Basha: Çdo biznes i ri me mbi 50 punonjës nuk do paguajë taksat lokale për 4 vjet

Punësimi i të rinjve, objektiv i Bashkisë së Tiranës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës mori pjesë dje në hapjen e një biznesi të ri tele-marketingu ku do punësohen 100 të rinj e të reja Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ishte dje i pranishëm në hapjen e një biznesi të ri tele-marketingu në Tiranë, i cili do të punësojë 100 të rinj e të reja. Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha shprehu kënaqësinë e nisjes së punës së kësaj kompanie, pasi jo vetëm është shenjë e interesit që investitorë të huaj kanë për Shqipërinë por edhe një mundësi punësimi për të rinjtë. Punësimi, tha Basha, është objektivi kryesor i Bashkisë së Tiranës dhe brenda këtij objektivi ai veçoi punësimin për të rinjtë. Duke shprehu vendosmërinë dhe angazhimin për ta bërë Tiranën nga qytet me atraktive për investitorët, Basha lançoi iniciativën më të re e cila shumë shpejt do të zyrtarizohet dhe parashikon përjashtimin nga pagesa e taksave lokale për katër vite të çdo biznesi të ri që punëson mbi 50 punonjës. “Kemi hequr 60 tarifa dhe taksa. Po punojmë me Korporatën Ndërkombëtarë Botërore, që brenda janarit bizneset dhe investitorët vendas dhe të huaj të shërbehen në një ndalesë nga Bashkia e Tiranës për të gjithë lejet dhe licencat që jep kjo Bashki dhe për të gjithë bizneset që do të punësojnë rishtasi 50 të punësuar apo më shumë, Bashkia e Tiranës do të heqë plotësisht taksat lokale për 4 vjet, sepse siç e thashë, punësimi është qëllimi kryesor i Bashkisë së Tiranës dhe ne jemi plot besim, që në Tiranë çdo investitor nëpërmjet këtyre kushteve do të gjejë ambientin më të përshtatshëm për investime, pra për të krijuar vende pune për qytetin që ka edhe tregun më dinamik të punës në Shqipëri e më gjerë në rajon”, tha Basha. Përveç një biznesi të ri, banorëve të një blloku pallatesh në Njësinë 7 iu rikthye edhe një hapësirë publike e cila ishte zënë padrejtësisht. Ndërmarrja numër 1 e Bashkisë së Tiranës në bashkëpunim me banorët, e kanë shndërruar hapësirën mes blloqeve të banimit me kënd të gjelbër e lojëra për fëmijët. Nga ana e tij, biznesmeni Italian Antonio de Cicco tha se investimi në Tiranë mbetet një derë për shumë investitorë nga Italia dhe më gjerë.
...