilin kishte kryer aktin fatal. Ndërkohë oficerët e policisë kanë marrë në pyetje babanë e djalit i cili megjithëse në gjendje të shokuar, ka mundur të tregojë se e kishte qortuar djalin e tij por nuk e kishte menduar se ai do të vriste veten. “Nga hetimet e para dyshojmë se 10-vjeçari është vetëvarur pas një zënke që ka pasur me babanë e tij. Babai e ka qortuar fëmijën e tij si çdo prind për të mirë, por duket se kjo gjë ka ndikuar negativisht duke prekur sedrën e djalit i cili ka gjetur si zgjidhje vetëflijimin. Megjithatë ngjarja është ende nën hetim dhe pritet të zbardhen detaje rreth motivit që çoi në vetëvarje 10-vjeçarin” thanë për “Shekullin” burimet policore. Trupi i pa jetë i të miturit u transportua në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme dhe më pas iu dorëzua familjarëve të tij.