E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës, mblidhet komisioni për ndërtimin e xhamisë së madhe

Komisioni për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës ka nisur sot punën në Bashkinë e Tiranës. Kryebashkiaku Basha kërkoi që faza e konsultimeve, diskutimeve dhe vendimmarrjes të përmbyllet brenda muajit mars.

Basha u shpreh se modeli i bashkëjeteës fetare është ajo çka Tirana ka rrezatuar në shekuj, ndaj Bashkia e Tiranës është e gatshme ta përfundojë sa më parë këtë vepër që i mungon kryeqytetit dhe besimtarëve myslimanë.

“Tirana është kryeqendra e vendit. Modeli i bashkëjetesës fetare është modeli të cilin Tirana e ka rrezatuar, në shekujt e ekzistencës së vet dhe e rrezaton edhe sot, ku kemi parë në dekadën e fundit, ngritjen e Katedrales së Shën Palit, po përfundon Kisha Ortodokse dhe dje qeveria dha mbështetjen e plotë për përfundimin brenda këtij viti të 100-vjetorit të Pavarësisë, edhe të Tempullit të Kryegjyshatës, për të cilën edhe Bashkia do të japë ndihmën e vet modeste, ndërkohë koha ka ardhur dhe ka kaluar, që edhe Xhamia e Madhe, të jetë një realitet në Tiranë dhe që t`i japim fund problemit të përvitshëm, për të cilin fatkeqësisht nuk ka pasur zgjidhje në këtë dekadë, të besimtarëve që dalin në rrugë, për ditët e festive”, tha Basha.

Në mbledhje u miratua ngritja e një grupi pune, i cili do të përgatisë propozimet për vendimarrjen në Komision, të cilat përfshijnë propozimin për vendin ku do të ngrihet Xhamia e Re, se si do të veprohet për projektin e Xhamisë, nëse do të përcaktohet një arkitekt për të bërë një projekt të ri dhe për aprovimin e termave të referencës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›