E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëm 31% e zyrtarëve e kanë deklaruar pasurinë

Më shumë se 1200 zyrtar të lartë publikë deri më sot (22 mars 2013) e kanë deklaruar pasurinë e tyre tek Agjencia kundër Korrupsionit, duke iu përgjigjur kështu pozitivisht obligimit ligjor që kanë sipas Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë si dhe Deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave.

Agjencia kundër Korrupsionit përmes një komunikate bëri sot të ditur se procesi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë ka filluar më 1 mars, ndërsa përfundon më 31 po të këtij muaj.

Në listat të cilat AKK i ka pranuar nga pikat kontaktuese të institucioneve të Republikës së Kosovës për zyrtarët e tyre, që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, figurojnë rreth 3900 zyrtarë të lartë. Nga numri i përgjithshëm del që deri më tani pasurinë e tyre e kanë deklaruar rreth 31%.

Tani që ka mbetur vetëm edhe një javë deri në përfundimin e këtij procesi, Agjencia kundër Korrupsionit iu bën thirrje të gjithë atyre zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë që ta bëjnë një gjë të tillë.

Për më tej Agjencia tërheq vëmendjen se mosrespektimi i afatit ligjor për deklarimin e pasurisë, apo deklarimi i rrem i saj, e detyron Agjencinë që në këto raste të ushtrojë kallëzim penal, në pajtim me Kodin Penal.

Agjencia ka vënë në dispozicion për gjatë gjithë orarit të punës stafin statik prej pesë zyrtarëve, të cilët janë “online” për të bashkëpunuar me të gjithë zyrtarët kontaktues të të gjitha institucioneve në mënyrë që procesi i deklarimit të pasurisë të përfundoj me sukses.

Për ta parë listën e zyrtarëve të lartë publikë, të cilët sipas ligjit janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë, si dhe për ta shkarkuar formularët për deklarimin e pasurisë, mund të vizitohet ueb faqja zyrtare e AKK-së, www.akk-ks.org, ose të klikoni mbi butonin- Subjektet deklaruese dhe lista e zyrtarëve, që gjendet në anën e djathtë të faqes, saktëson komunikata./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›