Vetëm disa në bregdet

Pushimet verore tashmë kanë filluar, ndërsa disa të rinj janë duke planifikuar dhe shqyrtuar mundësitë financiare për bregdetet e preferuara dhe vendet turistike. Disa të tjerë, pavarësisht dëshirave për verime, nuk mund të kënaqen për arsye se këtë nuk ua lejojnë mundësitë financiare. Bregdeti shqiptar vazhdojnë të jenë më i pëlqyeri dhe me çmime më të arsyeshme, thonë disa të rinj për Radion Evropa e Lirë.
Atdhe Neziri thotë se gjatë këtij viti ka planifikuar që pushimet t’i kalojë në Ksamil.
“Në Ksamil, 12 ditë apo më shumë. Çmimet janë të njëjta sikurse në Durrës, por vetëm që rruga është më e gjatë. Është vend shumë i bukur”, thotë Atdheu.
Edhe Fatbardha me familje synon që pushimet t’i kalojë në bregdetin shqiptar.
“Unë shkoj zakonisht me anëtarët e familjes, kështu që ata zgjedhin edhe vendin në bregdet. Por, me siguri në Shqipëri diku. Zakonisht kemi shkuar në Durrës, por vitin e kaluar kemi qenë në Velipojë dhe me siguri që edhe gjatë këtij viti do të shkojmë në Velipojë”.
Për dallim nga Durrësi, Ulqinit duket të jetë më atraktiv për Sanije Isufin.
“Unë më shumë e preferoj Ulqinin, sepse ka më shumë atmosferë për të rinjtë. Unë nuk jam e martuar dhe për këtë ndoshta edhe më pëlqen më shumë”, thekson Sanija.
Mërgim Toplani, nga Peja, është student i Gjeografisë dhe thotë se angazhimet për provime në afatin e shtatorit nuk i lënë kohë të mjaftueshme për të shijuar pushime të gjata. Megjithatë, ai shpreson që ndonjë vikend ta kalojë në Velipojë.
“Kam angazhime për provime. Ndoshta ndonjë vit tjetër, pasi t’i përfundoj obligimet si student i rregullt, meqë është periudhë provimesh, afatet e qershorit - shtatorit. Por, ndoshta ndonjë vikend shkoj deri në Velipojë, që është më afër. Ndërsa, paratë duhet t’i siguroj nga prindërit”, shprehet Mërgimi.
Por, Sokol Dema, nga Kaçaniku, punon në Finlandë, ndërsa për pushime verore ka planifikuar të shëtisë nëpër disa qytete të mëdha evropiane.
“Po, besoj se në Rusi dhe Holandë, pastaj dal në kryeqendra tjera, nëpër metropole. Qejfi më i madh se Stambolli thonë”, tregon Sokoli.
Besa, e cila punon në sektorin publik, dëshiron që pushimet t’i kalojë në Turqi.
“Me dëshirë do të pushoja në Turqi, sepse me fëmijë mund të pushoj vetëm atje. Por, varet nga moti. Krejt qershori shkoi me temperatura të ulëta, korriku dhe gushti është Ramazan dhe duhet të koordinohemi më kolegë për punë”.
Në anën tjetër, disa të rinj nuk i fshehin dëshirat për pushime jashtë Kosovës, por megjithatë ana financiare nuk ua mundëson një gjë të tillë.
Njëra nga to është edhe Mihane Hyseni, studente e Sociologjisë.
“Pushimet do t’i kaloj në shtëpi. Të gjithë kanë nevojë për pushime, por nuk ka mundësi. Edhe prindërit e mi kanë dëshirë të na dërgojnë në ndonjë vend turistik, por nuk kanë mundësi dhe ne i kuptojmë”, thotë Mihanja.
Ylberi, 24 vjeç, nga Kaçaniku, pushimet verore do t’i kaloj në vendlindje. Ai e vlerëson të vështirë në këtë moshë të kërkojë para nga prindërit për verime.
“Nuk janë kushtet. Unë jam në moshë për të punuar, por nuk mund të gjej ndonjë vend pune. Në këtë moshë është e vështirë të kërkosh para nga prindërit për verime. Kam dëshirë të shkoj në ndonjë bregdet, por nuk mundem”, thotë Ylberi.