Vetëdorëzohet, autori i vrasjes së "Ali Demit"
Erjon Durdaj, akuzohet se vrau me thikë Fatjon Celën javën e kaluar dhe plagosi dy vëllezër
TIRANË - Vetëdorëzohet në Polici Erjon Duda, autori i dyshuar për vrasjen me thikë të Fatjon Çelës dhe plagosjes së dy vëllezërve Allmuça, ngjarje kjo e ndodhur një javë më parë në lagjen "Ali Demi" në kryeqytet. Lajmi konfirmohet për "Shekullin", nga burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit, ku thuhet se Erjon Duda, 28 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dyshuari kryesor për vrasjen e 30- vjeçarit nga Tirana si dhe i plagosjes së dy vëllezërve Klodian dhe Taulant Allmuça, është dorëzuar dje rreth orës 12 00 të drekës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Policia prej një jave po kërkonte 28- vjeçarin nga Tirana për ta arrestuar, por ky i fundit është bindur që të dorëzohet me dëshirën e tij.
Grupi hetimor i përbërë nga ekspertë kriminalistë, specialistë të zyrës së vrasjes në Policinë e kryeqytetit arriti të identifikojë Erjon Durdën si autor të dyshuar të ngjarjes një ditë pas konfliktit me pasojë një të vdekur dhe dy të plagosur. Ky i fundit ishte person në kërkim që prej datës 15 qershor, i shpallur një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në një nga lagjet e vjetra të Tiranës, në lagjen "Ali Demi". Sapo është dorëzuar në Polici, autori i krimit të rëndë që ndodhi një javë më parë, është arrestuar në flagrancë nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës në Policinë e Tiranës, me akuzën e vrasjes me dashje dhe atë të vrasjes së mbetur në tentativë.
Pas arrestimit nga Policia, Erjon Duda është marrë në pyetje, ku gjatë deklarimeve të tij e ka pranuar autorësinë e vrasjes. Burimet e Policisë pohojnë se autori e ka pranuar krimin dhe gjatë rrëfimit të tij para ekspertëve të Policisë, është shprehur se konflikti mes tij dhe viktimës, 30- vjeçarit Fatjon Çela kishte nisur një javë para ngjarjes në një nga pabet e Tiranës, për motive të dobëta. Pasi dy protagonistët e ngjarjes së "Ali Demit" janë grindur në pab, nuk e kanë mbyllur me kaq konfliktin e tyre.
Konflikti më pas është ndezur përsëri dhe më datën 14 qershor 2009 rreth orës 19 00 sherri i nisur që më parë ka degjeneruar në përdorimin e thikave ku mbetën të plagosur Fatjon Çela, 30 vjeç nga Tirana dhe dy vëllezërit Klodian dhe Taulant Allmuça, përkatësisht 24 dhe 28 vjeç. Viktima dhe autori i ngjarjes janë konfliktuar brenda në një lokal në lagjen "Ali Demi", në prani të disa personave të tjerë, ku në një moment i arrestuari për këtë ngjarje Erjon Duda, i ka goditur të tre të rinjtë me armë të ftohtë