Durrës, arrestohen 4 të rinj. Plagosën dhe vodhën
Durrës- Policia e qytetit bregdetar ka vënë në pranga sot katër të rinj, për akuza të ndryshme. Një 16-vjeçar u arrestua pasi dyshohet se ka vjedhur për skrap materialet e bazës Hekurudhore në Durrës. Ndërsa dy vëllezër u arrestuan pasi gjenden nën akuzën e plagosjes me dashje. Një i katërt, 20- vjeç u kap me pistoletë në orët e mbrëmjes.
Ka vjedhur në magazinat e Bazës Hekurudhore të Durrësit më datë 11 tetor dhe iu vunë prangat sot. Adoleshenti me iniciale D.S, lindur dhe banues në lagjen Nr. 14 Durrës, u ndalua pasi nga hetimet dyshohet se në bashkëpunim me tre të tjerë ka kryer vjedhjen në fjalë. Sipas policisë ata kanë marrë shumë pajisje dhe metale me ngjyre për t’i shitur për skrap. Lidhur me këtë ngjarje Prokuroria e Durrësit ka filluar procedimin penal.
Ndërsa dy vvëllezërit Hushi akuzohen për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. Arrestimi i tyre u krye nga Policia e Durrësi dhe ajo e Shijakut, pas një kërkimi njëmujor. 23 vjecari O. H dhe i vëllai 20- vjeçar A. H. ishin shpallur në kërkim që nga data 18 shtator. Kjo si rezultat i një konflikti të çastit për motive të dobëta, ku plagosen me mjete të forta shtetasin R.K, 46-vjeç. Ngjarja ndodhi në fshatin Maminas i plagosuri mori plagë të forta në kokë.
Po sot policia ka vënë në pranga një 20- vjeçar për shkak se u kap me pistoletë pa leje në rrugë. I riu M.B kishte një pistoletë TT që më parë përdorej si armë organike të oficerëve të ushtrisë dhe të policisë. Arrestimi i tij është bërë ne lagjen Nr. 11 e cila ndodhet thuajse në qender të qytetit të Durrësit dhe njihet si lagje e qetë persa i perket nivelit të kriminalitetit. Në momentin e arrestimit iu gjet arma me një krehër me 4 fishekë luftarakë.