E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i SHISH nuk figuron në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile

Kreu i SHISH i emëruar pak ditë më parë nuk figuron në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Sipas gazetës Shqip, emri i Visho Likës nuk gjendet në listë në Regjistrin Kombëtar Civil të vitit 2008. Ende është e pa konfirmuar nëse mosprezenca e Likës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile ka të bëjë me faktin se ai nuk ka qenë në listat e zgjedhësve.

Dje gazeta publikoi lajmin se Kreu i SHISH mban dy nënshtetësi, atë shqiptare dhe kanadeze. Por, nëse merr nënshtetësinë kanadeze bën këtë betim: Betohem se unë do të jem përkrahës dhe do ti tregoj besnikërinë e vërtetë Madhërisë së saj Mbretëreshës Elizabetë II, Mbretëresha e Kanadasë, trashëgimtarëve dhe pasardhësve të saj, dhe unë me besnikëri do të respektoj ligjet e Kanadasë dhe do të përmbush detyrat e mia si qytetar kanadez.

Por, në një reagim të tij Fatos Klosi ish drejtor i SHISH sqaron se ligji  e përcakton qartë: Qoftë edhe për një nënoficer të SHISH nëse ka qëndruar jashtë Shqipërisë me ditë, praktika parashikon që të kërkohet informacion nga Interpoli.

Sipas tij është e pamundur që drejtori i SHISH të ketë detyrime ndaj një shteti tjetër përpos atij shqiptar.

Gjithashtu mbi kreun e SHISH, Visho Ajazi Lika krijohen edhe alibi të tjera. Ai ka dy data të ndryshme datëlindjeje. Në faqen zyrtare të të SHISH te biografia e Vishës është shkruar se ai është lindur më 12 mars 1956, në Shkodër, ndërsa në profilin e Facebook , ai shkruan se është lindur më 12 shkurt 1960. Katër vite më pak!

Kështu që sipas faqes zyrtare të SHISH ai ka mbaruar Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës në vitet 1976-1981, d.m.th ka filluar universitetin në moshën 20-vjeçare. Ndërsa nëse llogaritet datëlindja e shënuar në Facebook Lika i bie të ketë filluar universitetin 16-vjeç.

Në CV-në e tij ndër të tjera Lika shkruan se Është drejtues i fokusuar në përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit,në përmirësimin  punës në grup, promovimin e karrierës në institucion dhe në pengimin e çdo tentative për të dalë jashtë kuadrit ligjor , të cilit SHISH duhet ti përmbahet me fanatizëm.

Gjithashtu në CV-në përshkruhet puna e kryer jashtë Shqipërisë, në vitet 1998- 2007, por pa përmendur shtetin e Kanadasë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›