"Childrens, një ekspozitë për fëmijët romë
Portrete të fëmijëve Romë vijnë në ekspozitën e titulluar "Childrens, të artistit të ri, Tan Kazazi. Ekspozita e cila u hap dje në mjediset e Raum Gallery-Bar përmbante fotografi të këtyre fëmijëve. Nëpërmjet kësaj ekspozite, e para e tij, studenti për regji filmi Kazazi, kërkon të përcjellë tek shikuesi universin e pasur të fëmijëve romë.
Duke lënë mënjanë varfërinë ekstreme të komuniteti ku ata jetojnë, Tan Kazazi vë në fokus të aparatit të tij, jetën përtej së dukshmes dhe sjell një sërë fotografish me portrete fëmijësh të pasuruara me mimika shprehëse. Përmes një stili sa elegant, aq dhe të veçantë, fotografitë e tij përcjellin jetën e këtyre fëmijëve të marra në vende ekstreme të zonave rurale. Fotografitë e përzgjedhura për këtë ekspozitë janë kuruar nga Heldi Pema, në kuadër të projektit Open Gallery . Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javët në vijim. Tan Kazazi u lind në 25 nëntor 1986 në Tiranë. Ai është duke kryer aktualisht studimet e larta në Akademinë e Filmit dhe Multimedias "Marubi" në degën regji filmi.