Protestuesit e Çairit duan parqe e jo beton

Në Komunën e Çairit është organizuar sot një protestë në mbrojtje të hapësirave të gjelbra, ku janë planifikuar ndërtime.
Bujar Idrizi, iniciues i protestave, ka deklaruar se Këshilli i Protestave kërkon nga drejtuesit e Çairit të shpallin moratorium për ta gjitha aktivitetet ndërtimore në parqet në territorin e komunës së Çairit.
“Kërkojmë që të bëhet publike plani detal urbanistik për komunën e Çairit i cili është aktualisht në fuqi. Kërkojmë që të publikohet dokumentacioni për procedurën e sjelljes së planit detal urbanistik me theks të veçantë për mënyrën se si është bërë anketa publike, si kanë qenë qytetarët të involvuar në debatin publik si është respektuar parimi për mbrojtjen e mjedisit jetësor, cilët ekspert kanë qenë hartues dhe nënshkrues të planit aktual urbanistik dhe cilat janë parimet që ato i kanë përdorur. Cilat dhe sa vende janë shitur dhe çmimi me të cilin janë shitur kërkojmë qasje në këto dokumente publike dhe presim ftes nga Kryetari i komunës së Çairit që të ulemi të bisedojmë dhe të gjejmë zgjidhje e cila do të jetë në interes të qytetarëve”, ka theksuar Idrizi.
Ndërkaq, në një prononcim për “Zhurnal plus”, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka thënë se është i gatshëm t’i takojë protestuesit dhe të gjejnë bashkërisht zgjidhje rreth kësaj çështjeje.
Ditë më parë, ai kishte deklaruar se organizimi i protestave është vlerë demokratike, por ka rikujtuar se plani urbanistik në Komunën e Çairit është sjellë në vitin 2006, në mënyrë transparente dhe ligjore, dhe se që atëherë e deri sot, nuk ka pasur asnjë reagim.